Përse u mundëm me Serbinë dhe a mund të fitojmë me Armeninë?

Postuar në 10 Tetor, 2015 18:45

Për humbjen e kombëtares sonë të futbollit me Serbinë kanë folur e shkruar shumë – ca që kanë qenë e ca që s‘kanë qenë ndonjëherë në një stadium futbolli. Meqë jemi pranë sfidës me Armeninë, që është edhe ajo tejet e rëndësishme për kombëtaren tonë, po shkruaj edhe unë disa rreshta, si një njeri që ka filluar të shkojë në stadium qysh në moshën 6 vjeç dhe që të enjten ne Elbasan ishte vetëm disa shkallë sipër bankinës së ekipit tonë.

Në letër, ekipi serb ishte 5 herë më cilësor se i yni, në qoftë se marrim për bazë vlerat e kartonave të lojtarëve respektivë – 150 milionë euro vs. 30 milionë euro. Duke e ditur këtë gjë, trajneri ynë, Gani Abazi, futi në fushë një formacion me vetëm një sulmues të mirëfilltë – të gjithë lojtarët e tjerë të atij formacioni luajnë në klubet e tyre ose si mbrojtës, ose si mesfushorë të tërhequr.

Dhe, ashtu siç ka bërë në ndeshjet me Portugalinë, Danimarkën, Italinë e Francën (ekipe shumë superiorë në letër), ekipi ynë luftoi fort në mesfushë dhe mbrojtje, për të mos lejuar inkursione të rrezikshme të lojtarëve cilësorë kundërshtarë, duke synuar të shënonim një gol me kundërsulm, gjuajtje nga larg ose nga goditje standarte.

Kjo, deri në minutën e 90-të.

Para asaj minute fatale, tranieri ynë, duke parë se mbrojtësist tanë të tejlodhur po zhvendoseshin më tepër seç duhej përpara, për të realizuar golin që do të na kualifikonte drejtpërdrejtë për në Francë, u bëri thirrje atyre që të tërhiqeshin dhe vetëm të spastronin zonën tonë. Për ta bërë sa më të qartë këtë udhëzim, ai bëri edhe imitimin e një shkelmimi të fortë, gjatë kohës që udhëzonte mbrojtësit (shih foton bashkëngjitur). Dhe për të qenë i sigurtë për transmetimin e mesazhit, ai thirri dikë nga bankina jonë, i cili e përkëtheu atë në shqip dhe me zë më të lartë.

Por ndërkohë që trajneri ynë po i urdhëronte mbrojtësit të rrinin mbrapa, zv.presidenti i FSHF-së, u ngrit nga bankina jonë dhe u kthye nga shkallët e tribunës, duke na bërë thirrje t’i inkurajonim lojtarët për të sulmuar përpara. Dhe pas kësaj, mijra kuqezinj qeleshebardhë filluan t’u bërtisnin lojtarëve “Duam gol!”.

Siç rrodhën ngjarjet, mbrojtësit tanë të lodhur dëgjuan më shumë thirrjet tona se sa urdhërat e trajnerit dhe, në rastin e golit fatal serb (në minutën e 91-të), dy prej tyre (Hysaj dhe Agolli) ishin thellë në gjysëm-fushën serbe kur nisi kundërsulmi që solli golin në portën shqiptare.

Pas ndeshjes, De Biazi tha se djemtë duhet të kishin luajtur jo vetëm me zemër, por edhe me mendje. Ndërsa trajneri i lavdishëm i Tironës, Myslym Alla, po të kishte qenë gjallë, do të kishte thënë “Çunat deshën me bë vezë pate me prapanicë pule”…

Sidoqoftë, ai ujë ka rrjedhur tashmë nën urë. Sadoqë e dëshironim një fitore me Serbinë, humbja ndaj saj, falë Zotit, nuk na e mbylli rrugën për në finalet e kampionatit europian. Një fitore në Armeni, përbën portën tjetër nga mund të nisemi për në Francë.

Nga sa është raportuar në media, trajneri ynë ka ndërmend të fusë dy lojtarë sulmues në formacion, e jo vetëm një, si në ndeshjet paraardhëse. Por logjika ta do se ai do të vazhdojë t’i udhëzojë lojtarët që të luajnë sa me zemër edhe me mendje. Sepse në letër, ekipi armen është më cilësor dhe luan në fushën e vet - vetëm kartoni i kapitenit të tyre (Mkitarian) vlen sa gjithë kartonat e lojtarëve tanë…

Me pak fjalë, siç ka bërë në ndeshjet me Portugalinë, Danimarkën, Italinë e Francën (ekipe shumë superiorë në letër), trajneri ynë besoj se do ta udhëzojë ekipin të luftojë fort në mesfushë dhe mbrojtje, për të mos lejuar inkursione të rrezikshme të lojtarëve cilësorë armenë, duke synuar të shënojmë një gol me kundërsulm, gjuajtje nga larg ose nga goditje standarte.

Dhe, ndoshta për mirë, në Armeni nuk do të ketë mijëra kuqezinj qeleshebardhë, që t’u kërkojnë lojtarëve të luajnë vetëm me zemër e aspak me mendje…

E.Zaloshnja

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.