Tezat për Luftën, K. Frashëri: Italia fashiste kërcënonte ekzistencën e kombit shqiptar. 52 mijë kolonë u vendosën në 8 muaj në Shqipëri

Postuar në 17 Shtator, 2015 17:39

Kristo Frashëri publikon një analizë të vetën në gazetën “Dita” me temë Luftën Nacionalçlirimtare. Për këtë temë është shkruar shumë, historianët vijojnë të grinden për rolin e disa prej figurave etj., gjithë duke marrë më shumë rreshtime politike. Frashëri ka një lloj autoriteti në Shqipëri, edhe mse profesionistëve të fushës, kështu që mendimi i tij dëgjohet. Po veçojmë tre momente nga analiza: së pari se pushtimi i Italisë, nuk zhbëri pavarësinë e Shqipërisë, por sipas Frashërit, ajo rrezikonte ekzistencën e kombit shqiptar. “Me pushtimin në prill të vitit 1939 Italia fashiste nuk i shkaktoi Shqipërisë vetëm humbjen e pavarësisë kombëtare. Ajo i krijoi asaj edhe rrezikun e zhdukjes së shqiptarëve si komb. Kjo për arsye të planit që kishte Musolini për ta italianizuar Shqipërinë nëpërmjet kolonizimit të saj me banorë italianë. Mjafton të kujtojmë se deri në fund të vitit 1939, pra brenda tetë muajve të parë të pushtimit ishin vendosur në Shqipëri rreth 52 mijë banorë italianë, pa llogaritur repartet ushtarake. Vetëkuptohet se kolonizimi po të vazhdonte me këtë ritëm, brenda disa dhjetëvjeçarësh Shqipëria do ta humbiste fytyrën e saj etnike”, shkruan Frashëri. Pyesim sesi do të ishte sot bregdeti shqiptar me këtë popullsi të re? Me siguri më mirë se barbaria e tanishme.

Pika e dytë, kritika mbi Kongresin e Përmetit dhe vendimi për mbretin Zog. Shkruan Frashëri: “Në Kongresin e Përmetit nuk u trajtua vendosja e regjimit komunist në Shqipëri. Vendimet e Kongresit flasin për një regjim demokratik popullor. Nuk duhet harruar se Enver Hoxha i Kongresit të Përmetit nuk ishte Enver Hoxha i Kongreseve të Partisë së Punës. Kur u mblodh Kongresi i Përmetit, ai nuk njihej si burrë shteti. Emri i tij ishte shpallur një vit më parë në Labinot si komisar politik i Shtabit të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Ai nuk kishte në biografinë e vet paudhësi, me të cilat e mbushi më vonë CV-në e vet. Ta stigmatizosh Enver Hoxhën e vitit 1944, siç veprojnë disa gazetarë të ditëve tona, me tiparet që ai krijoi në vitet e regjimit komunist, është logjikë antihistorike. Megjithatë, në Kongresin e Përmetit mund të vihen re edhe të meta. Për shembull, vendimi për të ndaluar hyrjen e Zogut në Shqipëri për shkak të politikës së tij të Paraluftës ndaj Italisë nuk qëndron, përderisa pas 7 prillit 1939 zogistët u pranuan nga komunistët si aleatë në Konferencën e Pezës”, vijon Frashëri.

Momenti i tretë është teza, e paqenë sipas tij, e marrëdhënies së drejtpërdrejtë mes Luftës dhe pushtetit. “Nuk mund të heshtim në këtë referat pa e prekur, natyrisht shkurt, çështjen e ngritur nga disa historianë, nëse në Shqipëri regjimi komunist i Pasluftës i ka rrënjët e veta historike në gjirin e Luftës Nacionalçlirimtare. Ne nuk e pranojmë këtë lidhje gjenetike midis regjimit komunist dhe Luftës Nacionalçlirimtare. Dëshmi kemi faktin se gjatë Luftës së Dytë Botërore luftëra nacionalçlirimtare u zhvilluan në të gjitha vendet e pushtuara të kontinentit. Në luftë kundër okupatorit të huaj morën pjesë, diku të bashkuar, diku të veçuar, të gjithë faktorët patriotikë, të djathtë dhe të majtë. Por, në Shqipëri me qëndrimin që mbajtën gjatë operacionit të dimrit, Balli Kombëtar dhe Lëvizja e Legalitetit e përjashtuan veten e tyre nga pjesëmarrja në Kongresin e Përmetit. Edhe demokratët e krahut të majtë të cilët luftuan krahas komunistëve në gjirin e lëvizjes nacionalçlirimtare nuk janë pa përgjegjësi. Nuk duhet të harrojmë se shumica dërrmuese e partizanëve luftëtarë, po ashtu dhe shumica e komandantëve, me përjashtim të komisarëve politikë, nuk ishin anëtarë të Partisë Komuniste. Sipas të dhënave zyrtare të shpallura herë pas here kur u çlirua Shqipëria, Ushtria Nacionalçlirimtare kishte afërsisht shtatëdhjetë mijë luftëtarë dhe luftëtare, kurse Partia Komuniste, brenda dhe jashtë ushtrisë, dy mijë anëtarë. Kjo do të thotë se Ushtria Nacionalçlirimtare ishte potencialisht armatë e faktorit jo komunist që luftonte si aleate me Partinë Komuniste në lëvizjen nacionalçlirimtare. Por demokratët e majtë merrnin pjesë në radhët e lëvizjes nacionalçlirimtare si elektronë të lirë, në aleancë me komunistët, të cilët ishin të organizuar në një parti militante të stilit bolshevik. Pra, ndonëse në radhët e anëtarëve të frontit gëzonin epërsi numerike, ata ndodheshin në minoritet organizativ përballë Partisë Komuniste. Duket, se personalitetet jo komunistë të këtij rreshtimi, si Omer Nishani apo Myslym Peza, Shefqet Beja apo Riza Dani, Kostandin Boshnjaku apo Kol Kuqali, Dali Ndreu apo Ali Seferi, të cilët gëzonin integritet politik si faktorë jo komunistë, nuk e ndjenin nevojën për një parti më vete, për arsye se programin e tyre demokratik të majtë e mishëronte vetë Fronti Nacionalçlirimtar. Kjo ishte me siguri një verbëri politike, të cilën kur ata e kuptuan dëmin, u ndodhën përpara skuadrës së pushkatimit”, shkruan Frashëri.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.