Hetim ndërkombëtar për aferën e CEZ. Një nismë e opozitës që synon të amnistojë 8 vite korrupsion

Postuar në 28 Shtator, 2015 13:49

Partia Demokratike ka depozituar sot nismën ligjvënëse për hetimin e aferës së CEZ Shpërndarje. Mjafton t’i hedhësh një sy projektligjit, për të parë sesi partia që qeverisi 8 vjet Shqipërinë, po vrapon të mbyllë një çështje të madhe, duke hapur një çështje të posaçme ndaj Ilir Metës. Ja se çfarë propozon të hetojë PD-ja: “Çështja “CEZ SHPËRNDARJE sh.a.” me Qeverinë shqiptare” nënkupton: a) hetimin mbi ligjshmërinë e veprimeve apo mosveprimeve të funksionarëve publik apo personave privatë, gjatë marrëdhënies midis shoqërisë “Debt International Advisory, DIA” dhe shoqërisë “CEZ SHPËRNDARJE”, si dhe akuzave të bëra publike për veprime korruptive; b) hetimin mbi faktet e bëra publike për dëmtimin e interesave financiare të shtetit shqiptar, nga realizimi i marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “CEZ, a. s.”, të miratuara me ligjin nr. 114/2014, datë 31.07.2014”. Kjo thuhet në nenin 2. Pra duke marrë shkas nga një shkrim në media, duke rendur pas tij e duke patur si konçesion heshtjen implikuese të kryeministrit të Shqipërisë, opozita ka mbërthyer një kauzë që nuk i qëndron logjikës. Kjo pasi vetë privatizimi i “CEZ Shpërndarje” është i paqartë dhe me pikëpyetje të mëdha. Në mbledhjen e borxheve ka patur edhe 6 kompani të tjera, përveç absurdit tjetër që kërkohet të hetohet një marrëveshje mirëkuptimi që është miratuar si akt parlamenti. Ngado që ta kapësh këtë shëllirë politike të ofruar me nxitim, ajo lëshon erë të keqe. Por të paktën ajo provon edhe njëherë se ky Parlament ka humbur legjitimitetin e vet plotësisht, sa kohë ka humbur edhe sensin e realitetit.  Të kërkosh të vetëamnistohesh për korrupsionin e 8 viteve, në krye të të cilit qëndron afera e kokoshit – 2- 200 milionësh, alias Lulzim Basha, duke shitur para shqiptarëve si të keqen absolute, Ilir Metën, kjo është një dredhi që paralajmëron pabesitë dhe “të futmet” e radhës nesër. Pazari i këtij kat’harsisi që po shërben Ilir Metën si kokë, ka firmën edhe të kryeministrit aktual, që qeveris në mes të batërdisë së tatimo-koncesionarizmit, por që ashtu si zakonisht, pas derës po kërkon të operojë një plagë, ndërkohë që ka nevojë për radioterapi integrale. Taktikisht loja e opozitës shihet qysh tani: votoni projektligjin, ose jeni të kapur. Do të shihet në seancë plenare se çfarë do të ndodhë dhe nëse opozita do të pranojë amendime të projektligjit. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.