“Që projekti i bashkimit të Europës të ketë sukses, duhet të kontribuojnë të gjithë”

Postuar në 03 Tetor, 2015 19:24

3 tetori shënon ribashkimin e Gjermanisë, një ngjarje kjo përcaktuese për të ardhmen e Europës dhe botës në përgjithësi. Ngjarja i hapi rriugë zhvillimeve të tjera në Europën Lindore dhe katalizoi mandej shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Me këtë rast, ambasada gjermane në Tiranë ka organizuar një koncert para të cilit ka mbajtur një fjalë të shkurtër ambasadori Helmut Hoffmann. Ai ka folur për mesazhet që ngjarja solli në Shqipëri, për faktin se Shqipëria “iu rikthyer Europës”, por edhe se një proces kaq madhor, si bashkimi i një kontinenti nuk mundet të jetë vetëm pjesë e një “fortune, fati”. “Kapërcimi i ndarjes së Evropës mundësoi jo vetëm rënien e diktaturës në Shqipëri, por e riktheu vendin në familjen evropiane. Bashkimi Evropian është një faktor me rëndësi domethënëse për stabilitetin në botë. Dhe për të siguruar jetëgjatësinë e tij, lipset një politikë e mençur zgjerimi. Gjermania mbështet përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Shumëçka është arritur, por shumë mbetet ende për të bërë! Gjermania është pionier i vendosur i procesit të bashkimit evropian – dhe kjo jo vetëm për arsye të reminishencave historike, por prej bindjes, që popujt dhe shtetet e Evropës mund të siguronin jetëgjatësinë e idesë së një bashkëjetese të mirë vetëm përmes një unioni gjithnjë e më të ngushtë mes vetes. Por kohët e fundit na është dashur të mësojmë sërish me dhimbje, se bashkëjetesën e mirë e kërcënojnë në mënyrë të përsëritur rreziqe të ndryshme.  Gjermania e bashkuar angazhohet brenda të mundshmes së saj të veprojë në mënyrë solidare e të japë kontributin e vet në gjetjen e zgjidhjeve paqësore, edhe sepse përvoja jonë tregon se çtensionimi i situatave mund të sjellë rezultate pozitive. Dhe kush vepron kështu, duhet ta ketë gjithashtu të qartë se nuk mund të përmbushë të gjithë dëshirat e pritshmëritë. Që një projekt i përbashkët të ketë sukses, duhet që të kontribuojnë të gjithë, dhe nëse është e nevojshme, të venë rregull brenda shtëpive të tyre”, tha ndër të tjera Hoffmann. Ai ka përmendur reformën në drejtësi, që i shton këti argumentin mesazhin: Në Europë nuk mund të hyhet me këtë gjendje dhe shqiptarçe. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.