Një odise në sistemin parësor të shëndetësisë

Postuar në 16 Shtator, 2015 18:48
Leonard Veizi

Fillimisht këtë shkrim doja ta nisja si një vëzhgim. Por ndërrova mendje në çastin e fundit. E ç’të vëzhgosh më parë në Shqipëri. Të gjitha duket se po venë keq e më keq. Këtë herë e kam me sistemin shëndetësor. Dhe problemi më shqetësues sot në Shqipëri është sistemi parësor i shëndetit. Them sistemi parësor se po arrite që të shkosh deri në spital, aty edhe ta bëjnë dermanin. Por që të shkosh deri në spital ka dy mundësi: ose të jesh me një urgjencë, që do të thotë gati për vdekje, ose përndryshe duhet t’i nënshtrohesh një kalvari të gjatë që kërkon stërmundim e nerva derri.

Prolog

Po nisem nga një rast i supozuar, por që në fakt nuk është i tillë. Madje as që jam protagonist i tij edhe pse po rrekem ta shkruaj në vetën e parë. Por, gjithsesi, një përvojë e tillë nuk më mungon aspak, veç jo si një e tërë por me aspekte. Këtë herë dua të tregoj se si mund të humbasësh ditë të tëra pune duke u sorrollatur koridoreve të poliklinikave aq sa të rrezikosh marrëdhëniet me punëdhënësin vetëm se një ditë ndihesh keq me shëndetin. Dhe për djall, në vend që të shkosh në dorë të sigurtë: pra të mjeku, mbetesh në udhëkryq.

Dita e parë

Një pasdite më kapin ca shtrëngime zemre. “Nuk jam mirë”,-  i them gruas. “S’bëhet shaka me zemrën, - ma kthen ajo, - shkojmë me vrap te mjeku, apo nuk na e sollën te dera e shtëpisë”. Pohoj me kokë. Është fjala për një filial të Poliklinikës 8-të, pasi ajo ka disa të tilla. Trokasim te mjeku i familjes. Është femër. Kisha 20 vjet pa bërë asnjë vizitë, nuk njihja as personelin. Mjekja pathologe na pret buzagaz. I shpjegoj situatën. “Duhet të shkosh te kardiologu”, - më thotë. “Ku është kardiologu?” - e pyes. “Te poliklinika 8, se ne nuk kemi. Po të jap dhe një rekomandim”. “Epo mirë, po marr makinën e shkojmë”, them dhe ngrihem vrik. “S’ke ku parkon, - më thotë gruaja, - më mirë marim autobuzin”. E kam tmerr të hipi në ca autobuza si kuti shkrepseje që vijnë era dreq. S’e bëj të gjatë, shkojmë te kardiologu. Në korridor presin nja 8-9 veta në radhë.  Pas rreth dy orësh futemi brenda. Mjeku vazhdimisht shkruan sa në regjistër e sa në librezat e ca pensionistëve që i ka bërë kapicë aty pranë. “Paske punë”, - e përshëndes unë. “U mbytëm”, - ma kthen ai. Më viziton para e mbrapa e më bën një EKG. “Je mirë fare, - më thotë, - janë ngacmime të jashtme, por e mira është që të bësh ca analiza gjaku e ta kemi një pasqyrë të qartë të gjendjes”. Ul kokën dhe shkruan diçka në një recetë. “Nesër në mëngjes esëll të Poliklinika 9, - më thotë, - këtu te ne bëhen analiza të thjeshta, jo këto që po të kërkoj unë”.

Dita e dytë

Që në mëngjes paraqitem te Poklinika e Specialiteteve nr. 9, për të bërë analizat e gjakut. Radha ishte e gjatë aq sa më dukej sikur do të merrja paratë të VEFA. Për përgjigjet më thonë se duhet t’i marr nga dreka. Shkoj në orën 12.00. “Si duken”, - pyes gjithë ankth? “E mira është që të konsultohesh me mjekun që t’i kërkoi”, më sugjerojnë dhe më japin fletën e analizave në dorë. Epo mirë. Shkoj te kardiologu. “Goxha parametra, - më thotë. - Ato që doja unë janë në rregull. Me këto që shohim zemra është top”. “Po pse, çfarë nuk sheh?”, - pyes unë si shejtan budalla. - “Atë që sheh aparati, - ma kthen duke buzëqesur kardiologu, - d.m.th EKO-ja”. “Po mirë, pse të mos bëj dhe një EKO?”, - më ha goja mua. “Patjetër, - ma kthen kardiologu, - po të jap një rekomandim për te 9-ta, aty bëhen EKO-t. Ne nuk kemi aparat”. Ç’mu desh, iu ktheva vetes. Por ishte vonë. Në dorë mbaja rekomandimin.

