Shqiptarin gjithmonë e ka penguar vetvetja

Postuar në 13 Tetor, 2015 15:17
Ndriçim Kulla

‘Në qoftë se lexojmë disa nga analizat e spikatura të mendimtarëve tanë të shquar si “Probleme Shqiptare” të Mehdi Frashërit, “Shqiptarët: Çelësat për të kuptuar jetën dhe natyrën e tyre” të Faik Konicës, “Organizimi i kaosit” dhe “Problemaciteti shqiptare” nga Branko Merxhani, “Plagët tona” nga Lumo Skëndo, “Pesë anarkitë” nga Noli, “Orientalizëm apo oksidentalizëm” nga Krist Maloki, “Zgjimi i vonuar i Shqiptarëve” nga Stavro Skëndi, “Njëmendësia shqiptare” nga Nebil Çika apo pjesë të veçanta nga Eqerm Bej Vlora, Vangjel Koça, Tajar Zavalani, Anton Harapi, konstaton se krizat që ne shqiptarët kalojmë i dedikohen edhe të kaluarës sonë historike, gjeografike dhe shpirtërore. Siç thotë edhe Mehdi Frashëri në librin e tij “Probleme shqiptare”: “Otomanët ikën nga Ballkani, por për fat të keq, si populli më i mbramë i Perandorisë provuam padrejtësitë më të mëdha dhe pasojat më të rënda”. Sundimi pesëshekullor i Turqisë, një sundim nga më të zinjtë që ka njohur historia e botës, që e myku shpirtin e shqiptarit duke ia shtuar të metat dhe duke ia pakësuar virtytet. Ajo jetë bashibozuku, në një rrojtje kur shitej jeta për një kacidhe, duke i marrë shpirtin tjetrit, për më tepër akoma i mësoi që të mos e duan ligjin, të mos e njohin e të mos i binden atij, duke i stërvitur dhe imponuar shqiptarët që të bëjnë një jetë me rrëmbim. Duke kapërcyer me sukses diferencat e besimeve, ata arritën që të mos bëjnë i këto kurrë armë kundra njëri-tjetrit siç ëndërronin armiqtë e shqiptarëve, por me tolerancën e tyre e shpunë këtë besim deri në atë vëllazëri gjaku, që në të vërtetë e tillë ishte. Por shqiptarin trim, luftëtar, artist, punëtor dhe mendjemadh në histori e ka penguar vetvetja. Shumë beteja të pareshtura në luftë me armikun i ka fituar dhe humbur vetë duke qenë, siç thotë dhe Faik Konica, armik i vetvetes. Dhe kur hyn brenda në “shtëpinë” e shqiptarit, ndjen dramat e rënda të jetës së tij, kupton të metat individuale të shqiptarit, plagët e së kaluarës së tij historike nga të cilat vazhdon që të rënkojë edhe sot, kupton arsyet e prapambetjes që vazhdon t’i ketë. Drama e rëndë e gjakmarrjes, një nga plagët më të rënda sociale, e cila ka qenë gjithmonë një faktor i fortë që ka frenuar zhvillimin e jetës shqiptare në të gjitha drejtimet.

Mungesa e ndjenjës së bashkëpunimit me njëri-tjetrin mbeti gjithmonë një nga plagët tona që shoqëroi jetën shoqërore të shqiptarëve, të cilët që mbas betejave me Skënderbeun, me ndonjë rast të rrallë, nuk kanë qenë kurrë si duhet aleatë me njëri-tjetrin. Mendimi politik i tyre përgjithësisht mbeti tek individualiteti dhe rrallë e me vështirësi të mëdha u bë kolektiv. Kontrasti në statusin midis myslimanëve dhe vëllezërve të tyre kristianë si një forcë përçarëse, që vinte nga pushtimi shekullor, provoi forcën dhe ndërgjegjen e shqiptarëve për ta kapërcyer, ndërsa individualiteti, kjo veti e brendshme e tyre e krijuar në shekuj nga rrethanat historike, politike dhe sociale mbeti dhe për fat të keq, edhe tek bashkëkohësit tanë dhe po e shoqëron për keq edhe sot shoqërinë shqiptare në të gjitha drejtimet e jetës. Natyra e tyre e veçantë individualiste, mbrujtur nga shkaqe të vjetra historike dhe gjeografike, u ka imponuar një jetë të veçuar duke mos u bërë i vetëdijshëm për fitimin e lirisë politike në kohën e duhur dhe për ndërtimin e një shteti të fortë për të realizuar aspiratat e tij qytetëruese, kulturore dhe ekonomike.

