Dy versionet e skandalit të CEZ

Postuar në 24 Shtator, 2015 17:25

Ridvan Bode, ka dalë sot në një konferencë për shtyp, ku ka sqaruar versionin e tij, për vendimet e viteve 2010-2011-2012 për çmimin e shitjes së energjisë nga KESH drejt CEZ. Bode ka deklaruar se nuk ka asnjë vendim të tij, si ish-ministër Financash, për uljen e çmimit, pasi kjo ishte kompetencë e Entit Rregullator të Energjisë. Letra e demonstruar nga Ylli Manjani, në emisionin “Opinion” sipas Bodes, është një kthim përgjigje ndaj një letre të ERE-s. Këtu do theksuar se versioni i Bodes u sqarua edhe nga Enno Bozdo në “Opinion”,  i cili tha se ka qenë Banka Botërore, ajo që përmes vlerësimit të ri të borxhit të keq të CEZ-it në masën 16.8%, që ka sugjeruar uljen e çmimit nga 2.8 lekë në 2.2 lekë. “ERE në vitin 2011, pas publikimit të raportit nga Deloitte, vendosi çmimin 2.8 lekë duke mos e marrë në konsideratë raportin e Deloitte për nivelin prej 16.85% të borxhit të keq. Pra faturave të papaguara të energjisë elektrike. Kjo solli kërkesën e CEZ drejtuar Bankes Boterore dhe Qeverise Shqiptare, per te sekuestruar garancine prej 60 milionë euro në datën 25 nëntor 2011. Banka Botërore, në rolin e arbitrit dhe garantuesit të marrëveshjes, pas vlerësimeve të saj teknike, njoftoi institucionet shqiptare dhe CEZ, me letrën e saj të datës 14 Dhjetor 2011, ku qeveritarët e akuzuar nuk janë të interesuar ta nxjerrin. Në këtë letër Banka Botërore shkruan se; Qeveria shqiptare për shkak të vendimit të mësipërm të ERE-s rrezikonte humbjen e 60 milionë eurove.  Ajo mbështeste qeverinë për të gjetur një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme dhe se për të arritur këtë, ERE duhej të miratonte nivelin e borxhit të keq 16.85% dhe të reflektonte këtë gjë në tarifat përkatëse. Kjo zgjidhje konsiderohej nga Banka Botërore si në përputhje me praktikat më të mira dhe në përputhje me interpretimin e saj për deklaratën rregullatore për borxhin e keq. Nëse bëhej kjo, kërkesa e CEZ për të sekuestruar garancinë bankare të mbajtur prej saj, nuk do të ekzekutohej”, tha Bode.  Për rrjedhojë akuza e ngritur deri më tani se u influencua një vendim i ERE-s me synim uljen e çmimit duket se bie, në dritën e ndërhyrjes së Bankës Botërore, që lajmëroi marrjen e garancisë prej 60 milionë eurove.

Mungojnë disa muaj...

Por po t’i referohemi burimit mediatik të këtij skandali, BIRN-it, lexojmë se mes akuzës së ngritur dhe asaj që thotë Bode ka një hapësirë kohore disa mujrore, në të cilën pretendohet se kanë avulluar 30 milionë dollarë: “Sipas Clifford Chance, përpara se marrëdhënia midis CEZ Shpërndarje dhe Ismailajt të prishej në vjeshtën e 2011, biznesmeni shqiptar arriti të influencojë të paktën një vendim të dyshimtë të Entit Rregullator të Energjisë. Ky vendim u mor nga ERE në dhjetor të vitit 2010, pasi DIA ishte paguar 1.48 milionë euro nga CEZ shpërndarje, në tre pagesa prej 485,000 euro për raportin fals të identifikimit të debitorëve. Pagesa u zgjodh të ishte më pak se 500,000 euro, në mënyrë që të shmangte aprovimin e Këshillit Mbikëqyrës të kompanisë,” shkruan Clifford Chance. Raporti i identifikimit të borxhit, një dokument pa asnjë vlerë për CEZ Shpërndarje, u dorëzua në Mars 2011, katër muaj pasi u paguan 1.48 milionë euro.  Vendimi i marrë nga ERE në dhjetor të vitit 2010 ulte çmimin e shitjes së energjisë nga KESH tek CEZ me 27 për qind; nga 2.03 lek në 1.48 lek. Dëmi i shkaktuar në kompaninë shtetërore dhe të subvencionuar KESH nga ky vendim arbitrar vlerësohet në më shumë se 30 milionë dollarë”, shkruan “BIRN”.  Nga kjo periudhë deri në rritjen e çmimit në 2.8 lekë kalojnë disa muaj. Mund të pyetet: a ka shanse që për kaq muaj të kenë humbur 30 milionë dollarë?

