Shënim: I shantazhuar dhe pa kurajo

Postuar në 30 Shtator, 2015 18:01

Ilir Meta duket se i mbijetoi stuhisë politike që u ngrit kundër tij në lidhje me çështjen CEZ. Deklarimet e sotme të ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri dhe Bashkim Finos, se koalicioni është solid, i kanë dhënë fund rolit prej spektatori që mbajti Edi Rama në këtë histori, duke shënuar në mos një tërheqje, distancimin nga presioni kundër aleatit të tij.

E gjithë shfaqja që po i serviret publikut nga “torta” socialiste e pushtetit është një lojë hipokrite që vë në pozita poshtëruese Edi Ramën dhe të tijtë para Ilir Metës. Mjaftoi një lëvizje në kufijtë e qetësisë dhe dashurisë e kryetarit të Kuvendit me Shpëtim Idrizin, që kryeministri dhe e majta progresiste të panikohet dhe të nxitojë për të siguruar aleatin Meta se PS dhe LSI janë si mishi me kockën.

Përveç kësaj, qëndrimet e Sajmir Tahirit dhe Bashkim Finos, treguan se kryeministri Rama nuk ka as kurajon për të shkuar në zgjedhje të parakohshme dhe se për hir të pushtetit ai është i zoti të kapërdijë gjithëçka njollos qeverinë e tij, edhe kur bëhet fjalë për zullume të supozuara të aleatit të tij Ilir Meta. Reagimet e sotme treguan po ashtu se Edi Rama me 65 deputetët e tij është lehtësisht i shantazhueshëm dhe i nënshtruar ndaj partnerit në qeveri.

Teatri absurd është se LSI akuzon publikisht kryeministrin e qeverisë ku bën pjesë se ka bërë pazar me statusin duke i falur çekëve të CEZ 600 milionë euro, për të evituar një veto të Çekisë për statusin kandidat të Shqipërisë. Me pak fjalë qeveria shantazhon qeverinë. Mesazhi është i qartë, askush nuk duhet të kalojë kufijtë e territorit që mbulon secila palë në qeveri. LSI i mbron me fanatizëm sinoret e saj dhe tregon se është e prerë në marrëveshjen që ka firmosur me socialistët për të ndarë pushtetin.

Ndoshta Rama e mori me shaka kur Ilir Meta i tha “Po” pazarit të 1 Prillit me idenë se diçka do ndryshonte rrugës, por historia tregoi se “ gjeli shpejt u bë pulë” dhe koalicioni ra sërish në ujërat ku noton që prej firmosjes. Në dy vitet që i kanë mbetur dy qeverive brenda të njëjtit kabinet, do t’u duhet të zvarriten për të dalë në breg së bashku dhe për të treguar se bashkë ia dolën në të mirë dhe në të keq. Moralisht aleanca mes tyre ka rënë dhe qëndrimi i kësaj të majte në pushtet është çështje kohe me dy grupimet të mbrojnë dhe t'u shërbejnë interesave të tyre.

Negociatat me CEZ rrëzojnë moralisht edhe çdo shpresë për reformën në drejtësi, pasi një qeveri që paguan 600 milionë euro për të shmangur një proces gjyqësor në arbitrazh nuk ka as moral për të udhëhequr një reformë kaq jetike për vendin. Ku po shkojmë? Mbetet ta shohim...

l.m

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.