Kur përvetëson mirë Eposin tonë të Kreshnikëve mes luftës vigane që bëjnë heronjtë kundra armikut për të mbrojtur trojet, ndjen shpirtin e veçuar dhe delirant të shqiptarit. Tek pjesa e gjashtë “Muji dhe Behuri” sheh një fotografi të gjallë të shpirtit shqiptar individualist. Në shumë rapsodi të ciklit hetohet lehtë një e metë e veçantë brenda personalitetit të shqiptarit, që është mungesa e solidaritetit në caktimin e marrëdhënieve të përbashkëta, të nevojshme për caktimin ose krijimin e një personaliteti kolektiv, që të përfaqësojë jo individualitetin e vetes, por përgjithësisht të kombit shqiptar. Duke kërkuar shkakun e vërtetë të këtij “caracteristiumi” të psikës së shqiptarit, ne e gjejmë atë në rrethana topografike, historike, etnografike dhe politike, në mes të së cilave u lind dhe u rrit vetja shqiptare.

Natyra individualiste atij iu lind dhe iu krijua gërxheve dhe maleve ku u detyrua të jetonte. E ku do ta gjente apo do ta kuptonte vallë ngrohtësinë dhe rëndësinë e jetës kolektive një bark, një fis, një mëhallë apo një katund shqiptar nëpër maja e gërxhe? Jeta e veçuar sigurisht që e bën njeriun egoist dhe lakmitar. Si njeri i maleve, shqiptari ka pasur mjaft energji dhe zgjuarsi. Ka pasur një aristokraci të vërtetë të maleve, zakone fisnike, petk aristokratik, sjellje bujare e inteligjencë natyrale. Po jeta e lakmia patriarkale, smira dhe egoizmi i tepruar ia frenuan gjithmonë zhvillimin e ndjenjës kolektive dhe solidaritetit.

Ndryshe nga shumë të tjerë që orientalizmën shqiptare e shpjegonin vetëm si dhuratë të turqve, Krist Maloki këtë orientalizëm e gjeti 600 e ca vjet më parë se turqit të pushtonin Shqipërinë. Orientalizma shqiptare, – shprehet ky autor, – i ka rrënjët aty nga vitet 740, kur Shqipëria u bë pronë e Bizantit në Leonin e III-të të quajtur Isaurios. është koha kur shqiptarët u detyruan nga Isaurios të dilnin nga Kisha Romake (oksidentale) e të futeshin në labirinthet e errëta të Kishës Bizantine (orientale) të atëhershme. Për të nuk ishte aq e fortë dhe me peshë ndarja kishtare sesa ai shpirt skëterrë i administratës bizantine. Midis bizantizmës historike dhe orientalizmit shqiptar qëndron shenja e barazimit. Orientalizmi ynë është një dhuratë fatale e kristianizmit euro-aziatik. Me këtë origjinë, ajo shkatërroi vetitë e larta ndërmjetësuese-kolektiviste, marrëdhëniet e shqiptarit me shqiptarin, dhe marrëdhëniet e shqiptarit me shtetin dhe eprorët e tij. Bizantizma historike si një epidemi rrënimtare e shkatërroi dhe e deformoi karakterin e drejtë të shqiptarit.

Idealet e qeveritarit orientalist shqiptar sot janë kolltuku dhe copa. Për t’i siguruar vetes këto të mira ai po përdor çdo mjet. Kur ia do nevoja bëhet patriot dhe tradhtar, monarkist e bolshevik, përparimtar e reaksionar. Detyrë të ndershme apo sakrificë karshi botës nuk njeh fare. Përkundrazi, kjo shushunjëz orientale e pangopur i është ngjitur trupit kolektiv dhe shoqëror dhe po ia thith gjakun pa ndroje dhe pa skrupull. Dhe në vend që të turpërohet për veprën shkatërrimtare politikani shqiptar sot bëhet më kryelartë, më kapadai, më qejfli dhe siç thoshte Krist Maloki dikur, po i bie karadyzenit.

Qeveritari i sotëm shqiptar është i zoti për të gjitha turpet. Vret, vjedh, shet, gënjen, bën gjithçka që të mos i shkojë kungulli mbi ujë. Bota për të është një burim i pareshtur mjetesh, qejfesh e lezeti për të cilat ai shfrytëzon çdo mënyrë dhe çdo metodë, pa pyetur se ku shkon dhe ku vret. Drogë, krim, vjedhje, prostitucion brutalitet dhe anarki shtetërore. Vendi ynë sot quhet vrima e zezë e Evropës dhe më e keqja është se kjo damkë vjen prej qytetërimit që ne duam të shkojmë dhe me ndihmën e të cilit shpresojmë që të zgjidhim problemet tona kombëtare dhe rindërtuese.

Fan Noli tek “Pesë anarkitë” na ka dhënë një pasqyrë të gjallë të dobësive tona si individë dhe si burra shteti. Ai vuri gishtin mbi plagët tona shekullore. Në pak radhë ndjen të përjetësuar shpirtin e shqiptarit, të edukuar keq, të rritur keq dhe të udhëhequr keq. Secila nga këto është një pikturë e gjallë e shpirtit të tij.

