Kriza e së majtës, koalicioni dhe Edi Rama

Postuar në 16 Shtator, 2015 10:44
Fitim Zekthi

Nuk ka asnjë parlament në botë sot që të ketë çështje themelore të diskutimeve të tij largimin e anëtarëve që vijnë nga bota e krimit. Aq e rëndë është gjendja, sa çdo deklaratë e ambasadës amerikane, misionit të BE-së dhe çdo zyrtari të huaj ka në qendër vetëm pastrimin e Parlamentit nga këta njerëz. Në fakt, akuzat e opozitës se kryetari i PS, Edi Rama mblodhi gangsterë e kriminelë dhe i përfshiu në “skuadrën e rilindjes”, disa duke i promovuar në konferenca shtypi, disa duke i mbrojtur publikisht, po provohen të vërteta. Dy deputetë janë në burg, njëri ka dhënë dorëheqjen dhe njëri po hetohet nga prokuroria. Mbi deputetë të tjerë ka akuza të ndryshme. Pas muajsh të tërë mbrojtjeje duke mos e pranuar lidhjen me krimin të deputetëve të tij, kryeministri është dorëzuar. Tashmë nga Partia Socialiste po artikulohet një gjë edhe më e rëndë. Për të mbrojtur votën dhe për të mos lejuar që zgjedhjet të fitoheshin nga Partia Demokratike përsëri, Partia Socialiste zgjodhi njerëz të “fortë” dhe me ndikim që mund të siguronin fitoren. Në fillim, këtë tezë e përdori Kryeministri. Më pas, ajo u përsërit nga deputeti Artan Gaçi, i cili tha se do të ishte një fatkeqësi për vendin në qoftë se do të fitonte sërish PD, ndaj u thirrën në mbrojtje të votës njerëz që kishin fuqinë ta bënin atë. Disa gazeta dhe disa opinionistë e kishin nisur herët tjerrjen e këtij argumenti, kështu që atyre iu mbetej vetëm ta përsëritnin më shumë. Marksistët, komunistët, e majta, ajo e vjetra sidomos, i kanë urryer gjithmonë argumentet morale. Ata i kanë quajtur ato ‘idealiste’ dhe ‘të parëndësishme’ në një realitet ku zhvillimet politike dhe intelektuale përcaktohen nga forcat materiale. Idetë dhe teoritë etike për marksistët janë mjete për të arritur qëllimin. Idetë që mundësojnë apo afrojnë arritjen e qëllimit, revolucionit, janë të mira dhe ato që nuk e afrojnë janë të këqija ose të dëmshme. Ata mendojnë se kanë gjetur zgjidhjen fundore, të drejtën e vetme dhe kështu që çdo mjet është i justifikuar. Çdo lloj kostoje, edhe njerëzore, është e justifikuar. Historiani i famshëm marksist, një nga njerëzit më me ndikim në gjithë mendimin e së majtës perëndimore shekullin e kaluar, Eric Hobsbawm, është shprehur se, “në qoftë se socializmi do të ishte i vërtetë, atëherë edhe vdekja e qindra milionë njerëzve është e lejuar”. Sociologu Ted Goertzel i Universitetit Rutgers thotë se këtë moral të së majtës e përdor gjerësisht edhe terrorizmi. Në të vërtetë, me këtë argument revolucioni francez çoi në gijotinë mijëra njerëz, shkatërroi kisha e vrau priftërinj, masakroi me top dhe në disa raste, duke plasur fuçi baruti, njerëz në mes të qyteteve. Gjenerali Westerman, për shembull, krenohej se nuk la të gjallë asnjë të ri dhe asnjë plak e fëmijë në vende kundërrevolucionare. Me këtë argument, Lenini organizoi terrorin e kuq, me këtë argument ai mblodhi rreth vetes disa nga gangsterët më të njohur të kohës. Të njëjtën logjikë ndoqi Stalini, Pol Poti, Enver Hoxha, Fidel Kastro etj. Kjo është logjika që mbron Partia Socialiste në lidhje me thirrjen në grupin e deputetëve të njerëzve që vijnë ose kanë lidhje me botën e krimit. Për të kuptuar më qartë atë që përfaqëson e majta jonë do të shohim mënyrën se si janë shfaqur tek ajo disa nga tiparet bazë. Jean Claude Paccito, një politolog i universitetit Paris IX, teksa gjurmon rrënjët e së majtës thotë se tiparet e këqija të saj nuk mund të kuptohen pa parë periudhën termidoriane të revolucionit francez. Kjo periudhë nis me rënien e Robespierit dhe kulmon me Directoratin, një koalicion i çuditshëm që kishte brenda terroristë, ish-terroristë, zhirondinë etj., që i bashkonte vetëm