Vitet e fundit të Pantos Theodoros

Postuar në 15 Tetor, 2015 14:45

Pantos Theodoros/ Artisti i njohur grek që u nda nga jeta dy vjet më parë vjen në një rrëfim nga mikesha e tij shqiptare. Ditët në Paris me Pikason dhe vizatimet e fshehta të Brigitte Bardot…Historia e një piktori që kritikoi fenomenet e shoqërisë përmes nudos

Përtej një dritareje të hapur, duket portreti i tij. Vështrimi ka mbetur po i qeshur, si në fotot e hershme kur bashkë me Pikason pinin verë në orët e vona në Paris. Vitet nuk kanë mundur t’i heqin një dritë që i dallohet në fytyrë ashtu si në tablotë e tij. Më tej, në telajon që humbet mes ngjyrash, shfaqet trupi i një femre në kohë të mira të saj. Tabloja ka brenda pamundësinë me të cilën na përball në jetë jo vetëm mosha. Ana, një vajzë që sapo ka kaluar të 30-tat, e mban në duar këtë tablo si diçka të vyer të jetës së saj. Kjo është vetëm një prej disa tablove, që Pantos Theodoros, artisti i njohur grek ia dhuroi, i bindur se këto piktura do ta bënin ta kujtonin gjithnjë atë. Kohët e kaluara në hapësirën e mbushur plot piktura, shëtitjet e gjata për në galeri dhe këshillat mbi jetën. Kur për herë të parë hyri në shtëpinë e tij, Ana e ndjeu se ai nuk ishte një grek i zakonshëm. Tablotë e mëdha mureve, librat e shpërndara kudo nëpër shtëpi, miqtë e pafund që vinin për ta takuar e bënin të shihte përtej një burri të moshuar për të cilin duhet të kujdesej. Ajo nuk ishte thjesht një shtëpi, por historia e një prej periudhave më interesante të artit të vendit fqinj. Sot Ana kujton gjithçka, bisedat, udhëtimin e shpejtë për në një ekspozitë në Paris, muzikën që ai dëgjonte, deri vitet e fundit të jetës, kur kujtesa, kishte ikur prej tij. “Ishte një njeri i jashtëzakonshëm”, kujton ajo, artistin që njihej si “dashnori i madh i tablove” për kritikën greke, ndërsa për Anën, si njeriu bota e të cilit, i kujton shpesh kujdesin e një ati. I lindur më 24 shtator 1932, Pantos Theodoros është një nga emrat më të rëndësishëm të pikturës greke. Me një fëmijëri të kaluar gjatë Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1947, ai nis të studiojë vizatim në Oukidis, për të vijuar më pas studimet për arte në Akademinë e Arteve të Athinës. Piktura ishte më shumë se një pasion për djaloshin, që sipas tregimeve të Anës, vinte nga një jetë jo shumë e lehtë. I rritur në një familje të thjeshtë greke, e vetmja gjë që ai donte ishte të shndërronte në telajo historitë që dëgjonte. Çdo njeri për të ishte një tablo, pasi çdo njeri ka një histori. Ishte vetëm 23 vjeç kur në vitin 1954 hapi ekspozitën e parë në “Parenthou Gallery” në Roubaix. Katër vjet më vonë, Pantos do të udhëtojë drejt Parisit për t’iu bashkuar kafeve të famshme të artistëve, ku nis të zërë miqësi dhe me Pikason. I tërhequr ndaj figurës femërore, ai kërkon të eksplorojë nudon moderne, duke bërë shumë personazhe të rëndësishme të kinemasë së kohës të pozonin për të. Ana kujton se në arkivin e tij, shpesh gjente personazhe të njohura të ekranit që kishin pozuar për të, si Brigitte Bardot me të motrën Marie. Mes tyre, një dashuri të hershme të Pantos, me të cilën kishin jetuar muaj të tërë në Paris. Në vitin 1965, Theodoros është pjesëmarrës në edicionin e katërt të Bienales së Parisit, ku u vlerësua nga kritika. Pas Parisit, i riu grek do të hapë ekspozita të ndryshme në Itali, SHBA, Gjermani ose Belgjikë. Deri në vitet ’90 Pantos do të hapë më shumë se 30 ekspozita personale në Greqi. Profesor i estetikës dhe dizajnit, kontributi i tij është dhe në fushën e mësimdhënies. Pantos i përket asaj plejade artistësh që jo vetëm krijuan, por hodhën dhe ide mbi estetikën në art. Në vitin 1977, libri i tij “Kostumi”, do