Shënim: Protesta ekziston. Asaj i mungon organizmi

Postuar në 22 Shtator, 2015 19:09

Shqipëria është në një luftë politike të vazhdueshme mes dy palëve që njëra-tjetrën e quajnë fundin e perspektivës për shqiptarët. Publiku është në mes dhe duhet të zgjedhë mes dy alternativave, të besojë dhe t’i bindet njërës apo tjetrës palë për rrugën që duhet të marrë, artikuluar si kryqëzime idesh mes partive që periodikisht që ndërrojnë  vendet, në pushtet e në opozitë.  

Aktualisht oferta politike ka shkuar në skaje: Nga njëra anë kemi qeverinë dhe zellin e saj për t’i dhënë fund informalitetit në ekonomi, bujqësi, zdrukthtari, zejtari etj., dhe në anën tjetër një opozitë që ngre në protesta ish-të pëndjekurit dhe bën thirrje për mosbindje civile. Qeveria kërkon të vendosë disiplinë fiskale duke mos kursyer gjobat edhe për shitësit ambulantë, me pretendimin se me paratë që do të përfitojë nga skema kundër evazionit do të ndërtojë, shkolla, kopshte e spitale, me një fjalë shërbime publike për qytetarët.  Parimisht qeveria ka të gjithë të drejtën që të kërkojë të vendosë rregullin dhe zbatimin e ligjit. Këtu nuk ka kundërshtuar askush, por çështja është besimi i cenuar mes një pjese qytetarësh dhe institucioneve, që operojnë në mënyrë selektive. Ky besim është cenuar për një sërë shkaqesh dhe si pasojë e disa ngjarjeve: A mund t’i besohet një qeverie,  ministri i Brendshëm  i së cilës është i akuzuar për përfshirje në trafik droge që krijojnë dyshime serioze? A është e besueshme një mazhorancë, kur të paktën 4  deputetë të saj janë të implikuar dhe të përfolur në çështje kriminale? A mund t’i besohet një formule sipas së cilës paratë informale do shkojnë për të mirën e popullit kur miliona lekë shkuan në xhepat e zyrtarëve vetëm me skemën e rimbursimit të ilaçeve dhe kur nga Kontrolli i lartë i Shtetit janë gjetur shkelje në shumë procedura tenderimi të punëve publike? Pra kur vetë shteti vjedh qytetarët dhe në krye të tij janë njerëz të përfolur dhe me rekorde kriminale, a mund të jetë e besueshme thirrja për t’i besuar aksioneve të qeverisë për një shtet të së drejtës dhe mirëqenies sociale?

Nga ana tjetër është opozita zyrtare që thërret popullin të ngrihet në këmbë pë të vepruar në kushtet e mosbindjes civile ndaj qeverisë, kur vetë ajo është e kapur nga e shkuara e saj, është përgjegjëse për rendin demokratik dhe varfërinë e shqiptarëve dhe për më tepër ndaj figurave të saj rëndojnë akuza për korrupsion, shpërdorim  të detyrës apo vrasje.

Një opozitë që qan e ankohet për situatën ku është shëndetësia sot, për rendin dhe trafikun e drogës, apo për sulmin ndaj informalitetit dhe energjisë së papaguar, kur ajo është arkitektja e gjendjes që trashëgoi qeveria aktuale, madje një pjesë e kabinetit të mëparshëm thjesht sa u transferua në qeverinë e Edi Ramës.

 Opozita po përpiqet të japë idenë se revolta popullore po zien, duke qëndruar pas protestave të tregëtarëve në Shkodër apo mitingjeve antikomuniste të ish-të përndjekurve në oborrin e Ministrisë së Brendshme.

Raporti konfidencial i OSBE-së, që solli kaq pështjellim, nuk i ndau palët nga njëra-tjetra dhe foli për persona të inkriminuar dhe të pasuruar në mënyrë të paligshme nga të dyja krahët.  Si rrjedhojë shqiptarët ndodhen në një situatë të pazakontë: nga një anë një qeveri, e tillë pse është mandatuar dhe pse kontrollon instrumentet e ushtrimit të pushtetit dhe nga ana tjetër një opozitë që konstituohet si alternativë verbale e kundërshtimit. Të dyja shkaktare reciproke e krizës.

Ka disa rrugë që mund të hamendësohen: një është rebelimi, mosbindja civile, një tjetër është përkrahja e kauzave që gjithësesi krijojnë perspektiva pozitive dhe imponojnë pastrimin relativ të politikës. Protesta ka sot peshën e vet të lexueshme, edhe pse ende pa e shfaqur forcën. Dhe këtu opozita ka të drejtë ndoshta. Sido që të shkojë puna, nëse shoqëria do të reagojë, kjo do të ishte një përgjigje e mirë ndaj tezës se "gjithë shoqëria është e korruptuar".  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.