Meta deklaron se nuk ka probleme me ndërkombëtarët: Basha t'i kërkojë dorëheqje Ramës, jo mua

Postuar në 26 Shtator, 2015 12:44

 “Asnjë kandidat i LSI nuk ka pasur asnjë problem që të krijonte shqetësimin më të vogël me ndërkombëtarët. Nuk më është paraqitur asnjë shqetësim për asnjë deputet të LSI nga ndërkombëtarët, apo për asnjë ministër të LSI”. Kështu është shprehur Ilir Meta gjatë një vizite në Çorovodë. Këtë e bëri të ditur ne faqen e tij në Facebook keshilltari për median, Emiljano Aleksi. Reagimi i tij erdhi pas shumë ngacmimeve se Ilir Meta është izoluar nga ndërkombëtarët. Kryetari i Kuvendit theksoi më tej se “Do te jem shumë shpejt, pas 3 javësh në SHBA dhe do komunikoj me ju nga Uashingtoni.” Më tej Meta në prononcimin e tij u shpreh: “Lidhur me risitë dhe çuditë që po sjell në politikën shqiptare z. Basha, nuk kanë nevojë për shumë sqarime. Është i vetmi kryetar opozite, i cili në vend që të kërkojë dorëheqjen e kryeministrit, siç kërkohet nga kryetarët e opozitës në të gjithë Evropën dhe botën, kërkon dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit. Unë e kuptoj kush është arsyeja e tij e vërtetë. Është pakënaqësia e tij e thellë për respektin maksimal që unë tregoj jo vetëm për demokratët në parlament, por sidomos për liderin historik Berisha, duke i dhënë mundësinë të shprehë pa kufi qëndrimet e tij politike. Nuk habitem sepse qeverinë Rama e etiketon si qeverinë Rama-Meta. Madje, nuk keni dëgjuar asgjë akoma, sepse shumë shpejt do fillojë të ndërrojë vendet dhe do akuzojë qeverinë Meta-Rama dhe pak më vonë të jeni të bindur se do dëgjoni çudi të mëdha për akuzat e tij ndaj qeverisë kriminale Meta-Meta dhe për shtypjen dhe terrorit të saj ndaj opozitës së pafajshme Basha-Rama”. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.