Rrënimi "i programuar" i Kapitalit Njerëzor

Postuar në 09 Tetor, 2015 19:35
Ilir Sinanaj
Kapitalizmi është rendi shoqëror njerëzor që ka dhënë prova se është më i suksesshmi, deri më tani. Kjo jo vetëm për faktin se ky sistem është përqafuar nga pjesa dërrmuese e qeverisjeve të popujve të ndryshme, por sepse kapitalizmi është pjesë e të tërës biologjike të njeriut. Në vetvete kapitalizmi është thjesht përpjekja racionale e njeriut për të plotësuar dëshirat e tij duke prodhuar si materiale ashtu edhe ide. Dhe dëshirat e njeiut janë të pafundme. Kapitalizmi ideal është pikërisht ai mes i artë racional, i cili mundëson që ndërveprimi i gjithë njerëzimit, me burimet natyrore të planetit, të plotësojë dëshirat e pafudme të njeriut. Politikat qeverisëse më të suksesshme janë pikërisht ato që krijojnë infrastrukturën e nevojshme drejt kapitalizmit ideal. Metafora e përpjekjes njerëzore për përmbushjen e dëshirave të pafudme, materializohet me vetë përkufizimin e kapitalizmit, si vijon. Në kapitalizëm, kapitalisti investon kapitalin për të nxjerrë përfitime, të cilat i investon për të nxjerrë përfitime akoma më të mëdha, e kështu deri në pafundësi. Në kuadrin e ekonomisë së tregut të lirë, çdo njeri është një kapitalist, i cili investon për të nxjerrë përfitime. Nga këtu dalim në 2 përkufizime interesante të ekonomisë. Përkufizimi i parë: Menaxhimi i burimeve të rralla. Përkufizimi i dytë: Veprimtaria e punës e krijuar, në mënyrë që të plotësohet një dëshirë apo kërkesë e paplotësuar. E gjithë kjo sa u tha më lart nuk është gjë tjetër përveç se puna e vetë njeriut për njeriun, për të përmbushur dëshirën e mirëqënies, në një mjedis, ku i mundësohet qëndrueshmëria e kthimit të fryteve të investimeve, qofshin këto në vlerë monetare, materiale apo ideore. Prandaj njeriu është burimi më i rëndësishëm i një rendi shoqëror dhe elementi kyç i kapitalizmit. Por çfarë ndodh kur njeriu nuk ështtë më pjesë e ekuacionit? Dështim ekonomik dhe për rrejdhojë i mirëqënies. Po në Shqipëri, çfarë po ndodh me njeriun?
 
Njeriu shqiptar
 
Fuqia krijuese dhe prodhuese e njeriut shqiptar është bllokuar. Për vitin 2015 organizata prestigjioze “World Economic Forum”, në bashkëpunim me kompaninë ndërkombëtare të konsultimeve financiare “Mercer”, përpiluan Raportin e Treguesit të Kapitalit Njerëzor. Në këtë Raport (nga 124 vende të studiuara), Shqipëria u rendit në vendin e 66-të, që në shkallë ballkanike ishte në vendin e fundit. Në raporitn për vitin 2013 për Treguesin e Kapitalit Njerëzor, Shqipëria renditej në vendin e 72-të në shkallë botërore (nga 122 vende të studiuara), por në vendin e parafundit në shkallë ballkanike. Pra vendi ynë u përkeqësua në renditje në krahasim me vendet e rajonit.
 