Dita e tretë

Mëngjesin e së nesërmes u gdhiva sërish te porta e Poliklinikës së Specialiteteve. EKO-t bëheshin me pronotime, por për shansin tim të mirë dikush nuk u paraqit dhe më futën në vendin e tij. Mjeku më jep optimizëm fjalë të mira dhe dokumentat m’i fut në një zarf. “Të kardiologu i lagjes, - më thotë dhe justifikohet, - kështu e ka procedura”. “S’ke faj”, - i them. Por meqë isha entuziast nuk u ankova. Kardiologu i 8-tës i arkivoi të gjitha në dosjen time dhe më thotë: “Tani një kopje të analizave duhet t’i çosh te mjeku i familjes”. “Prap të pathologu”. “Epo kështu e do puna, se vijnë kontrollet nga ministria e na bëjnë namin”. E mbajta frymën te mjekja e familjes. Ajo i sheh me radhë. “Me kardiologun je konsultuar?”, më pyet. Përgjigjes time pozitive i shton: “Kjo e diabetit qenka ca e lartë”. “Domethnënë jam me diabet”, e pyes i shqetësuar. “E mira është të konsultohesh me mjeken specialiste, ajo të jep përgjigje të saktë”. “Ku është diabetologu?”, “Endokrinologu, - më korrigjon pathologia, - do shkosh te 9-ta. Po të jap një rekomandim”. “Te 9-ta, - gati sa nuk bërtita unë. - Po unë atje isha gjithë ditën”. “Po shko dhe një herë, taksirat. Pastaj për shëndetin tënd e ke”. Taksirat vërtet. Marr makinën dhe shkoj të poliklinika e specialiteteve. S’ke ku parkon makinën për qamet. Dikush më hap një vend. Shyqyr. Ngjitem me të shpejtë në katin e tretë. Në korridore nuk pipëtonte njeri. Vetëm një sanitare pastronte shkallët. “Ku janë mjekët?”, e pyes. - “Në mbledhje”, - ma kthen. Mbledhja vazhdon gjatë. Me sa duket udhëzime të reja vinin nga Ministria e Shëndetësisë. Pacientët bëhen kapicë. Dikur mjekët lirohen. Më vjen radha. “Unë mund të të jap një mjekim që tani, por e mira është të bësh analiza të tjera dhe një konsultë në spital”, më thotë endokrinologu. “Në spital, - alarmohem unë. - Çfarë paskam kështu?” Por endokrinologu ma kthen qetësisht: “Asgjë me rëndësi, disa nga parametrat janë në kufi. Thjesht dua të sigurohem. Por laboratori i spitalit bën analiza më të thelluara. Po të jap një rekomandim”.

Dita e katërt

Mëngjesi më zë në spital. Aty parkimi është i garantuar, mjafton të presësh kuponin në hyrje. Bëj analizat e rekomanduara. “Asgjë me rëndësi, -  më thonë. - Duhet të biesh në peshë dhe nja 10-12 kile, por duhet të bësh dhe ca aktivitet fizik”. Falëminderit për këshillat. “Dhe tani merri analizat dhe çoja mjekut të familjes se ai do të të ndjekë”. “E drejtë”, - i them. Mbërrij te mjekja e familjes. Ajo është duke mbushur recetat e pensionistëve që vazhdimisht i trokasin në derë për të marrë me rimbursim ilaçet e muajit. “Mirë që qenke i siguruar, se do kishte paguar para për çdo vizitë”, më thotë pathologia. E pyes për çmimet e vizitave. Por nuk është e nevojshme, ato janë të afishuara. U hedh një sy. “Po me këto çmime operojnë dhe privatët, - i them, - ç’u pa puna”. “Çmimet nuk i vendos unë”, - ma kthen pathologia. Ngrihem.

