PD dorëzon draftin për hetimin ‘CEZ’: Kush refuzon të pyetet, të shoqërohet me forcë

Postuar në 29 Shtator, 2015 07:55

Partia Demokratike ka dorëzuar në Kuvend projektligjin që nëse do të miratohet, do t’i hapë rrugë hetimit nga ana e ndërkombëtarëve të gjithë zyrtarëve të përfshirë në skandalin me CEZ, raporton sot “Gazeta Shqiptare” Projektligji i PD parashikon edhe hetim të zyrtarëve të lartë, përfshirë këtu ministra, kryeministrin e kreun e Kuvendit. “Ky është një parashikim i papranueshëm në një shtet demokratik, sepse çdo krim, pavarësisht nëse kryhet nga kryeministri, ministri, apo zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit, apo nga kompani të fuqishme tregtare, duhet të ndëshkohet”, – thuhet në relacionin e projektligjit të propozuar nga PD. Drafti i opozitës ka 6 nene, por ai bën të qartë se çështja “CEZ” duhet të hetohet nga prokurorë ndërkombëtarë të vendeve të BE, ose të SHBA­-ve.

Në nenin 6 pika 2 thuhet: “Nëse organi ligjzbatues i huaj kërkon paraqitjen personale të një personi për qëllimet e pyetjes, ballafaqimit ose hetimit, autoritetet gjyqësore shqiptare, sigurojnë paraqitjen e tyre, njëlloj si në rastin e një thirrjeje për t’u paraqitur para një gjykate shqiptare ose një prokurori shqiptar. Personat e thirrur për efekt të hetimit, janë të detyruar të paraqiten në orën dhe vendin e përcaktuar, përndryshe urdhërohet shoqërimi i tyre i detyrueshëm”.

Drafti ngarkon Prokurorin e Përgjithshëm të veprojë për çdo marrëveshje dhe lehtësi tjetër që mund t’u duhet prokurorëve të huaj dhe të ruajë sekretin hetimor në mënyrë që ai të mos ndikohet nga pushtetarët, meqë siç thotë opozita, hetimi i kësaj çështjeje do të përfshijë njerëzit më të rëndësishëm politikë në vend.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.