Ndërkaq, fenomeni që nisi të thellohej se terpëmi në vitin 2011 (sipa shifrave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara) dhe mori përmasa të mëdha (dhe vazhdon akoma) është largimi i shqiptarëve jashtë vendit në kërkim të azilit. Argumenti i qeverisë për të mos u larguar nga Shqipëria në formën e kërkimit të azilit, me sa jepet të kuptohet nga media, është për të mos ndikuar negativisht në procesin e integrimit në Bashkimin Evropia! Por asnjëherë në argumentat e qeverisë nuk është dhënë një deklaratë besimi për potencialin njerëzor që ka Shqipëria. Asnjëherë në argumentat e qeverisë nuk është vënë në pah nevoja për energjinë dhe trurin e të gjithë atyre shqiptarëve që përpiqen të jetojnë dhe të punojnë me punë të ndershme në Shqipëri. Të paktën me sa kemi parë dhe dëgjuar në media. Po kështu as opozita nuk e vë në pah e me largimin e shqiptarëve nga Shqipëria, mbi të gjitha rrezikohet zhvillimi i qendrueshëm dhe ekonomia. Ndërkaq, opozita "i gëzohet" shifrave alarmante të të ikurve nga Shqipëria dhe gjen rastin për të brohoritur opizatarizmin, pa dhënë asnjë zgjidhje se si të veprojmë për t'u dhënë mundësi shqiptarëve të shpalosin energjitë e tyre krijuese dhe prodhuese në Shqipëri. Të paktën kështu duket në media. Nga ky "pakt i heshtur" midis mazhorancës dhe opozitës (që japet të kuptohet nga media), për të mos dhënë strategji konkrete për kanalizimin e energjive krijuese dhe prodhuese të shqiptarëve në shërbim të mirëqënies, gjë që është në kundërshtim të plotë me dispozitat e kapitalizmit të shpjeguara më lartë, dalim në të vetmin përfundim të mundshëm: rrënimi "i pragramuar" i Kapitalit Njerëzor për të mbytur konkurrencën e ndershme për të kaluar në një stad më të mirë menaxhimi të burimeve të vendit, nga kasta aktuale e politikës dhe sipërmarrjes (që është një zgjatim i politikës në shumë raste).
 
Premtimi për punësim...edhe jashtështetit 
 
Treg i lirë do të thotë se ke mundësi të zgjedhësh të punosh qoftë në vendin tënd, qoftë në një vend tjetër. Ndërkaq, një qeveri normale, në programin e saj, ka për detyrë të mundësojë sa më shumë kushte, që ata shtetas të qeverisur prej saj, të shterrojnë çdo mundësi për të krijuar dhe prodhuar në vendin e tyre, si zgjedhje e parë. Ndërsa në Shqipëri, puna është pak më ndryshe. Le të marrim një pjesë të një fjalimi të kryeministrit të Shqipërisë,Edi Rama, pak ditë më parë, ku foli për 250 shqiptarë, të cilët do të trajnoheshin në spitale gjermane, për të punuar më tej në Gjermani. Pikë së pari duhet vlerësuar strategjia e epërme e Gjermanisë për të mbledhur Kapitalin Njerëzor nga e gjithë bota. Ja pse ky vend është një superfuqi botërore. Pikë së dyti do të shohim problematikën, në kuadër të kapitalizmit, në retorikën politike të kreut të qeverisë.
 
...Me statistikat zyrtare të shtetit gjerman, 61% e spitaleve apo e klinikave në Gjermani kërkojnë infermierë shtesë. Kërkesat janë në rritje progresive, vit pas viti. Këtë kemi pasur parasysh, kur kemi ndërmarrë këtë reformë. Atyre që na tregojnë me gisht se ç’po bëjmë ne për fenomenin e shfaqur të azilkërkimit, ne ju themi: “qoftet tek daja” mbaruan. Daja mund të rrijë dhe të bëjë qofte për vete dhe çunat e gocat e SHQUP-it, por jo t’u tregojë më shqiptarëve, që të kthehemi tek koha e qofteve. Ajo kohë e qofteve dhe e shtetit të qoftes na la ne në këtë katandi, ku e gjetëm vendin dy vite më parë.
Largpamësia jonë ka qenë kjo, që sot jemi gati. Sigurisht që 250 infermierë apo infermiere që do të dalin nga ky kurs dhe do të shkojnë të punësohen në Gjermani nuk do të zgjidhin problemin e të gjithë atyre që duan të shkojnë dhe të punësohen në Gjermani, por janë shembulli kuptimplotë se ka një rrugë për t’u punësuar në Gjermani, ka një rrugë për të realizuar ëndrrën e të jetuarit me punë të ndershme në Gjermani apo vende të tjera të BE-së, por përfshi edhe vende jashtë BE-së. Janë të gjithë vendet e pasura të Gjirit që kërkojnë të punësojnë infermiere dhe një sërë profesionesh të tjera. Në botën e hapur ku ne sot jetojmë, mundësitë janë të pafundme, por për t’i shfrytëzuar ato mundësi duhen përgatitje dhe hapësira për të pasur në dorë dokumentin që i garanton punëdhënësit gjerman, kapacitetin e plotë të punëkërkuesit që vjen nga Shqipëria, nga rajoni apo ngado qoftë...", - ishte pjesë e fjalimit të z. Rama.
 