armiqësia ndaj Robespierit. Në fakt, vëren Paçito, koalicioni bashkohej edhe nga objektivi i përbashkët që kishin grupet e ndryshme që gjendeshin aty: fitorja dhe interesi. Ky koalicion nuk mendonte më për të krijuar njeriun e virtytshëm, por për të përfituar nga marrja e pushtetit pas revolucionit. Historianët François Furet dhe Denis Richet thonë në librin “Revolucioni francez” se koalicioni i ri i së majtës donte vetëm para dhe kënaqësi në çdo aspekt. Republika spartane që ëndërruan revolucionarët para se të merrnin pushtetin u shndërrua në republikën e pallateve dhe të kostumeve elegante. Nis lidhja e papritshme e së majtës me financat. Jean Claude Paçito thotë se ky koalicion harroi çdo ide mbi botën e re që do të ngrinte, mbi barazinë, lirinë, vëllazërinë dhe u fokusua vetëm te përfitimi, pasuria dhe pushteti. Kjo e majtë tashmë ishte gati të bënte gjithçka për të ruajtur pushtetin, edhe grushte shteti siç edhe bëri. Paçito thotë se këto tipare që janë në rrënjë të së majtës gjenden sot te çdo e majtë në botë, në forma të caktuara, sigurisht jo aq brutalisht sa atëbotë. Edhe në Shqipëri të gjithë e dinë se Partia Socialiste dhe kryeministri Rama ka ndërtuar një koalicion njerëzish dhe partish që i bashkon vetëm fitorja e pushtetit dhe interesi. Te ky koalicion ka biznesmenë, trafikantë, ish-oficerë, ish të dënuar, të “fortë”, LSI etj. Njerëzit e këtij koalicioni nuk duan një republikë të ligjit, por një republikë të pallatit dhe të kostumeve elegante që kushtojnë edhe 2 mijë euro. Festat e shtrenjta, pushimet luksoze, ekspozitat në galeri të famshme, jeta e qejfit, selfiet e plazhit përkufizojnë në një masë të madhe koalicionin. Deputetë dhe vetë Kryeministri janë parë stadiumeve të Barcelonës, Milanos, Munihut, duke parë ndeshjet më të shtrenjta të Europës (Spartak Braho ka parë edhe një ndeshje të një ekipi modest si Hanoveri). Lufta kundër varfërisë, kundër papunësisë, shëndetësia falas, pensionet, pagat, të sëmurët etj., zënë gjithnjë e më pak vend. Të mjerë përjetojnë ndërprerje të energjisë, të papunë kërcënojnë me vetëvrasje etj. Jean Claude Paçito vëren se që në nisje e majta ishte e borgjezëve si Marat, Danton, Saint Juste, Mirabeau, Necker etj. Barras madje vinte nga fisnikëria. E majta sot në Europë është po kështu, ajo është e mbushur me njerëz që në terminologjinë e saj quhen borgjezë. Edhe PS është e mbushur me njerëz të tillë, ajo në fakt ka vetëm të tillë. Dokle, Pëllumbi, Islami, Hajdaraga, Agasi, intelektualë të majtë që vinin nga shtresa të thjeshta shoqërore janë zëvendësuar me Kokëdhimën, Bushatin, Mjaftin, Beqjen etj. Jean Claude Paçito thotë se njerëzit e së majtës që në krye i kanë përbuzur njerëzit e zakonshëm. Kjo gjë, thotë ai, ka ardhur duke u thelluar. Edhe Partia Socialiste, vetë kryetari Edi Rama është i njohur për mospërfilljen madje edhe përbuzjen për njerëzit e thjeshtë. Në fushatë ai u tall me një kandidat vetëm pse ai ishte saldator, e quajti ‘Malo saldatori’ në një kohë që saldatori për të majtën është pikërisht njeriu i dashur i saj. Veç kësaj, e majta është edhe cinike, është arrogante. Nuk ka kuptim t’i numërojmë detaje të sjelljes cinike te Partia Socialiste apo te kreu i saj, Edi Rama. Është e dukshme. Është kjo natyrë e së majtës dhe sidomos e së majtës sonë që ka çuar te ky koalicion me njerëz të botës së krimit. Partia Socialiste ka nevojë ta prishë këtë koalicion dhe të ndërtojë një koalicion të ri, ku moral të sajin të mos ketë vetëm marrjen e pushtetit, por në radhë të parë zgjerimin e lirive dhe të lumturisë, terma që i përdor vetë e majta në Europë sot. Në Romën e vjetër thuhej se justifikimet janë shtysa të djallëzores, ndaj nuk ka kuptim të vijohet me to.

"Mapo"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.