Midhja e Butrintit në guackën e hipnozës ministrore

Postuar në 26 Shtator, 2015 14:24
Pirro Naçi

Të gjithë e kemi dëgjuar hipnozën si fjalë, por janë të paktë ata që dinë kuptimin e saj. Hipnoza e ka zanafillën nga lashtësia. Emri vjen nga greqishtja e vjetër dhe personifikon gjumin. Nga mitologjia, zoti i Gjumit ishte biri i Natës që kishte trashëgimtar Morpheun ose Formën në shqip, Fovitor-i Trëmburi, Fantasos-Imagjinatën, dhe të gjithë këta njihen si “Perënditë e Ëndrave”.

Formati ose Forma kishte aftësi për të marrë çdo formë njerëzore dhe ta shfaqte në ëndër,i Tremburi bënte ëndra të frikëshme dhe ishte personifikim i makthit, Imagjinata prodhonte ëndra fiktive dhe të errëta, por pa formë jetike dhe një tjetër perëndi apo demon, ndihmonte aspektet e ëndrave që pasqyrojnë realitet duke i bërë ato realiste....Nuk po zgjatem më me mitologjinë.

Nga ana shkencore hipnoza njihet si gjendje e nxitur e një gjumi artificial dhe jo të plotë. Kufizimi me pak fjalë ndoshta nuk i jep kuptimin e duhur,por të paktën këto 60-të vitet e fundit jo vetëm tek ne dhe në Francë, por në gjithë botën, kanë marë informacion të saktë dhe të duhur nga filmi i famshëm ‘’Boniface Somnambule’’….Kush nuk e mban mend Fernandelin e famshëm somnambul!

Të paktën këto vitet e fundit dhe sidmos këtë vit, duke ndjekur ecurinë e zhvillimit dhe problemet që mbart midhja e Butrintit, më duket se ndodhemi në një fenomen shkencor të pa hasur ndonjëherë por që duhet të jetë objekt studimi për sa i përket epidemisë së hipnozës. E veçanta e këtij fenomeni është se ajo nuk ka depërtuar vetëm në disa persona, por ka kapur dikastere të tërë, dhe sidomos atë të Ministrinë e Bujqësisë! Provoni të përdorni tek ky dikaster fjalën “midhja e Butrintit” dhe menjëherë do të shikoni se do të shfaqet një gjendje trance.

Në se do të matnim rrymat e trurit (ËG) do të vërejmë valë alfa të përforcuara dhe një përqëndrim “mjaft të madh” ndaj këtij problemi shumëvjeçar dhe mund të thoja edhe pse jo, është katandisur edhe mitologjik. Provoni të merni edhe një fakt shumë shumë të thjesht për çka po flasim. Në faqen e internetit të Ministrisë së Bujqësisë kërkoni informacion për midhjen-rezultati është 0 për “mbretëreshë e Butrintit”. Këmbëngulni te programi i kësaj ministrie, te “Peshkimi”- rezultati... ‘’Urdhër për ndalimin e peshkimit në Liqenin e Shkodrës nga 1 prilli deri më 1 maj 2014’’...Kaq. Këto janë politikat për peshkimin nga kjo ministri të paktën nga informacioni zyrtar i saj!!!

Midhja në vendin tonë është personifikuar me liqenin e Butrintit ku aktualisht janë 78-të impjante për kultivimi prej të cilave 68-të janë eficentë. Problemet për ecurinë e zhvillimit ekonomik të saj mjaft të mëdha dhe të pazgjidhshme nga viti në vit. Rritja, kultivimi, rasati, investimi privat në shumë raste me kredi bankare që arijnë shifrën 17%, investime dhe grande nga BE që tashmë nuk japin rezultat, depurimi akoma apatik, monitorimi i liqenit jashtë çdo konceptimi dhe programini dikasterial, baza ligjore për këtë produkt-inekzistente, organizimi i sektorit privat- i çorganizuar.

Një parantezë këtu, organizimi i peshkimit në vendin tonë, pas çlirimit, u bë me iniciativën e disa peshkatarëve privatë më gusht 1947, ku u themeluan edhe kooperativat e para të peshkimit. Edhe një fakt tjetër: kur filloi kultivimi i midhjes ne vendin tonë në fqinjët tanë, në Greqi, kultivimi ishte pothuajse i papërfillshëm. Vetëm rreth viteve ‘89 ose ‘90 pothuajse arritën shifrat e prodhimtarisë së midhjes së Butrintit. Pas viteve ‘90 në të dy vendet kemi një zhvillim diametralisht të kundërt. Ne sot, më 2015-ën, nuk kapim dot shifrat e prodhimit të 25 viteve më parë, kurse fqinjët tanë, sot zënë një nga vendet më të rrëndësishëm në 600 mijë tonët e prodhimit europian, pas Spanjës, Italisë dhe Francës. Ironia e fatit në faktet e mësipërme është edhe se shumë kultivues të midhjes që nisën rrugëtimin në liqenin e Butrintit morën rrugën e emigracionit dhe u bërën specialistët më të mirë të rritjes së midhjes në Greqi.

