Servet Pëllumbi: Ndryshimet në qeveri janë të mirëpritura nga publiku

Postuar në 05 Tetor, 2015 09:27

Servet Pëllumbi, shprehet se ndryshimet në qeveri janë të mirëpritura nga publiku, ndërsa duhet bërë dhe një vlerësim i koalicionit qeverisës. Në një intervistë për “Panorama” Pëllumb mendon se koalicioni PS­-LSI i ngjan më shumë një “marrëveshjeje xhentëlmenësh” sesa një koalicioni të ngritur mbi parime, ide, programe e përgjegjësish të përbashkëta. I pyetur nëse janë të nevojshme ndryshimet në qeveri, Pëllumbi thotë: “Kemi të bëjmë me një çështje transparence. Nëse qenka bërë ndonjë vlerësim i detajuar i punës së ministrave nga Kryeministri Rama, ai duhet bërë publik, sepse ndryshimet qeveritare nuk janë qëllim në vetvete, por as nuk duhet mbyllur çdo mundësi e tillë, sidomos kur opinioni publik ende vazhdon të jetë i prirë për nga vlerësimi në sens pozitiv të ndryshimeve përmirësuese të qeverisjes dhe të koalicionit për Shqipërinë europiane”.

Servet Pëllumbi thotë gjithashtu se nuk duhen mbyllur sytë ndaj disa zhvillimeve të muajve të fundit brenda koalicionit PS­-LSI. “Kam mendimin se “krisjet” janë thelluar pas zgjedhjeve vendore, e sidomos këto ditët e “kiametit” pas “çështjes politike ­CEZ”. Për asnjërën prej këtyre dy momenteve LSI­-së nuk i shkon as roli i viktimës në raport me aleatin më të madh, PS­-në, as deklarimet e tipit “edhe të vetëm trim në lufte” dhe as ndarjet “në të malit dhe të moçaleve”! Është e papranueshme të thuhet se LSI­-ja u sulmuaka nga më “të mëdhenjtë” se u verbuaka sytë rritja e saj! Ndërkaq ka vend për të dialoguar brenda koalicionit, për të mos lejuar thellimin e kundërshtive, për të parë edhe disa aspekte e parime mbi të cilat ngrihen dhe funksionojnë koalicionet elektorale dhe qeverisëse”­ thotë Pëllumbi.

Ai shpreh mendimin se koalicioni PS­LSI më tepër i përngjet një “marrëveshjeje xhentëlmenësh” sesa një koalicioni të ngritur mbi parime, ide, programe e përgjegjësish të përbashkëta. “Aq më pak i përngjet ai një koalicioni vlerash, duke filluar nga baza e secilës prej tyre, për pasojë ndarjet “Ne” të mirë, “Ata” të këqij, veprojnë deri dhe brenda koalicioneve, sepse punohet pak ose aspak për kohezionin e tyre të brendshëm dhe ruajtjen e ekuilibrave politike që ekzistojnë në elektorat e në popull. Jo pak ndikim negativ mund të ketë sidomos mënyra piramidale e ndarjes së “copave të pushtetit” që trajtohen si “copa partie­biznesi” për të vendosur “njerëzit e vet”, duke filluar nga titullari kryesor i ministrisë, te drejtorët dhe deri te më i thjeshti, bie fjala, deri te polici i burgjeve në vartësi të Ministrisë së Drejtësisë, apo të kontraktorëve e nënkontraktorëve, kur është fjala për Ministrinë e Ekonomisë apo ministri të tjera… “­ thotë pëllumbi për “Panorama”.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.