Klima e tmerrit përfshin biznesin, rritja e gjobave konsiderohet e frikshme nga ekspertët

Postuar në 10 Tetor, 2015 08:54

Biznesi ndodhet në një klimë tmerri. Ky është konkluzioni i revistës  “Monitor”, të cilin e ka mbrojtur dhe me një shkrim të zgjeruar. Sipas “Monitor” rritja e tejskajshme e gjobave në ndryshimet për procedurat konsiderohet e frikshme nga sipërmarrësit dhe ekspertët, teksa bizneset tremben se ajo do të shtojë abuzimet nga tatimorët Të frikshme, drastike, shkatërruese, të paimagjinueshme, shtypëse, diktatoriale, prishje e balancave të një vendi e deri te falimente me pasoja të rënda sociale afatshkurtër dhe ekonomike në afatin e mesëm, që mund të dëmtonin zhvillimin e vendit. Si asnjëherë tjetër, përfaqësues të institucioneve të biznesit dhe ekspertë janë shprehur tepër të ashpër në opinionet që kanë dhënë për “Monitor” lidhur me formën dhe mënyrën se si qeveria po zhvillon aksionin antiinformalitet, duke i quajtur qartazi veprimet e qeverisë si “jo të zgjuara”. Ndërsa janë të gjithë absolutisht dakord që informaliteti duhet luftuar, nuk pajtohen me mënyrën represive që po ndiqet dhe sidomos me ashpërsimin e gjobave, që shkojnë deri në 10 milionë lekë, për bizneset e mëdha që nuk dokumentojnë mallin.

“Këto masa cenojnë rëndë reagimin qytetar, që sipërmarrja private në tërësinë e saj pati në mbështetje të iniciativës së qeverisë për formalizimin e ekonomisë”, thotë Nikolin Jaka, kreu i Dhomës së Tregtisë së Tiranës. “Në asnjë rast, një mazhorancë e zgjuar dhe që vlerëson partneritetin dhe dialogun me sipërmarrjen private nuk mund të propozojë masa drastike duke shumëfishuar penalitetet, në një proces ku fillimi duket i mbarë, madje në rastin konkret jashtë çdo lloj parashikimi dhe perceptimi të çdonjërit prej nesh”, shton ai.

Për Gjergj Buxhukun e Konfindustrias, “çdo tejkalim i ndëshkimit fiskal është i dëmshëm, sepse goditjet mund të jenë shkatërruese për bizneset, pa i dhënë mundësi të dytë”.

Zenel Hoxha, President dhe CEO, Dhoma Shqiptaro–Britanike e Tregtisë dhe Industrisë është më i ashpër, kur thotë se në ndryshimet e miratuara në ligjin e procedurave tatimore, është fakti i ashpërsimit në mënyrë realisht të “frikshme” për të gjithë subjektet.

Për prof. dr. Sotiraq Dhamo, përgjegjës i Departamentit të Kontabilitetit, Fakulteti i Ekonomisë, për një shkelje (siç është malli pa dokument) biznesi përballet me pesë penalitete: siç është gjoba në masën 10 milionë lekë, sekuestrimi, TVSH-ja, rivlerësimi i të ardhurave dhe ndjekja penale. “Kjo është një gjë e paimagjinueshme që nuk ndodh në asnjë vend tjetër, ndaj duhet të qartësohet sa më shpejt”.

Për Hajredin Fratarin e Konfindustrias, gjobat katastrofike në ligjin e ri të procedurës tatimore do të shndërrohen në një bumerang jo vetëm për ekonominë, por edhe për qëllimin afatshkurtër të qeverisë për më shumë të ardhura.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.