Anarkia fetare, anarkia sociale, anarkia patriotike, anarkia morale dhe anarkia e idealeve. Pesë anarkitë. Këto janë pesë gropat tona që qëndrojnë të hapura edhe sot e kësaj dite që na penguan dhe na pengojnë të ecim përpara, të qytetërohemi, të shkojmë përpara e të arrijmë shokët.

Lufta për shërimin e tyre dallohet nga të tjerat nëpër drejtimin e saj kundra një armiku të padukshëm, i cili është shumë i rrezikshëm për qenien tonë si komb. Kjo luftë i drejtohet armikut të zemrës së shqiptarit. është një luftë mendimi krijues kundra një mendimi destruktiv, është një luftë botëkuptimi drite kundra një botëkuptimi errësire, është lufta e “oksidentalizmit shqiptar” kundra “orientalizmit shqiptar”. Në këto dy fronte armiqësore, nga të cilat njëra palë lufton për përparimin dhe tjetra për regres, jeta jonë po hiqet ende zvarrë.

Në rrembat tona rrjedhin shumë hidhërime dhe helme, gjurmë të prishjes së robërive e të tronditjeve historiko-shoqërore. Por përpara se çdo individ qoftë mjek, shkrimtar, mësues apo shkencëtar të organizohet nëpër shoqata apo diku tjetër, ai duhet të ketë ndërgjegjen për t’u organizuar brenda vetes së tij, për t’u bërë qytetar shqiptar i aftë të ndërtojë instrumentin e domosdoshëm që do ta udhëheqë në sfidat e ardhshme qytetëruese dhe zhvilluese: shtetin, diellin e qytetërimit tonë, siç e quante Branko Merxhani. Koha e marrëdhënieve shqiptaro-veneciane është një fakt historik, që shpreh një trashëgimi me vlerë, të cilën ne e kemi pasur si individ dhe si organizim shoqëror. Atëherë, pse të mos e nënshtrojmë apatinë gati disashekullore që na ka zënë? Atëherë, pse të mos frymëzohemi dhe ta ringjallim në mënyrë krijuese vetveten tonë, duke ua përshtatur kushteve tona të sotme energjitë që kemi dhe që më së shumti i harxhojmë jo për krijim?

A nuk mund të grumbullohen bashkë, poezia, idetë, zanatet, aftësia, fantazia dhe krijimtaria e gjithsecilit, dhe të ndërtojmë së bashku faltoren e përbashkët të idealizmit shqiptar, për të ndërtuar dhe zhvilluar vendin tonë të përbashkët?

Shpesh, kur busulla e brezit tonë në shumë raste e ka humbur orientimin, i jemi drejtuar Rilindjes Kombëtare, atyre idealistëve të mëdhenj, duke i falenderuar ndërkohë për frymëzimin, sigurinë dhe orientimin që na dhanë. Në një realitet të zymtë që njerëzit të shpëtojnë atdheun nga politikanë kusarë, sharlatanë dhe të armatosur me mllefe, duhet t’i rikthehemi sërish trashëgimisë sonë mendore. Qysh në vitet 1910-1944, mendimtarë të tillë si Mehdi Frashëri, Faik Konica, Lumo Skëndo (Mid’hat Frashëri), Fan Noli, Branko Merxhani, Zef Valentini, Krist Maloki, Anton Harapi, Vangjel Koça, Tajar Zavalani e të tjerë, shprehën të njëjtat shqetësime e shtruan të njëjta pyetje. Përgjigje në kuptimin e ngushtë të fjalës sot u janë dhënë mjaft nëpër shtyp, nëpër kafene, apo edhe nën zë përtej arkapijave, por fakti që problemet tona mbetën të njëjta dhe shumica e tyre të pazgjidhura, na jep të drejtën morale të themi se pyetjeve të tilla nuk iu është kthyer përgjigje.

Rrjedhja e “trurit” shqiptar drejt një mjedisi ku vlerësohet më mirë është një tragjedi që vazhdon shqetësueshëm prej mbi dy dekada.

Ndoshta për ta kuptuar më mirë se ç’grishje prezanton situata do të duhej t’i rikthehemi burimit, atyre pyetjeve të qarta që bënë për t’i zgjidhur të gjithë mendimtarët tanë të shquar dhe tërë trashëgimisë së tyre të vyer kombëtare, ta rivlerësojmë dhe ta përvetësojmë këtë kulturë brilante. Duke e shartuar në mënyrë krijuese me mendimin e sotëm shqiptar dhe botëror, është e natyrshme që ne do t’i kuptojmë më mirë problemet tona që kemi si shqiptarë dhe ta bëjmë më të mundshme zgjidhjen e tyre.

"Mapo"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.