CEZ, gropa ku kanë dorën të gjithë. 32 milionë euro dëm vetëm për 2014-ën: 11 mln euro dëm mbifaturim ndaj konsumatorëve. “Bie” marrëveshja e Mirëkuptimit...

Postuar në 26 Shtator, 2015 16:34

CEZ është një gropë që i merr të gjithë brenda. Dy javët e fundit, opinioni u njoh me disa të dhëna dhe akuza që lidhen me praktikat e uljes së çmimit të shitjes së energjisë nga KESH drejt CEZ në vitete 2010-2011-2012, përmes të cilave mendohet se janë krijuar dëme ekonomike të mëdha. Në qendër të ciklonit u vu Ilir Meta, që siç po duket puna, e ka kaluar edhe kësaj radhe valën e goditjes. Mirëpo paradokset me CEZ nuk po ndalen. Sot ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ka shpjeguar se përse në marrëveshjen e mirëkuptimit me CEZ, firmosur pas ardhjes në pushtet të shumicës së tanishme, është  përfshirë një klauzolë që amniston dhe kufizon hetimet për veprimet e CEZ në të shkuarën. Thotë Cani:  “Kur të blini ju një biznes, biznesin tim mendoni që ju që nuk mund të vini përsipër një klauzolë që nuk mund të marrësh përsipër që çfarëdo të zbulohet më pas t’i dalësh për zot ti? Është e vështirë pak e vështirë që të blesh një gjë që të të lërë litarin në gropën e hapur që përjetësisht t’i të zhytesh brenda. Kur ka shitje të këtyre masave, përgjithësisht janë klauzolat që e nxjerrin palën nga gjithë vargu i gjërave që mund të zbulohen, por kjo nuk do të thotë që nuk hapen çështje të veçanta”, tha Cani.  E teksa ministri arsyeton këtë pikë që ka prodhuar shumë diskutime, raportohet se po ndodh pikërisht “e kundërta”.  “Ish-drejtori i përgjithshëm i kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike “CEZ Shqipëri”, Josef Hajsek, vendoset nën hetim si njëri nga bashkëpunëtorët e Kastriot Ismailajt, i arrestuar prej pesë muajsh për mashtrimin pesë milionë euro në dëm të shtetit shqiptar dhe CEZ. Një burim pranë Prokurorisë së Përgjithshme deklaroi në rrugë jo zyrtare se pozitat e Hajsek mund të rëndohen akoma më tej, që do të thotë se prokurorët pritet ta marrin atë të pandehur për të njëjtat akuza të ngritura më herët ndaj 52-vjeçarit Ismailaj, administrator i shoqërisë DIA dhe i pesë kompanive të tjera, tek të cilat janë kryer transaksione me vlera të konsiderueshme”, raporton Top-Channel. Me interes është se ku konsiston akuza ndaj tij dhe sesi Prokuroria e argumenton nisjen e hetimit:  “Episodi i dytë shprehen prokurorët ka lidhje me përcjelljen e këtyre materialeve të pavërteta mbi DIA-n në prag të marrëveshjes së dytë të shkurtit 2011, nga CEZ-i në Shqipëri drejt këshillit mbikqyrës të shoqërisë në Pragë. Por ajo që është më e rëndësishme është pranimi i një pune fiktive të DIA-s për afro një vit, ku për mbledhjen e borxheve CEZ i pagoi Kastriot Ismailajt gati 5 milionë euro  dhe në këtë pikë, prokurorët nuk e përjashtojnë Hajsek nga abuzimi me ligjin. Burime pranë prokurorisë së përgjithshme bëjnë të ditur se kjo marrëveshje nuk e pengon organin hetimor të hetojë për vepra penale ku dyshohet të jenë përfshirë ish zyrtarë apo nëpunës të kompanise çeke”, vijon TCh. Çfarë pezullon atëherë marrëveshja? Më tej akoma: a është ndërhyrja e Prokurorisë në këtë aspekt, një manovër për të neutralizuar nismën e opozitës drejtur Gjykatës Kushtetuese, sa kohë praktika e prokurorisë po provon se çdo interes hetimor nuk pengohet nga marrëveshja në fjalë. Gjithë sa shihet aktualisht është zgjerimi i çështjes përtej figurës së Ilir Metës dhe infektimi i të gjithë ekipit politik në Shqipëri, i cili ka gisht në një megavjedhje për të cilin kërkuan vetëm një kurban.