Ai mesazh që merr një intelktual apo profesionisti shqiptar nga ky prononcim i kryeministrit është se, në mendimin tim, pika kulminante e mirëqenies barazvlen me largimin nga Shqipëria. Pra trumbetohet arritje që 250 infermierë të rinj shqiptarë (presupozohet se janë më të mirët dhe jo më kot po zgjidhen nga Gjermania) do t'i mungojnë Kapitalit Njerëzor të vendit tonë. Kryeministri jep shifra për nevojat e punësimit në Gjermani në sistemin shëndetësor të atjeshëm. Po nevojat për punësim në sistemin shëndetësor shqiptar sa janë? Kur më të mirët ikin jashtë, çfarë ngelet për Shqipërinë? Çfarë po bëni ju kryministër që këta të rinj profesionistë të mendojnë vetën disa nanosekonda për të konsideruar alternativën e të qendruarit në Shqipëri? Sepse e vërteta është se pak janë ata njerëz, të cilë do të donin të largoheshin me mijëra kilometra, me vite të tëra, nga vatra familjare për të plotësuar një ëndërr. Duke iu referuar ëndrrës për të punuar dhe jetuar në Gjermani, po me ëndrrën për të punuar dhe jetuar në Shqipëri çfarë po bëhët? Z. Rama guxon dhe flet më tej për tregun global të punësimit. Me sa di unë ai është zgjedhur për të krijuar mjedisin e nevojshëm për të mundësuar kanalizimin e energjive krijuese dhe prodhuese të shqiptarëve këtu në Shqipëri dhe jo të të kthehet në një njoftues vendesh pune të lira në shkallë botërore!!! Dhe sigurisht, pas dy vjetësh qeverisje, nuk ka si të mungojë ajo pjesë që fajin e ka "SHQUP"-i. Por edhe ata të "SHQUP"-it, kanë faj: nuk po reagojnë për të dhënë strategji të qënësishme, në mënyrë që Kapitali Njerëzor shqiptar të mos largohet!!!
 
Fjalimin e tij kryeministri Rama e mbyll duke folur për vazhdimësinë në reformat e ndërmarra (dhe për hir të së vërtetës disa reforma kanë nisur të zbatohen) e duke vënë në pah sakrificën e prindërve shqiptarë për të edukuar fëmijët e tyre. "E fakti që reformat tona kanë një mbështetje kaq të madhe vjen për një arsye shumë të thjeshtë; Jo sepse ne jemi të rënë nga qielli, as sepse ne jemi shumë bindës, por sepse janë vetë shqiptarët të bindur, janë prindërit të bindur që nuk mund t’i investojnë më kursimet e tyre, sakrifica dhe vite pune pa fund, për t’ju dhënë fëmijëve diploma që në fakt janë si ato letrat që mbështillnin qoftet", - përfundonte kreu i qeverisë.
Po një pyetje shumë modeste, nga mendja ime "e keqe": Kush është ai prindër shqiptarë që sakrifikojnë për të rritur dhe arsimuar fëmijët e tyre me 1001 mundime, e më pas "ëndërrojnë të lumtur" që këta fëmijë të jetojnë për pjesën tjetër të jetës mijëra kilometra larg tyre me vite të tëra?!...
 
Më shumë se sa zëmëratë apo tërbim, koncepti i kryeministrit Rama për strategjitë zhvillimore (me sa u po shohim deri më tani nëpërmjet medias dhe ndjenjës ndër qytetarë), që do të zhbllokonte aftësinë krijuese dhe prodhuese të njeriut shqiptar, ngjall dhëmbje të thellë. Kjo sepse z. Rama nuk është as "i ardhur" nga mali, e as nga moçali, por është "çun qytetar"... Megjithatë njeriu ka vullnetin e lirë në të vepruar. Nëse kjo qeveri dështon të japë zgjidhje të qënësishme problematikës të lidhur me Kapitalin Njerëzor, në prizmin e kapitalizmit, ato "1 millionë shuplaka" që i mori qeveria e kaluar, nuk do të ishte çudi që të ktheheshin në një bumerang drejtuar jo vetëm qeverisë aktuale, por të gjithë kastës politike aktuale: Mazhorancë-Opozitë. Sepse në kapitalizëm kurrë nuk dështon prodhimi, dhe fajin e kanë aktorët që kanë në dorë prodhimin. Dhe aktorët janë plotësisht të zëvendësueshëm! Koha do ta tregojë...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.