të sillte një tjetër koncept mbi nudon. I tërhequr nga arti i piktorit francez, Paul Signac (mik i Claude Monet), Pantos do të përkthente në greqisht një nga librat më të njohur të tij “Nga Eugene Delacroix në Neo-impresionizëm”. I botuar për herë të parë më 1898, libri është një udhëtim në historinë e artit të shekullit XIX. Nëse sheh nudot e Pantos, ndien ngjyrat e Signac në to, duke shkrirë atë çfarë ai ia jepte natyrës në trupat femërorë. Në vitet ’90-të Pantos do të botonte studimin e tij “Koncepti i ngjyrave, perceptimi, ndjeshmëria dhe praktika”, një guidë e mirë për hulumtuesit e arteve pamore. Në vitin 1992, në moshën 60-vjeçare ai do të hapte ekspozitën “Retrospektivë” në galerinë e njohur “Titanium”. Me një karrierë mbi 40-vjeçare, kjo ekspozitë nuk ishte thjesht një udhëtim në artin e një prej protagonistëve më të rëndësishëm të pikturës greke, por dhe në historinë e artit, i cili kishte pësuar ndryshime. “Pantos Theodore” është thellësisht i vetëdijshëm për sekretet e artit të tij, një mjeshtër i kuzhinës së artit, një dashnor i formave, dhe harmonisë të së fshehtës”, shkruan kritika për të. Një melankoli e lehtë dallohet në punët e tij, duke mos fshehur ndjenjën e tij të pazakontë të humorit. Puna e tij është e pazakontë, ajo na turbullon. Nga njëra anë ai na fton të shohim mjeshtërinë e tij dhe lidhjen e fortë që ai ka me traditën, duke krijuar një dialog mes modernes dhe traditës. Ironik ndaj fenomeneve të ndryshme sociale apo politike, Pantos me elegancën e një mjeshtri ironizoi sistemet përmes këmbëve të një gruaje. “Dori” ashtu siç e thërriste Ana dhe miqtë i pëlqente të bënte një jetë të thjeshtë. Ai u largua në heshtje nga jeta në vitin 2013, vetëm pak muaj pasi Ana erdhi bashkë me familjen për të jetuar në Shqipëri. “Nëse ti ikën, unë do të vdes”, kujton Ana sot fjalët e tij, si një fjali që i vjen shpesh në mendje sa herë sheh tablotë e tij. Në vitet e fundit të jetës ajo ishte gjithçka për të. Njeriu që kujdesej deri në detajet më të vogla për shëndetin e tij. Njeriu të cilës ai i besonte, ashtu me intuitën e një artisti që di të shohë vlerat e vërteta. Për piktorin e njohur grek, Manos Stefanidis, Pantos Theodoros jetoi si një bohem prometian. “Pantos u largua në mënyrë modeste nga jeta. Më kujtohet takimi për herë të parë me të diku në vitet ’70 dhe që atëherë do të hipnotizohesha nga mënyra sesi ai e bënte artin. Ai ishte mësuesi im dhe pavarësisht mosmarrëveshjeve tona të vazhdueshme ai ishte një mjeshtër në fushën e estetikës. Indiferent ndaj zyrave, ai jetoi jetën e një aristokrati me shpirt revolucionar. Historia do ta vendosë artin e tij mes surrealizmit dhe realizmit kritik dhe do të mbetet gjatë një dishepull i pikturës sonë”, do të shprehej Stefanidis për shtypin grek pas vdekjes. Pantos di të shohë përtej ekstravagancës dhe erotizmit, duke e kthyer këtë të fundit në një mjet për të kritikuar fenomene të ndryshme të jetës. Nudot e tij nuk janë thjesht nudo, por imazhe përmes së cilave mund të gjesh kuptimin e së tashmes… Pas çdo pikture ai shënonte në një fletë historinë e femrave që pozonin për të. Historia e tyre, shpesh e trishtë ishte e vërteta që Pantos, donte ta jepte ashtu zhveshur si një nudo. E ndërsa kritika greke, por dhe ajo e artit ndërkombëtar do ta kujtojë gjithnjë si artisti që përsosi estetikën, Ana kjo vajzë shqiptare do ta kujtojë si njeriun që e mësoi të shihte gjithnjë dritën në jetë dhe atëherë kur ajo ishte fshehur thellë në horizont. Pikturat që tashmë i mban në shtëpinë e saj në Tiranë, do ta bëjnë gjithnjë të shohë përpara, për të prekur orët e bukura të jetës.

"Shqip" 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.