Banditizëm dhe kërrbaç mbi qytetarët. Rilindja në vazhdim të traditës

Sot Kontrolli i Lartë i Shtetit publikoi një raport auditimi, pasojë e të cilit janë tre kallëzime penale për drejtues të “CEZ Shpërndarje” për shkelje që kanë sjellë një dëm ekonomik prej 32 milionë dollarësh. Kjo për vitin 2014 kur qeveria mburrej se e kishte sjellë sektorin energjetik në binarët e ligjit dhe të fitimit. Po nënvizojmë se si është krijuar ky dëm: “9,727,223 euro nga blerja e energjisë elektrike gjatë periudhës Janar – Korrik 2014; 11,082,68  euro nga mbifaturimi i konsumatorëve me pasojë uljen artificiale të humbjeve teknike; 4,359,882 euro, nga procedurat e blerjes së materialeve dhe pajisjeve elektrike”, raporton KLSH. Një vjedhje që të lë pa gojë. Të shikohet me vëmendje dëmi për MBIFATURMIN. Kanë shkuar qytetarë në burg për mospagesë energjie, ndërkohë që drejtuesit e kompanisë merrnin miliona euro. Raportin e KLSH-së po e përcjellim të gjithë të plotë, meqenëse përbën dëshminë më të qartë sesi ajo që nisi si skandal i CEZ-it me Ilir Metën, është skandali i CEZ-it me politikën.

Raporti:

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 495/1 prot, datë 21.05.2015, i ndryshuar, ushtroi auditim në shoqërinë “Operatori i shpërndarjes së energjisë elektrike (OSHEE) Sh.a., Tiranë, në përfundim të të cilit është konstatuar një dëm tërësor ekonomik në vlerën 32,039,440 euro, si dhe të ardhura të munguara për shoqërinë OSHEE dhe për Buxhetin e Shtetit në vlerën 5,630,713 euro, duke depozituar njëkohësisht pranë organit të Prokurorisë edhe kallëzimin penal nr. 495/21, datë 25.09.2015 për ish-Administratorin e CEZ Shpërndarje Sh.a., si dhe dy ish drejtues të larte të saj shoqërie, për periudhën kur kjo shoqëri ka qenë nën administrim të përkohshëm të Shtetit Shqiptar.

Më konkretisht, për periudhën e audituar 21.01.2013 deri me datë 30.06.2015, nga auditimi është evidentuar keqmenaxhimi i kësaj shoqërie për sa i përket: blerjes së energjisë elektrike, zbatimit të procedurave të blerjes së materialeve dhe pajisjeve elektrike, zbatimit të procedurave të prokurimit publik, sistemit të menaxhimit financiar dhe kontrollit, dhënies së pagave dhe shpërblimeve, hartimin dhe mbajtjen e pasqyrave financiare, , etj.

1)  Nga auditimi i blerjes së energjisë elektrike, për periudhën Janar – Korrik 2014, nga CEZ Shpërndarje SHA, rezultoi se është shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën 2,96 miliard lekë, ose 21,238,860 euro, si rrjedhojë e:

a)  Blerjes së energjisë elektrike me çmime më të larta se ato të tregut

Nga moszbatimi i rregullt i procedurave të blerjes së energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve në sistem, për periudhën Janar-Korrik 2014, nga shoqëria  “CEZ Shpërndarje” Sha, është shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën 1,357,823 mijë lekë ose 9,727,223.4 euro. Konkretisht blerja e energjisë elektrike është kryer me çmime shumë më të larta se çmimet e tregut (përfshirë dhe kostot të transportit të energjisë), nga 7.94 euro deri në 13.12 euro për Mwh.

b) Mbifaturimit të konsumatorëve me pasojë uljen artificiale të humbjeve teknike.

