Dashuria ceremoniale për ambasadorët!

Postuar në 15 Tetor, 2015 17:47

Ne si vend kemi një raport të veçantë me ambasadorët e huaj, ndoshta kjo e trashëguar që prej themelimit të shtetit shqiptar në vitin 1912. Kanë qenë më së shumti ambasadorët që kanë zgjidhur kriza, por edhe që kanë nxitur kriza në një shtet joserioz si Shqipëria në periudha të ndryshme të historisë së saj moderne. Marrëdhënia e politikës shqiptare me disa prej tyre kalon kufijtë e kortezisë. Përballemi jo rrallë me akte dashurie për ambasadorët e huaj që nuk ngurojmë t’i shprehim publikisht dhe zyrtarisht me ceremoni që u dedikohen largimit të tyre nga Shqipëria. I fundit që po na lë është ambasadori i Italisë Massimo Gajani. Edhe ai po largohet me një medalje nga Shqipëria: “Për Merita të Veçanta Civile” dhënë nga presidenti i Republikës, Bujar Nishani.  Motivacioni; “Në vlerësim të veprimtarisë diplomatike dhe kontributit të tij të çmuar në përparimin e gjithanshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe zbatimin e suksesshëm të Partneritetit Strategjik mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Italiane; për mbështetjen e pakursyer të procesit të integrimit evropian të vendit tonë; për ndihmën efikase në avancimin e reformave kyçe, përfshirë luftën kundër krimit të organizuar dhe reformën në drejtësi; si dhe për forcimin dhe pasurimin e mëtejshëm të shkëmbimeve kulturore mes dy popujve tanë”.

Falënderimi për ndihmën që na kanë dhënë të huajt mund të nderojë ata, por nuk na nderon shumë neve si politikë dhe shoqëri. Mund të kemi defiçenca në rrugën tonë drejt demokratizimit, por në 25 vjet të kësaj përpjekjeje, ambasadorët kanë merituar një vëmendje ndoshta më të madhe nga sa e kanë merituar.

Për të mbështetur dekoratën e dhënë për ambasadotin Gaiani Presidenti i Republikës ka sjellë në vëmendje edhe një fakt: Pritjen bujare e dinjitoze të emigrantëve shqiptarë në vitet e para post-komuniste, kushtet dhe mundësitë e krijuara për mijëra të rinj shqiptarë që të ndjekin studimet në Itali, si dhe ndihma e gjithanshme ekonomike, financiare e teknike.

Se ç'rol ka patur Gajani në gjithë këto mirësi, vetëm Nishani mund ta kuptojë. Ai ka në dorë të japë dekorata dhe medalje të mirënjohjes në emër të popullit shqiptar që ndoshta është i vetmi që ambasadorët e huaj i njeh më mirë edhe se kushërinjtë e vet.

 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.