Shënim: Korrupsion me status

Postuar në 28 Shtator, 2015 22:01

Ajo që qeveria shqiptare e quan marrëveshje të mirëkuptimit me CEZ nuk është gjë tjetër veçse një formë tjetër e korrupsionit që kryeministri Rama thotë se po e lufton për të shembur fenomenenin e ngritur në sistem. Por tani që lufta politike mes palëve po i nxjerr të gjitha sheshit, dalin dhe arsyet e vërteta pse u tërhoq shteti shqiptar nga arbitrazhi me CEZ,  duke i falur kompanisë çeke plot 600 milionë euro fatura të papaguara ndaj KESH dhe OST. Kjo sipas pretendimeve të opozitës. 

Gjitçka është vazhdim i telenovelës së nisur nga ish-qeveria Berisha për t’i “blerë” votën për statusin e vendit kandidat Çekisë me një "happy end" të pasardhësit të tij Edi Rama. Dëshmia e kreut të Sekretariatit të Komunitetit Europian për Enegjinë, Janez Kopak  zbardhi atë që iu mbajt e fshehur publikut, ”pazarin” e kryeministrit Edi Rama me statusin e vendit kandidat, duke marrë nga arka publike plot 600 milionë euro. "Ne si sekretariat ishim shumë të përfshirë në këtë çështje. Marrëveshje përfundimtare mes CEZ dhe qeverisë shqiptare është nënshkruar në zyrën time dhe ishte kusht që të hiqej vetoja nga ana e Republikës Çeke në kohën e bisedimeve për dhënien e statusit të vendit kandidat. 2 orë pasi është nënshkruar marrëveshja në zyrën time, Çekia hoqi veton”-deklaroi Janez Kopak sot në Komisionion e Veprimtarive Prodhuese.

Dhe kështu ndodhi, marrëveshja e mirëkuptimit nuk u bë kurrë transparente për publikun dhe mbyllja e pazarit solli në qershor të 2014-ës edhe dafinat e statusit, të cilat qeveria dhe kryeministri i prezantuan si rezultat i kursit të reformave të një Shqipërie tjetër, të ndryshme nga ajo e Saliut. Me pak fjalë kryeministri ynë la zarfin për të përfituar kredo politike brenda vendit me marrjen e statusit nga komisioneri Fyle, djali i të cilit sipas vetë deklarimeve të qeverisë ishte punonjës i kompanisë Çez. Për këtë arsye po sipas deklarimeve të qeverisë aktuale qeveria Berisha e kishte ftuar Çez të vinte në Shqipëri dhe të privatizonte Operatorin e Shpëndarjes së Energjisë që më pas mori emrin Cez Shpërndarje.

Nëse i referohemi përkufizimit për korrupsionin si një fenomen që konsiston në abuzimin e një pushteti, të fituar përmes delegimit, për qëllime private në këtë thes kemi të drejtën të fusim edhe marrëveshjen e mirëkuptimit mes qeverisë shqiptare dhe CEZ me qëllimin e vetëm që kryeministri Rama të mbante në CV bonusin e  kryeministrit që i siguroi vendit statusin kandidat. As ma karizmën e tij të veçantë si kryeministër, as me eksoztimzin si gjysëm katolik dhe gjysëm ortodoks dhe as me vendosmërinë e tij për të na kthyer në binarët e ligjit, por me një faturë 600 milionë euro që e hoqi nga arka e shtetit. Ky është shembulli sesi mund të përkufizohet korrupsioni politik. Ose një pazar shumë i keq. 

Megjithatë kur ka shifra ka bazë edhe një krahasim me qeverinë e kaluar që u anatemua se vodhi dhe shiti Shqipërinë dhe çështë e vërteta mëkate ka plot. Po a ndryshon nga kjo e stomja? Në qeverinë e kaluar u përfolën dy afera për të cilat pati edhe procese gjyqësore, videoja 700 mijë euro e Ilir Metës dhe Dritan Prifti dhe abuzimi 200 milionë euro me rrugën Durrës-Kukës, u përmend Gërdeci si aferë për të favorizuar një linjë amerikane të shitblerjes së armëve, për të cilën dha dorëheqjen ministri me dy identitete Fatmir Mediu.

Rekordet e kësaj qeverie vetëm në 2 vjet nuk janë më pak, 600 milionë eurot e negociuara me CEZ nga qeveria Rama, 35 milionë euro abuzime nga admnistratori shtetëror i OSHEE, 150 euro milionë të pajustifikuara në dogana e tatime si dhe lidhje që kompromentojnë pushtetarët e sotshëm me pasuri të paligjshme. Ku është ndryshimi? Kurrkund. Janë serialet e së njëjtës telenovelë..

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.