Ulni taksat!

Postuar në 11 Tetor, 2015 14:02

Gazeta “Shqip” raporton se biznesi shqiptar dhe ai i huaj që operon në Shqipëri ka përpiluar një paketë kërkesash të cilat ia ka dërguar Ministrisë së Financave me synim marrjen parasysh të tyre në hartimin e paketës fiskale. Duhet thënë se nga paketa e kërkesave që raporton “Shqip” politika fiskale e qeverisë kontestohet gjerësisht dhe me gjasë ajo ka ndikuar në krijimin e një klime jo pozitive. Më poshtë kërkesat e biznesit:

Fasonët: Të mos paguhet tatimfitimi kur bëhet investim në makineri

1. Taksa e ndërtesës të bëhet sa ka qenë; 2. Tatimi mbi pasurinë të jetë zero; 3. Të rregullohet problematika e TVSH-së ndaj nënkontraktorëve; 4. Tatimfitimi të bëhet zero që të investohet në teknologji; 5. Të ulet çmimi i energjisë elektrike; 6. Rimbursimi i TVSH-së të bëhet në kohë.

TVSH-ja për energjinë të ulet nga 20 në 6 për qind. Një problem tjetër që ka dalë në fillim të muajit për fasonët ishte skanimi, i cili ngarkon me tarifë dyfishe materialet transit që sjellin këto kompani.

Të ulet tatimfitimi

Kërkesa më e fortë për uljen e taksave vjen nga Dhoma Amerikane e Tregtisë dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Tiranës. Dhoma Amerikane argumenton se ulja e tatimfitimit do të nxiste riinvestimin e këtyre të ardhurave shtesë, do të ulte evazionin fiskal, si dhe do të rriste investimet e huaja direkte.

Tatimi mbi pagat të bëhet më pak progresiv

Dhoma Amerikane kërkon edhe rishikim të normës së tatimit mbi të ardhurat personale nga paga, në mënyrë që të jetë më pak progresive. “Nuk është e drejtë që një punëmarrës të paguajë tatim mbi të ardhurat personale më shumë sesa një biznes që paguan tatim të thjeshtuar mbi fitimin ose tatim mbi fitimin apo ortakët dhe aksionerët që paguajnë një normë më të ulët të tatimit mbi dividendin”.

Të ulet TVSH-ja e turizmit

Shoqatat e Turizmit dhe Biznes Albania ka kërkuar uljen e TVSH-së së turizmit nga 20 për qind në 10 për qind, kërkesë që ka gjetur përkrahje nga qeveria. Gjithashtu, Biznes Albania ka kërkuar uljen e kostove të shkaktuar biznesit nga koncesionet e skanimit, të pullave fiskale, të markimit të karburanteve dhe kontrollit teknik të automjeteve.

Të hiqet taksa e pasurisë për bizneset

“Biznes Albania” ka kërkuar që taksa mbi pasuritë e biznesit të hiqet. “Nuk ka logjikë që një godinë, e cila prodhon biznes, paguan taksat, tatime, TVSH, të paguajë dhe tatim mbi pasurinë. Kjo do të thotë për kompanitë e fasonëve të paguajnë të gjithë fitimin e tyre”, ka theksuar kjo shoqatë.

Të rritet afati i aktivitetit me humbje

Bizneset e mëdha kërkojnë rritjen e periudhës kohore për mbartjen fiskale të humbjeve nga tre vjet, që është aktualisht në pesë ose shtatë vjet. Sipas tyre do të përmirësonte situatën e tatimpaguesve që kryejnë investime të konsiderueshme. Kjo është një praktikë e njohur në Greqi, Bullgari, Serbi, Turqi.

Të hiqet akciza për lëndët djegëse të industrisë

Me qëllim përmirësimin e konkurrueshmërisë së industrisë vendase, si dhe rritjen e atraktivitetit të vendit për investimet e huaja direkte, sugjerohet revokimi i taksave indirekte mbi lëndët djegëse, në rastin kur ato përdoren në industri. “Kjo do të ishte në linjë me direktivën e BE-së për përjashtim të këtyre lëndëve nga akciza”, theksohet në letrën dërguar Financave.

Pulla e akcizës

Importuesit sugjerojnë që pulla fiskale për pije dhe duhan të grirë (jo cigare), të vendoset në magazinën doganore në Shqipëri. Sipas kërkesës, kostoja e punës për vendosjen e pullave fiskale në Shqipëri është më e ulët, po ashtu hapen vende të reja pune. Aktualisht, vendosja e pullave fiskale për pijet dhe duhanin e grirë është e detyrueshme që të bëhet te furnitori jashtë shtetit, gjë që rrit kostot e importit.

Amortizimi i mjeteve

Për qëllime të llogaritjes së tatimit mbi fitimin, Dhoma Amerikane propozon që, amortizimi i llogaritur dhe regjistruar nga tatimpaguesi në pasqyrat financiare të jetë shpenzim i pazbritshëm, por ky i fundit të ketë të drejtë të zbresë nga fitimi i tatueshëm një shpenzim tatimor të llogaritur për çdo vit në bazë të vlerës historike: për ndërtesat 5%; për linjat teknologjike dhe makineritë 10%; për pajisje informatike 33.3%; për të tjerat 20%.

Riciklimi i ambalazheve plastike

Nga Dhoma Amerikane sugjerohet që në ligjin “Për taksat kombëtare”, taksa për ambalazhet njëpërdorimëshe të prodhuara me material të ricikluar nga mbetjet plastike të gjeneruara në vend, të jetë 1 (një) lekë / kg, një vlerë kjo simbolike dhe që mund të përdoret për efekt statistikor. Aktualisht kjo taksë është 100 lekë / kg. Deri tani nuk ka pasur përgjigje zyrtare, por vetëm premtime të bëra për pika të veçanta. Ministria e Financave pret që të kryejë takimin e radhës me FMN-në para se të nisë negociatat me grupet e interesit për paketën fiskale.

Të liberalizohen faturat me TVSH

Të liberalizohet lëshimi i faturës kompjuterike me TVSH-në, rekomandon Dhoma Amerikane. Plotësimi me shkrim dore në një kohë të tillë të dixhitalizimit krijon kosto të panevojshme për biznesin. Legjislacioni për TVSH-në parashikon “faturën elektronike”, ndërkohë që, aktualisht nuk pranohet fatura e printuar, e vulosur dhe e firmosur nga palët. “Theksojmë se në mënyrë arbitrare, blerja e faturave tatimore është kthyer në një nga masat e mbledhjes me forcë të detyrimeve”, shprehet Dhoma Amerikane.

Tregtarët e cigareve ankohen për Tatimet

Operatorët kryesorë në tregun e cigareve, anëtarë të Dhomës Amerikane, shprehin shqetësim në lidhje me disa dispozita të udhëzimit për TVSH-në që janë të pazbatueshme. Sipas udhëzimit, importuesi duhet “të detyrojë” mijëra shitës me pakicë, që në raste ndryshimi çmimi (që kryesisht ndodh kur rritet akciza nga shteti), t’i raportojnë gjendjen e mallit cigare (në dyqanet apo magazinat) dhe ky i fundit të llogarisë, deklarojë dhe paguajë sipas rrjetit me pakicë, në datën e ndryshimit të çmimit.

“Shqip”

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.