Shënim: Z. Kryeministër, më mirë ktheni punën vullnetare për bazën e partisë. Është më e ndershme

Postuar në 09 Tetor, 2015 17:31
Akuzat e fundit të opozitës për tenderin e OSHEE-së sjellin në vëmendje një sjellje kontante të zotërisë që sot është kryeministër i vendit. PD-ja akuzon se tenderi prej 5.4 miliardë lekësh i është dhënë një kompanie e cila ka realizuar ndërtimin e vilës së Edi Ramës në Surrel të Tiranës. Për vilën ka një vit që flitet, janë publikuar foto, por asnjëherë zoti kryeministër nuk ka bërë të njohuara kostot. Ka publikuar marrje kredie etj., por jo sa kushton shtëpia. Ish-kryeministri Sali Berisha thotë se vila kushton 1.5 milion dollarë, por këto mbeten spekullime. Të gjithë e dimë se marrëdhënia e biznesit me pushtetin është disi e veçantë. Kundrejt shërbimeve të caktuara, pagesa nuk bëhet në dorë, por biznesi privilegjohet në forma të tjera. Sidomos me aksesin në fonde publike. Kjo është ajo që sot po na thotë opozita. Mirëpo ka gjasa që sugjerimi i saj të jetë i vërtetë, sepse ka disa shembuj.
 
 Të gjithë e mbajmë mend sesi bashkëshortja e Tony Blair mori mbi 500 mijë euro për negociimin që u deklarua se bëri për arbitrazhin me “Rapiscan”, negociim që zgjati disa javë. Por këtu lindin disa pyetje: Si të shpjegohet që një kompani amerikane heq dorë nga 100 milionë dollarë, për një marrëveshje që siç na tha ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ishte e kopsitur juridikisht? Pse duhet “Rapiscan” të hiqte dorë nga një fitim i tillë nëse do ta kishte kopsitur marrëveshjen? Dhe çfarë oferte bëri qeveria shqiptare, përmes Cherie Blair që bindi një kompani të bjerë dakord me ulje të tillë tarifore? Le të kujtojmë se Edi Rama u tha shqiptarëve se konsulenca e Tony Blairit do të jetë falas për Shqipërinë. Mirëpo për atë që ndjek shtypin britanik sheh se ish-kryeministri britanik është në qendër të lajmeve  për konsulenca të shtrenjta, madje në vende me probleme me demokracinë. Pra Tony Blair nuk është nga ata që pranon ofertën “Zero”. Është pra dyshim i natyrshëm dhe i qëndrueshëm se pagesa për Cherie Blair është në fakt pagesa për Tony Blair, i cili lobon jo për Shqipërinë, por për qeverinë, e posaçërisht  kryeministrin aktual. I cili, meqë jemi këtu ka akuzuar shumë qeverinë që shkoi për pagesa deri në 300 mijë dollarë kësti, për grupin “Podesta” që lobonte në SHBA. Pagesat e dhëna për “Podesta” ishin zyrtare, të cilësuar si të tilla dhe këtu është mirë që të bëjmë edhe një dallim të natyrës formale: të dyja palët paguajnë për të lobuar, ndryshon vetëm mënyra e pagesës.
 
Së dyti, para disa ditësh, ministri i Energjetikës, Gjiknuri, deklaroi gjatë një interviste në “Top-Show” se kompania “DIA” është tërhequr nga arbitrazhi me Shqipërinë ku kërkonte 135 milionë euro. Gjiknuri dha një arsye që mund të quhet fare mirë “gjiknuriane”, ose “gjiknurse” pasi sipas tij, “Drejtuesja ligjore e DIA-s pasi u konfrontua dhe me provat për falsifikime në veprën penale të kryer nga Ismailaj, ka ardhur dhe ka nënshkruar marrëveshjen me OSHEE dhe tërheq çdo lloj pretendimi financiar dhe kjo marrëveshje depozitohet automatikisht në Vjenë, dhe është depozituar. Dhe hiqet e drejta nga çdo pretendim. Nuk ka më gjyq DIA- OSHEE, ka një proces që është në mbyllje nga Vjena”(kliko ketu per me shume). Sa uli Cherie Blair me “Rapiscan”? 100 milionë dollarë. Pa ndërmjetësim, vetë qeveria ia del të anullojë një gjyq, i cili në dritën e këtij arsyetimi që na jep ministri, mund të ishte anulluar që shpejt. Vërtet shteti “fitoi” 135 milionë euro, por askush nuk e di më sesi është e vërteta e akuzave për lidhjen Meta-DIA dhe pse vallë DIA tërhiqet sapo merret vesh se marrëdhënia brenda mazhorancës është ristabilizuar? Sikurse askush nuk jep llogari sesi qëndron puna me marrëveshjen e tërheqjes së CEZ nga Shqipëria, ndërkohë që si Rama, ashtu edhe Meta kanë nisur sulmin e aluduar ndaj një kompanie që mblidhte borxhe, e cila siç duket i djeg shumë Sali Berishës. Thënë ndryshe, shantazhi është një mjet i mirë për të mbyllur pazaret me paratë publike.
 
Së treti, akuza që bën sot PD-ja na çon në një shembull të vitit 2010. Më 12 maj të këtij viti, Ministria e Kulturës merr një vendim që kërkon të kalojë në administrim të saj, në cilësinë e monumentit të kulturës, shtëpinë ku u mbajt Konferenca e Pezës. Në atë shtëpi banonte njësoj si tani, deputeti socialist, Dashamir Peza. Lëvizja u realizua si pasojë e një vendimi të qeverisë dhe u lidh me zhvillimin e grevës së urisë që PS-ja kishte nisur atëherë. Por e vërteta e rikonstruksionit të shtëpisë së Pezës nxori në sipërfaqe të njëjtën manovër: përdorimin e parave puiblike. Qeveria deklaronte asokohe se rikonstruksioni ishte bërë me cilësinë e monumentit të kulturës në kohën kur ministër Kulture kishte qenë Edi Rama. Mandej ajo ishte mbajtur për shfrytëzim e pronësi nga pronari, i biri i Myslim Pezës. Në vitin 2006, Bashkia e Tiranës bën kërkesë që banesa t’i kalojë asaj për administrim, ndonëse Bashkia në atë kohë nuk shtrihej përtej qytetit. Është e vërtetë që ndërhyrja në vitin 2010, u motivua nga arsye politike dhe ishte presion i hapur, por është po aq e vërtetë se loja me rikonstruksionin e një banese që përdoret si shtëpi banimi nga një njeri i afërt me Edi Ramën, është shumë e dyshimtë.
 
E gjithë kjo skemë, e cila deri më tani zhvillohet vetëm përmes akuzave, zbulon se pas kujdesit për të shfaqur korrektesë me letrat, në fakt qëndron përdorimi i letrave për interesa private. Transparenca do të ishte e vetmja mënyrë që do të davariste dyshimet dhe zhbënte akuzat, të cilat nuk mund të jenë të gjitha shpifje apo shpikje. Vetëm sikur të marrim vendimin që i jep të drejtën kryeministrit për të dhënë leje për godina mbi gjashtë kate, mjafton që dyshimi të mbahet gjallë. Një dyshim që është shumë therës kur mendon se (po të besojmë akuzat e opozitës) me paratë publike, pra paratë tona, ndër të tjera është ndërtuar shtëpia e Edi Ramës dhe Dash Pezës, të cilët fare mirë mund t’ua kërkonin si kontribut vullnetar socialistëve të bazës.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.