A do të triumfojë strategjia cinike e Bashar Al Asad?

Postuar në 02 Tetor, 2015 11:26
Nga Dominic Tierney*, “The Atlantic”

Shteti Islamik po vret dhe skllavëron mijëra njerëz në Siri dhe Irak. Rusia ka dërguar dhjetëra avionë për të mbështetur regjimin e Damaskut. Turma njerëzish kanë mësyrë në Evropë. Në syrin e ciklonit, Bashar al-Asadi po ndjek një strategji cinike, brutale dhe të rrezikshme për të qëndruar në pushtet. Mesa duket, plani i tij ka për synim të ndihmojë rritjen e ISIS-it, në zbatim të asaj taktike që unë e quaj “loja e djallit”. Logjika është e thjeshtë dhe e pamëshirshme: radikalizimi i opozitës në atë nivel, që diktatori sirian të ngjajë si e keqja më e vogël para publikut vendas dhe të huaj. Në këtë rast, Asadi përfiton nga natyra në thelb polarizuese e luftës civile, si një cikël vrasjesh dhe hakmarrjesh që i shtyn të gjitha palët në ekstreme. Presidenti sirian ka nxitur më tej radikalizmin, duke i përqendruar sulmet e tij ushtarake mbi armiqtë e moderuar, ndërsa thuhet se ka liruar xhihadistët nga burgu dhe po ble naftë nga ISIS-i. Gjatë muajve të fundit, ushtria siriane dyshohet se po i përdor sulmet ajrore për të ndihmuar avancimin e ISIS-it drejt qytetit të Alepos. Khaled Khoja, një udhëheqës i opozitës siriane, deklaroi se avionët luftarakë Asadit janë duke vepruar si “një forcë ajrore për ISIS-in”. Me shtimin e fraksioneve, qendra s’mund të rezistojë. Në vitin 2011, ushtria relativisht e moderuar për Sirinë e Lirë, dukej një kandidate e besueshme për të udhëhequr rezistencën kundër Asadit. Tani fraksionet kryesore rebele përfshijnë ISIS-in, Frontin Islamik dhe Frontin Al-Nusra, që është i lidhur me Al-Kaedën. Përpjekja e Shteteve të Bashkuara për të trajnuar një forcë të moderuar siriane, është dëshmuar si një pretendim i mjerë dhe donkishotesk. Pas 10 muajsh dhe miliona dollarëve të harxhuar, SHBA-ja krijoi një ushtri rebele me 5 të fortë. Jo 5.000 të fortë, apo 5 për qind të opozitës. Por fjalë për fjalë, për 5 djem që ishin përgatitur në mënyrë të mjaftueshme për të drejtuar një operacion ushtarak. Tirani dhe terroristët kanë një marrëdhënie simbiotike. Ndërsa ISIS-i është në parim kundër regjimit laik, fokusi i tij është tek ndërtimi e Kalifati, dhe jo të heqë qafe Asadin. Ndërkohë, përparimi i ISIS-it në Irak në vitin 2014 ,ishte një dhuratë nga Perëndia për regjimin sirian. Kryengritësit u larguan nga Damasku. Ndërsa pushtimi nga ana e xhihadistëve i qytetit të Mosulit, dhe pjesës dërrmuese të provincës së Anbarit, e tmerroi Perëndimin. Një Barak Obama hezitues, s’mund të pranonte rënien e Bagdadit, ndaj dhe autorizoi sulme të gjera ajrore kundër ISIS-it. Si për vendet perëndimore, ashtu edhe për alevitët e Asadit në Siri, zgjedhja është e zymtë:mes djallit që e njohim apo një grupi demonësh grabitqare. Nëse Asadi rrëzohet, përfituesit kryesorë do të jenë forcat e shumta islamike, të cila po i bombardon aktualisht SHBA-ja. Nëse duhet të rikujtohen rreziqet që vijnë nga rrëzimi i një diktatori, zyrtarët amerikanë duhet vetëm të shikojnë se ç’ndodhi në Libi, ku përmbysja e Muamar Gedafit në vitin 2011 çoi në anarki. Asadi është kandidati i destinuar:Nuk ka alternativë. Atëherë, lëvizja e parë djallit, duket se ka pasur sukses. Administrata Obama ka hequr dorë kohët e fundit nga insistimi, se Asadi duhet të largohet nga pushteti, ndërsa ka sinjalizuar se diktatori mund të qëndrojë në pushtet për një periudhë kalimtare, si pjesë e një