Nëpërmjet uljes artificiale të humbjeve teknike, është shkaktuar një dëmtim i interesave të  ligjshme të shoqërisë “KESH” sha dhe buxhetit të shtetit, për 2014, në vlerën 1,547,032 mijë lekë, ose 11,082,687 euro.

Konkretisht për vitin 2014 u konstatua se në mënyrë artificiale janë ulur humbjet teknike, veprim i cili është kryer me fatura të dyshimta (mbi faturim, keq faturim, faturim të abonentëve pa adresë si dhe abonentë që nuk kanë arkëtuar asnjëherë etj), si pasojë e të cilës i është krijuar një dëm ekonomik shoqërisë “Kesh” sh.a dhe buxhetit të shtetit në vlerën 1,547,032 mijë lekë, ose 11,082,687 euro. Ky faturim është bërë në mënyrë abuzive dhe të pasaktë, pasi reflekton një sasi të pa konsumuar të energjisë elektrike, por edhe një faturim fiktiv me abonent që nuk kanë arkëtuar asnjëherë (të cilët rezultojnë aktiv nё sistemin e faturimit, ndoshta nuk ekzistojnë etj).

c) Blerjes së energjisë elektrike nga kompani të lidhura ndërmjet tyre.

Nëpërmjet blerjes së energjisë elektrike nga tre kompani të lidhura ndërmjet tyre (një kompani mëmë dhe dy bija), për mbulimin e humbjeve te energjisë në sistemin e shpërndarjes për periudhën Korrik 2014 – Mars 2015, është shmangur konkurrenca, duke sjellë si pasojë një dëm ekonomik për llogari shoqërisë CEZ Shpërndarje sha dhe më pas për OSHEE sha, në vlerën 59,877 mijë lekë ose 428,950  euro.

2) Nga auditimi i blerjes së materialeve dhe pajisjeve elektrike nga shoqëria ÇEZ Shpërndarje, përgjatë vitit 2014, rezultoi që është shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën 4,359,882 euro, si rrjedhojë e shkeljeve të procedurave të tenderimit të vendosura nga ERE në “Rregullore e Prokurimeve të CEZ Shpërndarje sha”, lidhur me trajtimin e procedurave si raste emergjente, realizimit të tyre me një fazë negocimi, kryerjes së shtesave të kontratave në vlera të konsiderueshme që arrinin deri në 50% apo 70 % të vlerës së kontratës bazë, si dhe blerjes në disa raste të materialeve dhe pajisjeve elektrike pa zhvilluar procedura tenderimi.

3) Nga auditimi i pjesshëm për shkak të dokumentacionit të mangët ekonomiko-financiar, i disa prej kompanive të mbledhjes së borxhit tё energjisë elektrike rezultoi që këto kompani kanë përfituar padrejtësisht nga CEZ Shpërndarje Sha, së paku vlerën prej 6,074,478 euro, për të cilën grupi i auditimit të KLSH shprehet me rezervë si pasojë e:

-  Mungesës së një inventari të plotë të llogarive (inventar fizik të aseteve dhe inventar kontabël) të Shoqërisë “CEZ Shpërndarje” Sha, si në momentin e kalimit të kësaj shoqërie nën administrimin e përkohshëm të shtetit më datë 21.01.2013, ashtu edhe pas kësaj date deri në periudhën e përfundimit të këtij auditimi.

-  Mosdisponimit të programeve autentike të Shoqërisë “CEZ Shpërndarje” Sha (SAP - Programi i kontabilitetit, Billing – Programi i faturimit dhe Mobirid- Programi i leximit të matësve), mbi bazën e të cilave kjo kompani menaxhonte dhe administronte aktivitetin e saj, që nga momenti i kalimit të kësaj shoqërie nën administrimin e përkohshëm të shtetit dhe deri më periudhën e përfundimit të këtij auditimi.

