Dekriminalizimi, opozita: Parlamenti është prioriteti. A është projektligji i qeverisë një manovër?

Postuar në 17 Shtator, 2015 12:40

“Dekriminalizimi duhet të arrihet sipas marrëveshjes së dhjetorit. Dekriminalizimi i parlamentit është prioritet i opozitës”. Kështu tha pas takimit me ambasadorin amerikan Donald Lu, kreu i PD-së, Lulzim Basha. Qeveria ndërkohë ka propozuar një projektligj i cili soç u shpreh Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, i jep fund komisionit të Dekriminalizimit. E për ata që kanë qarkulluar tezën e përplasjes Berisha-Basha, duket se nuk ka edhe aq lajme të mira. Aktualisht në seancë plenare, Sali Berisha ka përsëritur atë që tha Basha: se qeveria po synon shmangien e dekriminalizimit, nuk po respekton një marrëveshje ku ka hyrë vetë dhe se po çon vendin në rrokullisje. Edhe kryetari i PD-së, shtoi se “dekriminalizimi do të bëhet me apo pa qeverinë. Nëse nuk do qeveria, dekriminalizimi do të bëhet me popullin”. Diçka e madhe po lëviz në këtë kuadër, përderisa qeveria propozoi një projektligj i cili i mbivendoset marrëveshjes së muajit dhjetor. Portali “tesheshi.com” shkruan sot se në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe krimit në Shqipëri do të vijë një prokuror federal nga ShBA dhe 6 të tjerë nga BE-ja. “Ky mision i paparë ndonjëherë në Shqipëri do të funksionojë në dy degëzime dhe detyra të ndara mes grupit special antikorrupsion. Ndërsa 6 prokurorët e Bashkimit Europian do të merren pikërisht me çështjet e tenderave dhe rryshfeteve, prokurori i emëruar nga qeveria e presidentit Barack Obama do të hetojë pjesën e lidhjes së politikës shqiptare me trafikun e drogës, armëve dhe pastrimin e parave. Ka qenë vetë ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Donald Lu, i cili ka bërë publike emërimin e një zyrtari shumë të rëndësishëm amerikan në operacionin e pritshëm “spastrimi i politikës”, shkruan “tesheshi”. Po të referojmë fjalët e ambasadorit Lu, lidhjet me krimin dhe korrupsioni, janë dy probleme që partitë kryesore i bashkëndajnë. Në këtë kuptim propozimi i qeverisë i ngjan më shumë një manovre, pasi debati këto muaj ka lindur me parlamentarët që janë të lidhur me krimin, ashtu siç i vinte në dukje raporti i OSBE-së, që nuk i pëlqeu askujt. I humburi i madh në këtë proces është kryeministri Edi Rama, dorëzani i katandisjes së parlamentit në sallë ku hyn kushdo, çka ka bërë me gjasë që mbështetja e fillimit për të në arenën ndërkombëtare të reduktohet shumë. “Unë nuk dua të përfaqësohem nga gangsterë”, tha ambasadori britanik dy ditë më parë. Me apo pa çështjen “Croën Agents” në mendje, ai ka thënë një të vërtetë. Sado bukur ta sjellë muhabetin qeveria, në Europë nuk mund të hysh me vendimmarrës gangsterë e të ulesh në një tryezë me njerëz që kanë përpara dosjet e të gjithë politikës së ndotur shqiptare.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.