Rama biznesit italian: Do pendoheni nëse nuk investoni në Shqipëri

Postuar në 22 Shtator, 2015 17:13

Vetëm në Shqipëri ekonomia trajtohet me romuze dhe kur ky është parim pune i kryeministrit, imagjinoni rezultatin që mund të ketë. Pika më e favorshme që kryeministri Rama u ka prezantuar investitorëve italianë për të ardhur dhe derdhur kapitalin e tyre në Shqipëri  është ngjashmëria mes popujve. “Çdo italian që investon në Shqipëri, faktikisht investon në një pjesë të panjohur Italie dhe çdo ditë që punon me shqiptarët, provon se ne jemi faktikisht, dy popuj të ndryshëm, por krejtësisht një lloj tipologjie njeriu dhe shoqërie. Sigurisht, ju keni Leonardo Da Vinçin, ne kemi Skënderbeun, por po të shikojmë me sytë e të sotmes, ju i ngjani Leonardos, sa ç’i ngjajnë grekët e sotëm Platonit, ne i ngjajmë Skënderbeut, sa i ngjani ju Leonardos.”-theksoi kreu i qeverisë në takimin me përfaqësues të dhomave të Tregëtisë, Shqipëri-Itali.  Një tjetër argument për të bindur italianët sipas kryeministrit është ky: ” Në fund të fundit, Shqipëria, në shumë pikëpamje është si një pjesë e Italisë edhe nga pikëpamja gjeografike, edhe nga pikëpamja klimaterike, edhe nga pikëpamja e mendësisë shoqërore. Kështu që besoj se është një terren ideal për të investuar, pa u ndjerë sikur po investon në një terren të huaj. Kush investon sot, në Shqipëri, pa pritur që të gjitha gjerat të jenë në rregull, bën një investim që nesër do të pendohet pse nuk e bëri, në rast se nuk e bën. Kur të gjitha gjërat të jenë në rregull, nuk do ketë më nevojë për shpirtin e aventurës tuaj. Sot duhet edhe shpirti i aventurës tuaj”. Lidhur me gjendjen reale të ekonomisë dhe reformat që janë bërë nga kryeministri u prezantua kjo panoramë: “Ne praktikisht jemi në muajt kur po shlyejmë përfundimisht borxhet. Kishim 720 milionë dollarë borxhe, që për ekonominë tonë janë shumë. Në këtë pikë, ne besoj ia dolëm që ta kthejmë shtetin në një pozicion të barabartë me sipërmarrjen, ku të dyja palët kanë detyrime dhe jo vetëm të drejta. Ndërkohë që shteti ynë, përmes qeverisë së mëparshme, ishte mësuar që t’i njihte vetes vetëm të drejta, por asnjë detyrim”-theksoi Rama.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.