Pas Libisë dhe Sirisë, sytë po kthehen nga Turqia. “Spiegel” dhe “Brookings” flasin për luftë civile

Postuar në 27 Shtator, 2015 15:30

Disa qarqe apo media në Perëndim, po zhvendosin vëmendjen drejt Turqisë. Pavarësisht lëmshit të përgjakur të Sirisë dhe kaosit që kërcënon që nga viti 2011 të gjithë Afrikën Veriore, vëmendja po shkon drejt një vendi “të veçantë” si Turqia islamike e Recep Erdgogan. Thujase në të njëjtën kohë, dy media me shumë ndikim, gjermania “Spiegel” dhe “Brookings”, i cilësuar si think tanku më me ndikim në botë, shkruajnë për mundësinë një lufte civile në Turqi. Autokratizmi i Erdoganit shihet si faktori kyç, ndonëse shakaja e madhe dhe me shumë pasoja e luftës kundër diktatorëve, solli këtë lumë gjaku që shohim sot në Lindjen e Mesme. “Recep Tayyip Erdogan – një mysliman i devotshëm, modernizues dhe babai i mrekullisë ekonomike të vendit – është në rrezikun e kthimit në një autokrat, i cili po tërheq kombin e tij drejt një lufte civile dhe po ushqen konfliktet e jashtme. Së pari ai donte të rrëzonte diktatorin sirian, Bashar al Assad, pastaj ai injoroi Shtetin Islamik për shumë kohë. Dhe tani ai po lufton kurdët, të vetmit aleatë të Perëndimit në betejën e tij kundër ekstremistëve islamikë. Erdogan po rikthen frontet e vjetra të luftës dhe po nxit mosbesim dhe nacionalizëm. Ai po burgos gazetarët dhe kritikët e tij. Dhe ushtarët e tij po rrethojnë dhe qëllojnë ndaj të gjithë qyteteve kurde. Erdoga kishte dy qëllime ambicioze: ai donte të zgjidhte konfliktin kurd dhe të rriste ekonominë. Ai donte modernizonte vendin e tij dhe të rreshtohej më afër Europës. Dhe ai ishte tërësisht i pasuksesshëm. Sot Turqia është një vend që rrezikon të shkojë drejt çmendurisë kolektive, për shkak të fanatizmit, nacionalizmit të egër dhe besimit te teori konspirative bizarre”, shkruajnë në “Spiegel” autorët Hasnain Kazim, Maximilian Popp dhe Samiha Shafy(http://www.spiegel.de/international/europe/turkey-under-erdogan-is-becom...). Të vihet re se këto janë teza të mediave të afërta me Fetullah Gulen, që sot promovohen si analiza objektive të realitetit turk. Të vihet re po ashtu sesi vihet theksi te çështja kurde, ndërkohë që Perëndimi nuk është se po bën kush e di se çfarë kundër Shtetit Islamik. Përmendja e çështjes kurde është një kërcënim i hapur për stabilitetin e Turqisë, ndonëse nuk dihet se deri ku mund të shkojë insistimi i Perëndimit për të. Flitet për autokrat dhe burgosje të gazetarëve, ndërkohë që Japonia, një vend tërësisht perëndimor, ka miratuar së fundmi ligje shumë problematike për lirinë e medias dhe askush nuk shqetësohet. Hipokrizia arrin kulmin kur harrohet se rrëzimin e Bashar al Assadit e donte edhe Perëndimi, që hoqi dorë nga sulmet ajrore për shkak të ndërhyrjes ruse. Ka pra një seri temash që përzgjidhen në mënyrë selektive pasi siç po shihet Erdogan nuk pranohet më në klubin perëndimor. Edhe “Brookings”, drejtuar nga Strobe Talbott, shkruan për të njëjtat gjëra, por duke vënë theksin se në eventualitetin e një destabilizimi të Turqisë, ShBA do të humbasin një nga shtyllat e sigurisë në rajon. “Përplasjet mes forcave të sigurisë dhe rinisë së armatosur kurde në qytetet kurde janë të zakonshme. Ka një frikë në rritje se kjo dhunë mund të dalë jashtë kontrollit, deri edhe sa të provokojë luftë civile mes kurdëve dhe turqve të një lloji që vendi nuk e ka provuar më parë. Nëse kjo situatë vijon ose përkeqësohet, ShBA-të rrezikojnë të humbasin një nga shtyllat e stabilitetit në një rajon shumë të trazuar”, shkruajnë ndër të tjera autorët Kemal Kirişci dhe Sinan Ekim. Sipas tyre zgjidhja është rikthimi i AKP-së, partisë së Erdoganit në modelin demokratik, “pasi ky është edhe modeli i partnerit që presidenti Barack Obama donte të kishte...”, duke insistuar kështu në tezën e eksportimit të demokracisë(http://www.brookings.edu/blogs/order-from-chaos/posts/2015/09/23-is-turk...). Nuk është shumë e qartë se cilat janë synimet e këtij “zbulimi” në Turqi, as edhe pse demokracia nuk i kërkohet si kusht Iranit, p.sh, apo Rusisë. Por siç po duken gjasat, shkrime të tilla e shohin Turqinë përmes kontraktimeve të brendshme si ato të Libisë dhe Sirisë, me luftë etnike për zgjidhje finale e me gjasë retifikim të kufijve. Për Ballkanin dhe Shqipërinë, rënia e Turqisë do të sillte pasoja, pasi Ankaraja zyrtare është sot aktor kryesor në status quonë e rajonit edhe pse kontestohet në disa drejtime. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.