ERE e pavarur?

Nëse është kështu, atëherë vjen në vëmendje akuza e LSI-së së Ismailaj ishte ortak me Vilson Ahmetin, të vëllanë e Petrit Ahmetit, ish-këshilltar i kreut të ERE-s, Bujar Nepravishtës, aktualisht në ERE. Kjo pasi po të shihet me vëmendje, si PD-ja, ashtu edhe LSI-ja pretendojnë se nuk kanë patur asnjë ndikim në vendimmarrjen e ERE-s për çmimin e energjisë. Nëse do të vijmë në ndryshimin e çmimit të energjisë nga qeveria aktuale, do të shohim se në thelb ai çmim u vendos nga qeveria dhe ERE vetëm sa e zyrtarizoi.  Ministri Damian Gjiknuri do të deklaronte muaj përpara aktit se çmimi do të jetë më i vogël sesa mesatarja e dy çmimeve të fashës. Për rrjedhojë është e pasaktë të thuhet se ERE ka qenë e pavarur në vendimmarrjen e saj. Enno Bozdo deklaroi në “Opinion” se “ulja e çmimit në 1.48 lekë solli largimin e Bujar Nepravishtës nga detyra”, çka nënkupton se luhatje të tilla nuk ka sesi të bëheshin efektive pa miratimin nga lart. LSI-ja pretendon se Nepravishta ishte i caktuar aty nga PD-ja, kështu që deri më tani mund të shihet një përballje influence mbi ERE-n. Nga ana tjetër, rritja e çmimit ka sjellë zhvillimet e mëpasshme dhe kalimin në arbitrazh nga DIA e Ismailajt. Bode jep një version që sugjeron shkakun e konfliktit: “Faktet që ka konstatuar vetë avokati i qeverisë shqiptare, në letrën e tij drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare, pasi ka shqyrtuar të gjitha dokumentet ka dalë në konkluzion se në vitin 2012, çmimi i KESH është rritur me 48%, dhe nuk është ulur siç pretendojnë,  dhe se kjo siç duket ka sjellë prishjen e pazareve mes DIA dhe atyre që janë të lidhur me të  dhe CEZ. Për saktësi ju lutem referoheni paragrafit 1743 në faqen 31 të raportit të vetë konsulentit ndërkombëtar”.  Le të kujtojmë këtu, se këto akrobaci shkresash identifikojnë një rrëmujë dhe një lëmsh nga ku do të përfitonte patjetër dikush.  Sekush këtë mbetet vetëm ta hamendësojmë, por në planin politik mund të shtojmë dy momente: së pari, se në vitin e fundit të qeverisjes së tij, Berisha si kryeministër ka patur fërkikme me CEZ. Së dyti, pavarësisht të gjithave këture fakteve, ai u përpoq deri në fund në përsëritjen e marrëveshjes me Ilir Metën. Kjo i bën bashkëpunëtorë në një skandal që edhe sikur të mos verifikojë këto shifra, e solli sistemin e shpërndarjes në Shqipërin nën menaxhimin e një kompanie që mori qindra milionë kur iku. Skandalet e CEZ-it që përfliten aktualisht duhen patjetër të shoqërohen me zbardhjen e marrëveshjes që qeveria aktuale bëri me kompaninë çeke, pasi aty mund të kuptohet se kush ka çeduar dhe për cilat arsye. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.