Në lojë bashkë me Putinin...

Postuar në 29 Shtator, 2015 23:02

“Putini ka të drejtë. Ai i ka lexuar ashtu siç duhet Iranin, Indinë dhe Sirinë”. Kështu shkruan në britaniken “The Guardian” Simon Jenkins, sipas të cilit koha ka ardhur që Perëndimi të adresojë krizat mbi premisa të realizmit dhe pragmatizmit, për të hequr dorë nga qasja dogmatike dhe kushtëzimi i tyre nga kërkesat e politikës së brendshme. Më e dukshme kjo është bërë në krizën siriane, ku presidenti Bashar al Assad është tani pjesë e zgjidhjes dhe jo aq e problemit. Deklaratat e Presidentit amerikan, se Assad është një lider që bombardon popullin e vet, kanë një replikë të hidhur kur Putin thotë se “duhet hequr dorë nga mania për t’u dukur mirë”. Dy fjalimet e dy presidentëve në OKB kanë bërë të qartë se alternativa në Siri është vetëm një: ndërprerje e kasapanës që po vazhdon prej vitesh. Pasojat janë shumë të mëdha dhe është e papranueshme më që qindra mijëra jetë njerëzish të kushtëzohen me ambicien e rrëzimit të një ekipi të drejtuar nga Assad. Jenikns shton se ka arsye shtesë pse Rusia, duhet parë ashtu siç këshillon Kissinger: Rusia është një vend që kërcënohet nga shtete myslimane të jugut dje këtu Perëndimi mund të gjejë një aleat(http://www.theguardian.com/commentisfree/2015/sep/29/west-vladmir-putin-...). Pavarësisht të gjithave, Putin ka të drejtë edhe në një drejtim tjetër: bota është të paktën dypolare, ashtu siç ai kërkoi të bindte partnerët perëndimorë në fjalimin e vet të vitit 2007, i cili krijoi shumë polemika. Dhe kjo duhet pranuar.
Nga ana tjetër, agjencia shtetërore ruse “Sputnik” ka nënvizuar një tjetër moment nga zhvillimet në OKB që paralajmërojnë ndryshime thelbësore. “Tani kushdo në Izrael mund të vërejë se presidenti rus, Putin dhe ai amerikan, Obama, nuk thanë asnjë fjalë të vetme për konfliktin lokal të Izraelit me palestinezët”, citon “Sputnik” politikanin izraelit Avigdor Eskin(http://sputniknews.com/analysis/20150929/1027741567/eskin-putin-and-obam...). Dihen marrëdhëniet shumë të vështira mes Netanjahut dhe Obamës, sikurse është vënë re se administrata amerikane e ka zhvendosur nga prioritetet e veta ekskluzive kujdesin për mbikëqyrje dhe përmbushje të çdo kërkese dhe interesi të Izraelit në Lindjen e Mesme. Netanjahu u detyrua të shkonte vetë në Rusi për të takuar Putin dhe për të koordinuar veprimet në terren, nisur nga fakti se mjete dhe trupa ruse janë tashmë në Siri. Megjithatë dy ditë më parë, në lartësitë Golan, pati shkëmbime zjarri mes ushtrisë së Assadit dhe asaj izraelite. Zërat kritikë ndaj unifikimit të politikës amerikane në Lindjen e Mesme me atë të Izraelit janë shtuar shumë dhe edhe në një ndryshim të afërt të administratës në Shtëpinnë e Bardhë e bëjnë të vështirë kthimin në raportet e dikurshme.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.