Hyn në fuqi, leje dhe raportim te Bushati për çdo kontakt me të huajt

Postuar në 22 Shtator, 2015 08:59

Ka hyrë në fuqi vendimi i qeverisë që kërkon nga çdo titullar apo funksionar i adinistratës publike të marrë miratimin e ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati për çdo vizitë jashtë vendit apo takim me diplomatë e ambasadorë të huaj. Vendimi mban datën 9 shtator, por sot është botuar në fletoren zyrtare. Sipas këtij vendimi Ministrat e zëvendësministrat, drejtuesit e institucioneve qendrore në varësi të kryeministrit e të ministrave, drejtuesit e institucioneve të tjera të administratës shtetërore dhe të organeve të pushtetit vendor, në deklaratat verbale e të shkruara dhe intervistat për probleme të rëndësishme të marrëdhënieve me jashtë duhet të jenë në përputhje me programin e qeverisë për politikën e jashtme të Republikës së Shqipërisë. Funksionarët e lartpërmendur, në deklarimet e tyre publike duhet të konsultohen paraprakisht me Ministrinë e Punëve të Jashtme. Të gjithë këta funksionarë, në korrespondencën me ambasadorë e përfaqësues të tjerë të huaj, të akredituar në Republikën e Shqipërisë, për çështje me karakter politik ose me rëndësi për marrëdhëniet e Republikës së Shqipërisë me shtetet e tjera apo organizatat ndërkombëtare, duhet të njoftojnë paraprakisht Ministrinë e Punëve të Jashtme, e cila jep me shkrim mendimin e saj për qëndrimin që duhet mbajtur. Të gjithë këta funksionarë e realizojnë korrespondencën e tyre zyrtare me misionet diplomatike të akredituara në Republikën e Shqipërisë nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme. Vizitat zyrtare dhe të punës së anëtarëve të Këshillit të Ministrave jashtë shtetit zhvillohen me miratimin e Kryeministrit, pasi ministri i Punëve të Jashtme të jetë shprehur me shkrim. Kërkesa për miratimin e vizitës i drejtohet njëkohësisht, kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme. Anëtarët e Këshillit të Ministrave brenda çdo tremujori paraqesin me shkrim pranë kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme planin e vizitave jashtë vendit për tremujorin në vazhdim. Të gjithë këta funksionarë nuk mund të pranojnë ose të refuzojnë ftesa zyrtare nga homologët e tyre si dhe nuk mund të dërgojnë ftesa zyrtare, pa u këshilluar më parë me Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ministritë, institucionet qendrore në varësi të kryeministrit e të ministrave, institucionet e tjera të administratës shtetërore dhe organet e pushtetit vendor në ushtrimin e veprimtarisë me jashtë, kanë për detyrë: a) të njoftojnë menjëherë Ministrinë e Punëve të Jashtme për çështjet në fushën e marrëdhënieve me jashtë, që trajtohen gjatë takimeve të drejtuesve të institucionit me përfaqësues të trupit diplomatik të shteteve dhe me përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, të akredituara në Republikën e Shqipërisë, apo në letrat dhe mesazhet që autoritete të huaja i dërgojnë drejtuesit të institucionit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.