Ministri i Kondomit!

Postuar në 25 Shtator, 2015 23:20

Si një vend që drejtësinë e kemi pak a shumë të ngjashme me Pakistanin, siç na e tha ambasadori Lu, kemi nevojë të ecim përpara për të kapur standarde që do na afronin me vende më të civilizuara ose perëndimore. Me karrotën e integrimit po mbushim 25 vjet që ushqehemi nga politika, e cila ka premtuar çfarë i ka ardhur në kokë nga çeqet, dollarët, Europën e deri tek cilësia e rërës dhe e diellit.

Këtë të fundit e ka premtuar ish-ministri demokrat i Kulturës, Ferdinand Xhaferri që nuk iu dha mundësia ta përmbushë për shkak të disfatës në garën për kryetar bashkie që pati me Vangjush Dakon në Durrës. Gjithsesi ky premtim dhe ndonjë mufkë tjetër e futi në histori. Por tani gjërat janë edhe më konkrete, qeveria ka ndërmend të rrisë cilësinë e jetës së shqiptarëve në shtrat. Është një tjetër ministër, kësaj radhe i një qeverie të majtë që edhe për shkak të portofit që mban ka këputur thagmën e radhës.  

Është ministri ynë i Shëndetësisë, Ilir Beqaj i preokupuar seriozisht për cilësinë e seksit dhe shëndetit seksual të kombit shqiptar. Ja çfarë ka deklaruar ai në një aktivitet për rëndësinë e përdorimit të  prezervativëve në ditën ndërkombëtare të kontraceptivëve : “Për të patur një komb të shëndetshëm, burrat dhe gratë duhet të menaxhojnë numrin e fëmijëve në mënyrë të shëndetshme. Kontraceptivët modernë, të sigurtë dhe efiktivë duhet të bëhen pjesë e stilit të jetës së njerëzve, një alternativë e shëndetshme kundrejt aborteve”. 

Me këtë këshillë që ministri Beqaj i ka dhënë publikut me qëllimin final, shëndetin seksual të kombit meriton ta quajmë ministri i Kondomit. Askush më parë nuk ka patur guximin ta bëjë këtë pë kombin. Një këshillë e tillë ndoshta do ishte e vlefshme edhe për Pakistanin ku fanatizmi dhe shëndetësia duhet të jenë në pikë të hallit. Nuk bëjmë dot një krahasim nëse edhe ne  shëndetësinë e kemi si në Pakistan apo jo, por le të themi gjëra që i dijmë dhe i jetojmë. Ilaçet vazhdojmë t’I blejmë në farmacitë jashtë spitaleve, zarfi vazhdon nga të gjitha anët, madje lekët t’i kërkojnë vetë. Kemi lajme me bollëk nga spitalet.

Në Durrës policia arrestoi një 26-vjeçar që dhunoi mjekun se e kishte drejtuar në farmacitë jashtë spitalit për të blerë një kateter urine për  babain, ndërsa  në Tiranë e sëmura me tumor qëlloi mjeken sepse i vonoi kimioterapinë. Ndërsa ministri Beqaj del dhe flet për kondomët dhe shëndetin seksual të kombit..

l.m

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.