Bushati i merr kompetencat Nishanit, shkarkon ambasadorin në OSBE

Postuar në 19 Shtator, 2015 10:15

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati është përfshirë në një tjetër shkelje procedure zyrtare, kësaj radhe duke i marrë kompetencat e Presidentit dhe duke urdhëruar lirimin nga detyra të ambasadorit shqiptar në OSBE, Spiro Koçi. Siç shkruan gazeta Panorama, Bushati nëpërmjet sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme, i ka dërguar një letër zyrtare ambasadorit shqiptar në OSBE, të cilit i ka njoftuar se ndaj tij kanë nisur procedurat e lirimit nga detyra dhe për rrjedhojë duhet të kthehet në atdhe brenda datës 1 tetor. Burimet nga Panorama konfirmojnë zërin e kabinetit Presidencial, të cilët bëjnë me dije se kreu i shtetit nuk ka firmosur asnjë dekret që të lirojë ambasadorin Spiro Koçi nga detyra. Po ashtu mësohet se ministri i Jashtëm nuk ka propozuar kandidaturë të re për postin e ambasadorit, ndërkohë që nuk ka dërguar asnjë kërkesë te Presidenti për të liruar nga kjo detyrë përfaqësuesin e selisë diplomatike në Vjenë.

Sipas Kushtetutës, Presidenti është i vetmi që ka tagër ligjor të lirojë apo të emërojë ambasadorët me propozim të Kryeministrit. “Presidenti ushtron edhe këto kompetenca:

dh) me propozim të Kryeministrit, emëron dhe liron përfaqësuesit e plotfuqishëm të Republikës së Shqipërisë në shtetet e tjera dhe në organizatat ndërkombëtare;

e) pranon letrat kredenciale dhe tërheqjen e përfaqësuesve diplomatikë të shteteve të tjera dhe të organizatave ndërkombëtare të akredituara në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në nenin 92 të Kushtetutës.

 

Burimi: Gazeta Panorama

Comments

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

S'prish pune fare, a nuk ka thene Edvin Rama se po ben shtet?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.