marrëveshjeje paqeje. Por fjala kyçe këtu është “duket”. Ngjashëm me paktin mes nazistëve dhe sovjetikëve në vitin 1939, partnerët në “vallen” siriane të vdekjes do të therin njëri-tjetrin në momentin më të përshtatshëm. Mesa shihet fundloja e Asadit, synon të spastrojë fushën nga cilido grup relativisht i moderuar, rreth të cilit sirianët dhe komuniteti ndërkombëtar mund të bëhen bashkë, dhe ndërtojnë më pas një koalicion për të mposhtur ISIS-in. Ai do të trashëgojë një djerrinë shkretinore, por mbetet gjithsesi një trashëgimi. Megjithatë në përpjekje drejt këtij qëllimi, Asadi po përballet me një problem serioz. Lëvizja e tij e fundit, mund të ketë funksionuar në kryeqytetet perëndimore, por ai po humb shumë forca në vend. Regjimi ka pësuar një sërë humbjesh që e kanë detyruar të tërhiqet pas, duke humbur mijëra ushtarë dhe duke u prapsuar sërish në vende strategjike si Damasku. Sipas një llogaritjeje, Asadi aktualisht kontrollon vetëm rreth një të pestën e Sirisë:një rrip të ngushtë territori përgjatë skajit perëndimor të vendit. Pozicioni i përkeqësuar i presidentit sirian, ka bërë që padronia e tij fuqimadhe, Rusia, të shtrojë pyetjen nëse diktatori vijon që të mbetet ende një bast afatgjatë. Kremlini ka lëvizur asete të rëndësishme ushtarake, për të ndihmuar regjimin e Asadit dhe të dielën e shkuar njoftoi për nënshkrimin e një marrëveshje me Sirinë, Iranin, Irakun dhe për të ndarë informacionet e shërbimeve inteligjente në luftën kundër ISIS. Vetëm disa ditë më parë, Vladimir Putini tha:”Qëllimi ynë kryesor është të mbrojmë shtetin sirian”. Por, vini re:ai nuk tha se do të mbrojë personalisht Asadin. Tek e fundit, diktatori sirian është thjesht një mjet drejt një qëllimi:mbrojtja e interesave të Moskës në vend dhe në rajon, duke përfshirë bazën e saj detare në Tartus, struktura e vetme ushtarake ruse jashtë ish-Bashkimit Sovjetik. Sikurse komentoi në gusht Fjodor Lukjanov, këshilltar i politikës së jashtme të Bashar Asadit dhe loja fundore e djallit. “Rusia ende beson se Asadi duhet të qëndrojë në pushtet, por nuk mund të injorojë faktin se situata e përgjithshme po ndryshon, dhe se pozita strategjike e Sirisë, është shumë më keq tani se më pare”. Këto dy dinamika kyçe- radikalizimi i opozitës dhe lufta e ushtrisë siriane – kanë shtyrë Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë më pranë një marrëveshje, ku Asadi do të luajë një rol tranzicional, nën një regjim të ri. Qeveria e reformuar siriane do të përbëhet nga opozitarë të moderuar, që më pas në bashkëpunim me Perëndimin dhe lojtarët rajonalë do të drejtojnë zjarrin kundër ekstremistëve islamikë. Ky rezultat i ngjan shumë fundlojës së preferuar të Asadit: Damasku kundër barbarëve. Çështja kryesore, është nëse vetë Asadi do të qëndrojë në krye. Gjithçka gjitha varet nga përkufizimi i termit “tranzitor” dhe gatishmëria e qeverive ruse dhe iraniane, për të mbështetur maksimalisht Asadin. Si një të mbijetuar i pamëshirshëm, Asadi mund të dashurojë shanset e tij për të qenë përherë një president i përkohshëm. Ai mund të ofrojë edhe dorëheqjen, sapo terrorizmi në Lindjen e Mesme të jetë mposhtur.

*Donimic Tierney është bashkëpunëtor i “The Atlantic” dhe një profesor i asociuar i shkencave politike në Swarthmore College. Libri i tij i fundit është “Rruga e duhur për të humbur një luftë: Amerika në epokën e konflikteve të pamundura për t’u fituar

Mapo

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.