Një aleancë politike që po shkon në Drejtimin e Duhur

Postuar në 23 Shtator, 2015 22:47

Një ditë pasi në “Opinion” u lajmërua se do shfaqet nesër një video e një personi, të konsideruar kyç për çështjen e CEZ dhe që parashikohet të vërë në qendër Ilir Metën, mediat kanë zbardhur emrin e tij. Elvis Mataj, ish-drejtor Ekzekutiv i DIA-s, kompanisë së drejtuar nga Kastriot Ismailaj. Mataj është një njeri, dikur i afërt me Ilir Metën dhe ky fakt përcillet me idenë se lidhja Ismailaj-Meta është ekskluzive dhe përcaktuese në kontratën e kësaj kompanie me CEZ. Personi që u akuzua se po e kërcënonte, Rezart Ruëaj, telefonoi në “Opinion” dhe deklaroi se e mirëpret videon, pasi siç u shpreh, ka qenë ai që ka iniciuar mbrojtjen e Matajt. Mbeten të gjitha spekullime deri në shfaqjen e saj. Sot qarkulloi një lajm tjetër: Blendi Fevziu ka qenë në zyrën e Kryeprokurorit Adriatik Llalla, një lajm i pakonfirmuar dhe që jepet me burime nga portali “Syri.net”. Portali shton, sërish me burime, se Ilir Meta ka ndërhyrë personalisht te Llalla që Prokuroria të zhvlerësojë dëshminë e Matajt. Siç shihet është vënë në lojë një mekanizëm i tërë për të goditur Ilir Metën në pozicionin e vet të tanishëm. Kjo brenda një viti dhe me akuza penale. Kësaj radhe, duhet nënvizuar fare qartë se Sali Berisha është bashkëpërgjegjës në këtë aferë dhe është jashtë çdo logjike që të thuhet se “i hodhën hi syve”. Duke qenë se për Ilir Metën dhe Sali Berishën, e tani edhe për Edi Ramën, janë thënë e po thuhen shumë gjëra, akuza nga më të rëndat, nuk ka rëndësi dhe aq të madhe vërtetësia e tyre. Pasi edhe duke i marrë të gjitha të vërteta, ashtu siç thuhen, nuk bën më ndonjë gabim, e lëre më mëkat. Rëndësi ka produkti i kësaj loje që zhvillohet korridoreve të politikës. Përmbajtja e videos që do të transmetohet nesër, d.m.th materiali, do të përcaktojë edhe natyrën e akuzës publike, që një pjesë e politikës do t’i dhurojë opinionit në formën e një gjyqi popullor. Në Shqipëri ndodh çdo gjë, por lëmshi i një ngjarjeje të tillë do kërkojë një qëndrim nga mazhoranca. Siç shihen punët, Edi Rama dhe partia që i shkon pas, nuk kanë këllqe e ndoshta as interes të vënë në lëvizje një kërkesë të hapur për dorëheqje, e ca më keq, një mocion. Ilir Meta ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të largohet. Ky bllokim që po frenon debatin e vërtetë politik, që është kriza në marrëdhëniet brenda mazhorancës, nuk mund të zhbëhet me heshtjen e kryeministrit si në rastin “Doshi”. Jemi përballë një mazhorance të “qelbur” në ngjarje nga më të ndryshmet, edhe pse përpjekja brenda saj është transferimi i absesit nga një gjymtyrë te tjetra. Ndaj eventualiteti i një largimi të Metës, nuk përjashtohet më, por ai do parë si hap që çon në zgjedhje të parakohshme, për të cilat së fundmi ka edhe sondazhe. E majta zyrtare shqiptare e ka të pamundur bashkimin. Ky ishte rasti i dytë që nuk funksionoi. Kjo falë edhe tjetërsimit social të lidershipit të PS-së në krahasim me partinë e viteve ‘2000. Por kur “dehja” nga gëzimi për “shporrjen e qelbësirës” do të ketë dalë, kur çështja “Meta” të ketë humbur peshën, do të kujtohen sërish të gjithë për malin e së keqes që kanë përpara e që i qeveris me “gusto” europiani dhe zanat turkoshaku. Të shpresojmë vetëm që 1 milion vota të jenë historia e hidhur e nje politike që i mashtroi shqiptarët, për të mos u përsëritur më. Sepse e shohim dhe e dëshmojmë se asnjë prej "qelbësirave" nuk meriton kaq besim, edhe po t'i përmbahemi thënies: "Çdo popull meriton qeverinë që ka".

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.