Nis lufta e Crown Agents me doganat: Zbulueshmëria e administratës vëtëm 1%, kemi konstatuar 80 raste korrupsioni në doganë

Postuar në 12 Tetor, 2015 20:17

E kritikuar se nuk ka përmbushur objektivat e kontratës kompania britanike Crown Agents duket se nuk do tërhiqet kollaj nga asistenca në Shqipëri. Në një reagim për mediat ajo fajëson këto të fundit për raportime të pasakta në lidhje me punën e bërë, duke e quajtur të pavërtetë lajmin se Crown Agents do të zëvendësohet nga një kompani gjeorgjiane.

“Raportimet e publikuara nga media gjatë fundjavës përmbanin një sërë pretendimesh tërësisht të pasakta për sa i përket punës së Crown Agents në Shqipëri. Pretendimi kryesor lidhet me supozimin se Crown Agents ka dështuar dhe do të zëvendësohet nga një kompani Gjeorgjiane e quajtur Reformatics. Ne gëzojmë shumë respekt për Reformatics dhe këshilltarët e tyre dhe i kemi ndihmuar me dëshirën tonë gjatë vizitës së tyre të parë në Shqipëri. Ne po ndajmë me ta sa më shumë informacion që të jetë e mundur për t’i ndihmuar në punën e tyre dhe mirëpresim  eksperiencën e çmuar që ata kanë në reformimin e doganave dhe tatimeve. Gjatë fundjavës ne u takuam me Këshilltarin e Reformatics për Doganat dhe besojmë se ishim plotësisht dakord për sa i përket shumë prej çështjeve që duhen adresuar.” –thuhet në reagim.

Më tej Crown Agents  nënvizon se “është tërësisht e pasaktë të thuhet se Programi ynë ka dështuar dhe Ministria e Financave konfirmon se vazhdon të vlerësojnë punën tonë dhe përpjekjet që po bëjmë. Fillimisht, dëshirojmë të saktësojmë se, bazuar edhe tek programi ynë i Përgjegjësisë Sociale, Crown Agents mbetet e përkushtuar ndaj Shqipërisë dhe ndaj arritjes së ndryshimeve të qëndrueshme duke punuar krah për krah me Doganat dhe Ministrinë e Financave.”

Britanikët kanë bërë edhe një vlerësim për punën e administratës doganore shqiptare që sipas shifrave lë shumë për të dëshiruar.

“Për sa i përket zbatimit të ligjit, shkalla e zbulueshmërisë së grupeve tona është 25%, krahasuar me 1%-in e stafit të Administratës Doganore përgjegjës për kufijtë dhe zbatimin e ligjit. Ky është një tregues i qartë i nivelit të vazhdueshëm të moszbatimit të ligjit nga ana e tregtarëve, si edhe i profesionalizmit dhe punës së palodhur të ekipit të Crown Agents në Shqipëri. Kur metodologjia e punës së grupeve operative të Crown Agents do të aplikohet në të gjithë Administratën Doganore, impakti në nivelin e mbledhjes së të ardhurave do të jetë më i qartë. Ne kemi identifikuar gjithashtu 80 raste të verifikuara korrupsioni dhe shpërdorimi brenda Doganave, si edhe kemi mbështetur Administratën Doganore për procedimin disiplinor dhe shkarkimin nga detyra të këtyre individëve.”-theksohet në reagim.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.