Eurobondi, Cani thotë se në tregjet ndërkombëtare Shqipëria do kërkojë 500 milionë euro

Postuar në 26 Shtator, 2015 15:29

Ministri i Financave deklaroi të shtunën se që nga e hëna në 28 shtator për 4 ditë me radhë Shqipëria do të jetë në tregjet kryesore europiane për të emetuar eurobondin. Sipas tij, tregu po ecën në ato drejtime që kishin gjykuar dhe se monedha e zgjedhur është euro. “Ende nuk mund t’u them a do ta marrim apo jo. Nëse do gjykojmë se norma e interesit dhe kushtet do të jenë të përshtatshme, do ta marrim”, u shpreh kreu i financave. Sipas tij, situata e Shqipërisë është komode, pasi nuk kemi presion sepse eurobondi tjetër do të maturohet në nëntor dhe se qeveria i ka paratë për ta shlyer atë. Në varësi të tregut, theksoi Shkëlqim Cani, do të vendosim nëse eurobondi do të jetë në vlerë 300 apo 500 milionë euro. “Ne po punojmë intensivisht për të dalë në tregun ndërkombëtar. Nesër nisem në një tur nëpër kancelaritë europiane, si Londër, Vjenë, apo Frankfurt, për të takuar investitorë potenciale”, u shpreh ministri Cani. Sipas tij, Shqipëria e ka edhe planin B për të marrë borxh në tregun e brendshëm, por ne synojmë të mos ndërhyjmë në kredidhënie për të lënë hapësirë kredidhënies në tregun e brendshëm gjatë vitit që vjen. Por, siguroi ministri Cani, emetimi i eurobondit nuk do të rrisë borxhin publik.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.