-  Ekzistencës së të dhënave kontradiktore në dokumentacionin e disponuar në OSHEE nga dega ekonomike, drejtoria ligjore dhe drejtoria e shitjes.

Nga dokumentacioni i vënë në dispozicion u konstatua që për katër kompanitë e audituara, nga ana e Shoqërisë “CEZ Shpërndarje” Sha, nuk disponohej dokumentacioni i plotë për justifikimin e pagesave të dhëna këtyre kompanive të mbledhjes së borxheve, duke ngritur kështu dyshime serioze për shumat e përfituara padrejtësisht prej këtyre kompanive nga Shoqëria “CEZ Shpërndarje” Sh.a.

Në mungesë të ekzistencës së dokumentacionit të plotë justifikues për zbatimin e detyrimeve kontraktore të kompanive të mbledhjes së borxheve, vlera prej 847,936,386 lekë do të konsiderohet si dëm ekonomik i përfituar në mënyrë të padrejtë nga ana e tyre. Në lidhje me këtë konstatim, KLSH i ka rekomanduar Drejtorisë së Auditit të Brendshëm të OSHEE, marrjen e masave të menjëhershme për të përfshirë në veprimtarinë e saj audituese, aktivitetin e të gjitha  kompanive të mbledhjes sё borxhit tё keq të energjisë elektrike duke analizuar në veçanti kallëzimin penal të Avokaturës së Shtetit, përcjellë organit të Prokurorisë me shkresën nr. 526/34, datë 24.07.2013, si dhe të organizojë punën për auditimin e plotë të veprimtarisë administruese dhe menaxhuese, ekonomike dhe financiare të CEZ Shpërndarje Sha, për periudhën e administrimit të përkohshëm të kësaj kompanie, duke filluar nga data 21.01.2013.

4) Nga auditimi i zbatimit të kuadrit rregullator në dhënien e pagave dhe shpërblimeve rezultoi që është shkaktuar dëm ekonomik në vlerën 336,986 euro, si rrjedhojë e pagesave të tepërta për shpërblime në fund të vitit,  si dhe një dëm ekonomik në vlerën 29,232 euro porsa i përket shpenzimeve të ndryshme operative.

5) Nga auditimi i blerjes së energjisë elektrike në muajin dhjetor 2014 u konstatuan të ardhura të munguara për shoqërinë OSHEE dhe për buxhetin e shtetit, të krijuar nga eksporti i energjisë nga KESH sha dhe importit të energjisë nga OSHEE në vlerën 5,630,713 euro, ku OSHEE kishte blerë energji elektrike me çmim 22,32 Euro/Mwh më të lartë se sa çmimi i shitjes së KESH sha në këtë periudhë.

Gjithashtu, nga auditimi rezultoi që ERE, me veprimet dhe mosveprimet e saj, ka krijuar një situate konfuze në sistemin energjetik, jo vetëm në aktet e nxjerra prej saj, por dhe në monitorimin e shoqërive që operojnë në sistemin energjetik, me pasoje financiare për buxhetin e shtetit, kryesisht duke mos përcaktuar detyrimin e dy shoqërive KESH dhe CEZ për të rakorduar në lidhje me tepricat e prodhimit të KESH sha. Situatë e cila është përmirësuar vetëm në Shkurt 2015, nëpërmjet vendimit të ERE nr. 12, datë 06.02.2015 dhe marrëveshjes përkatëse ndërmjet KESH dhe OSHEE.