Epilog

“Shqyqyr pa qeder”, më thotë gruaja. Por mua më dukej vetja ende në udhëkryq pas kësaj odiseje katërditore. “Kam një propozim, - i them, - ç’më duhen këto vizita pa para, kur humbas 4 ditë pune. Tani e tutje gjithçka do ta ndjek te ndonjë klinikë private. I kopsitim brenda ditës. Shohim disa prej tyre, ato që kanë çmimet më të leverdisshme. Në shtet u deshën 4 ditë të arrihej në përfundimin se nuk kisha asgjë serioze. Por të kisha ndonjë kleçkë, me siguri do të duheshin së paku nja 12 ditë”. Gruaja pohoi me kokë. Nga ai çast hapëm kompjuterin dhe u futëm në Google, të njiheshim me çmimet e klinikave private.

 

Leonard Veizi 

Comments

Submitted by Ardean (not verified) on

Nëse në Shqipëri shërbimi publik shtetëror shëndetësor është si përshkrimi më lart, atëherë jemi në nivelin europian. Madje nuk keni paguar asgjë! Katër ditë punë, e drejtë! Ja pse roli i mjekut të familjes është shumë i rëndësishëm, sepse ai përcakton ecurinë e vizitave. Me një vizitë tek kardiologu dhe disa analiza gjaku të kërkuar nga mjeku i familjes, kjo punë mund të quhej e mbyllur. Ndryshe, nëse do të ishit një rast urgjence.
Nga ana tjetër, më duket se ky shkrim çon ujë nga mulliri i spitaleve private. Ju zotëri duhet të kuptoni se ekonomia e tregut nuk mund të zbatohet në shëndetësi, sepse nuk plotëson disa kushte të ekonomisë. Po ju sjell vetëm një shembull, pabarazia mjek- i sëmurë. Ju duke mos pasur njohuritë e duhura, mjeku si veprues ekonomik, mund të kërkojë edhe analiza të tepërta. Jua fut në pagesë, jo sepse ju keni me të vërtetë nevojë, por sepse ai përdor padijen tuaj në këtë fushë dhe shet shërbimin e tij si t'i vijë për mbarë atij. Në privat qellimi i shërbimit është fitimi, sa më i madh i mundshëm. Në atë shtetëror qëllimi është shëndeti sa më i plotë. Pastaj ka analiza që shpesh herë kanë një rrezikshmëri të lartë në pasoja anësore. Në shtetëror rroga e mjekut nuk varet nga sa vizita apo analiza do të bëjë ai. Edhe pse duhet thënë se rrogat e mjekëve në Shqipëri janë të turpshme. Gati-gati është më levërdishme të bësh fallxhorin sesa të studiosh me vite të tëra. Këtu duhet të ndërhyhet medoemos.
Ju jeni të lirë të zgjidhni, por mos harroni se shërbimet shtetërore lihen qëllimisht të rrënohen, në mënyrë që të përfitojnë një grusht njerëzish mbi jetën e të tjerëve! Hajnat nuk ngopen me para, aq sa "fitimi" në vetvete kthehet në psikopati. Për kureshtje po ju them se asnjë privat nuk shërbim terapie intensive, sepse nuk i përballon dot shpenzimet. Kjo ndodh edhe me shumë spitale private jashtë Shqipërisë. Ka raste që në shtetëror shkojnë të sëmurë që shfaqin përkeqësime në spitalet private, duke ia ngarkuar barrën e terapisë intensive shtetërorit dhe të gjithë shoqërisë që i mban në këmbë.
Ne si shoqëri shqiptare duhet të shikojmë dhe të sillemi ashtu si është më e mira për ne. Vetë fjala "spital" në shqip ka lidhje me fjalën "shpi apo shtëpi". Poshtë e lartë flitet se jemi shumë mikëpritës në shtëpi si shoqëri, por këtë trashgimi dhe kulturë nuk kemi arritur ta përkthejmë në shërbimet shëndetësore apo ato pritëse në turizëm. Nuk kemi nevojë për mësime ndëkombëtarësh në këtë drejtim. Thjesht nuk duhen lënë që nallbanët të na dalin mbi krye e më pas të quhemi "Nallbania"!
Uroj që të bindeni pse shoqëria ka nevojë për një shëndetësi publike shtetërore. Jo të pranojmë atë që është tani, por mos të reshtim së kërkuari përmirësimin e këtij shërbimi. Kjo nuk do të thotë ta lëmë ashtu si është dhe të shohim yjet ditën me spitale private.
Ju faleminderit për vëmendjen!

http://krugman.blogs.nytimes.com/2009/07/25/why-markets-cant-cure-health...
http://host.uniroma3.it/docenti/iacobone/testi/libro/cap%206.pdf

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.