Në faktet e mësipërme nuk mund të lëmë pa përmendur edhe një aspek tjetër të saj. Duke biseduar me kultivuesit e midhjes mëson se rreth 90% e produktit shpërndahet në të gjithë vendin për konsumim me mjete jo frigoriferike. Shitja e bidonëve të midhjes në tregun e Sarandës në mënyrë ambulante flet shumë si për higjenën, funksionimin e organeve shtetërore, por edhe për zhvlerësimin e vlerave të produktit. Probleme këto që herë pas here janë trajtuar nga shtypi dhe ashiqare dihen pak a shumë shkaqet dhe arësyet. Të paktën këto 20 vitet e fundit janë evidentuar 6 kriza që kanë qëlluar dhe dëmtuar këtë ekonomi të rëndësishme. Ndryshimi i kushteve fizikokimike të liqenit ka shkaktuar dëme serioze, por situata e këtij viti është më kritikja e shënuar ndonjëherë.

Pavarësisht përpjekjeve të investitorëve, organet shtetërore dhe sidomos ministria përgjegjëse, për problemet që mbart midhja dhe liqeni i Butrintit, nuk po japin rezultat për zgjidhjen e tyre. Lejtmotivi i të gjithë kultivuesve-Shteti fle, na ka braktisur, ka abuzuar...Dhe këto fjalë përsëritin nga viti në vit. Por le të ndalemi në të tashmen dhe të shikojmë si po punohet për zgjidhjen e saj me disa fakte.

Shkurt 2014, Ministri i Bujqësisë në konferencën kombëtare “Ligatinat dhe Bujqësia”...theksonte.- “Laguna e Butrintit një pasuri e vyer. Vitin e kaluar ne patëm humbje të jashtëzakonshme në mbi 30% të species “mitilis galaprovincialis” të midhjes si rezultat i një prishje të rëndë të ekuilibrit lagunor. Ne patëm rritje të temperaturave të ujit të cilat shkuan deri në 27 gradë celsius të cilat e asfiksuan midhjen... Këto probleme presin një zgjidhje urgjente...”. Νjë qëndrim shumë i drejtë dhe i saktë dhe me plot intuitë. Intuita ose shqisa e gjashtë na ndihmon në zgjidhjet e rëndësishme duke ndjekur rrugë të ndërmjetëme midis arsyes dhe ndjenjes.

Nëpërmjet intuitës zërat e shekujve na psherëtijnë për të na thënë cila është e saktë dhe e drejtë. Nga ana mitologjike qëndrime dhe përfytyrime të tilla dhe në epoka të shkuara, nga kjo ministri, me siguri do të kishin krijuar apo personifikuar në “perënditë e ëndrave” edhe intuitën si vëlla apo motër të Morfea-Formës. Duhet theksuar dhe nuk duhet ‘’nënvleftësuar’’ se zoti mitik i gjumit Morfea, sipas legjendës, kishte pallatin e tij në Morfat të Thesprotisë në rrethinat e Igumenicës, pak milje afër liqenit të Butrintit. A thua se këto fakte mund të kenë lidhje me problemin tonë? Ndoshta është një aspekt për ta studiuar...dhe ndoshta për ta interpretuar të paktë nga disa fusha të shkencës.... Por, pas një gjumi litargjik ministria përsëri reagon. Këtu, për një gjë nuk jam i qartë: ishin apo nuk ishin në gjumë.

Gusht 2015, 19 muaj më vonë nga ligjërata e ministrit për midhjen, një qëndrim dhe njoftim i ri për të. Një urdhër i Ministrisë së Bujqësisë kërkon zhvendosjen e përkohshme të midhjes, pas temperatura të larta në liqen, në zonën bregdetare të detit Jon, rreth gjirit të Butrintit dhe alokimin e tyre deri në fund të shtatorit, sipas koordinatave të përcaktuara nga specialistët. Një vendim jo vetëm i pastudiuar mirë, jo praktik, me një kosto të madhe për kultivuesit, por përbrenda mbartte edhe elementë tragji-komikë. Kush nuk e mban mend filmin ‘’Kapedani’’, xha Sulon duke ëndëruar, në kalanë e Butrinti, i hipur mbi kalë, me dylbitë dhe shikimin rreth grykëderdhjes së Butrintit (çuditërisht në koordinatat e specialistëve të ministrisë) ku jepte urdhërin: -Tashti për hajër na qoftë.... Qazo zjarr,... Qazo zjarr,...Qazo zjarr...

Por urdhërin e tij (të specialistëve të ministrisë) askush nuk e zbatoi... Kjo është paturpësi...Kjo është paturpësi, bërtiste xha Sulua në gjumë dhe, duke u zgjuar, shikonte se a i kishte mustaqet e shkulura apo jo... Por në të vërtetë dhe për t’u kthyer tek problemi i midhjes “mustaqet”, përfaqësuesve të Ministrisë së Bujqësisë, për vendimin e marrë, ua “shkulën” me argumente dhe me përvojën që mbartin kultivuesit dhe sipërmarësit e Sarandës.

Por problemi ynë nuk është te “mustaqet e Çelos”, të xha Sulos, apo të specialistëve. Problemet e midhjes dhe të liqenit të Butrintit janë të mëdha dhe kërkojnë zgjidhje prej shumë vitesh. Shteti ja ka për borxh kultivuesve, sipërmarësve, punësimit, mirëqenies së qytetarëve, konsumatorëve të saj, ekonomisë dhe turizmit të Sarandës dhe të gjithë vendit në përgjithësi. Përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë a mund të reflektojnë për këtë problem në mënyrë publike? Thjesht, edhe me një qëndrim mediatik?

"Shekulli"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.