Veç sa më sipër, auditimi i KLSH ka evidentuar që nga ana e CEZ Shpërndarje Sh.a., nuk janë ndjekur procedurat për hartimin, miratimin e projekt-programit ekonomik dhe financiar, nuk është raportuar periodikisht në ERE; nuk është miratuar niveli i pagave të punonjësve në ministrinë përkatëse; ka diferenca në inventarizimin e aktiveve të qëndrueshme; ekzistojnë mospërputhje e llogarive të arkëtueshme midis sistemit të faturimit dhe të dhënave të kontabilitetit për faturat e papaguara nga abonentët, si dhe mospërputhje e detyrimeve për huat afatgjata me KESH SHA; ka mangësi në zbatimin e procedurave të prokurimit publik dhe në zbatimin e kontratave, nuk është ngritur njësia e prokurimit; studimi i vlerës së kontratës nuk është plotësisht i saktë; nuk është hartuar dhe miratuar një plan strategjik auditimi dhe plan vjetor i punës së departamentit të auditit të brendshëm; ka mangësi në procedurat dhe zbatimin e tyre për blerjen e energjisë elektrike dhe mbledhjen e borxhit të shoqëruara me dëm ekonomik, etj.

Në total, nga auditimi rezultoi që dëmi ekonomik që i është shkaktuar buxhetit të CEZ Shpërndarje Sh.a. (aktualisht OSHEE) dhe për rrjedhojë edhe buxhetit të shtetit, arrin në vlerën 32,039,440 Euro dhe të ardhurat e munguara arrijnë në vlerën 5,630,713 Euro. Me shkresën nr. 495/21, datë 25.09.2015, KLSH ka depozituar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Tiranë, kallëzimin penal për A.S. në cilësinë e ish-Administratorit të shoqërisë CEZ Shpërndarje Sh.a., (përgjatë vitit 2014); E.Z. në cilësinë e ish-Drejtorit të Departamentit të Shitjes në CEZ Shpërndarje Sh.a.; dhe J.Z. në cilësinë e ish-Drejtorit të Shërbimeve Mbështetëse në CEZ Shpërndarje Sh.a., të cilët në mospërmbushje të rregullt të detyrës së tyre funksionale kanë konsumuar elementët e figurës së veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe më konkretisht për shkeljet e konstatuara në lidhje me:

-   Blerjen e pajisjeve dhe materialeve elektrike emergjente për nevojat e shoqërisë, në vitin 2014,

-   Moszbatimin e kuadrit rregullator për blerjet e energjisë elektrike, duke e blerë atë me çmime më të larta se ato të tregut, si dhe

-   Uljen artificiale të humbjeve teknike, nëpërmjet mbifaturimit të konsumatorëve.

Gjithashtu, referuar Vendimit nr. 119, datë 24.09.2015 të Kryetarit të KLSH-së në lidhje me këtë auditim, në të janë përcaktuar dhënia e rekomandimeve për 30 masa organizative, 16 masa të ndryshme disiplinore që variojnë nga zgjidhja e kontratës së punësimit deri në vërejtje, si dhe 9 masa zhdëmtimi.

Shënim:

1. Theksojmë që ky auditim i KLSH-së do të ishte zhvilluar që në muajt e parë të vitit 2014, ku KLSH me shkresën nr. 263, datë 05.03.2014 kërkoi auditimin e CEZ Shpërndarje sha, i cili në atë periudhë kishte kaluar nën administrim të përkohshëm të Shtetit Shqiptar. Auditimi u pengua me të padrejtë nga administratori i CEZ Shpërndarje Sh.a., duke sjellë pengesa artificiale dhe të qëllimshme  për ta refuzuar atë, si dhe për shkak të bllokimit që iu bë ligjit të ri organik të KLSH-së përgjatë gjithë vitit 2014.

2. Gjatë periudhës 2008-2012, CEZ Shpërndarje Sh.a. nuk ka qenë subjekt i auditimit nga KLSH si pasojë e faktit që Shteti zotëronte në atë kohë vetëm 24 përqind të aksioneve të kompanisë dhe KLSH me Kushtetutë nuk mund të auditojë kompani private ku Shteti ka më pak se 51 përqind të aksioneve.

3. Një pjesë e problematikës së administrimit publik të CEZ Shpërndarje Sh.a. është trajtuar edhe në dy auditimet që KLSH ka zhvilluar në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë përgjatë muajve mars-shtator 2015 dhe në Avokaturën e Shtetit, auditime të cilat janë drejt përfundimit.

 

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.