Elvis Roshi drejt dorëheqjes!

Postuar në 16 Shtator, 2015 10:34

Kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi pritet të jetë zyrtari i radhës nga mazhoranca që do të deklarojë dorëheqjen nga funksioni i tij. Burime pranë tij thanë për "ResPublica" se Roshi po shyrton mundësinë e lënies së mandatit të kryebashkiakut të fituar në zgjedhjet e qershorit.
Kjo për shkak të presionit në rritje të ndërkombëtarëve për pastrimin e administratës dhe politikës nga personat me të shkuar të dyshimtë. Roshi ka qenë objekt i akuzave të vazhdueshme nga opozita si një person që për shkak të problemeve me ligjin ka ndryshuar identitet.
Por kryeministri Rama ka dalë në mbrojtje të tij, duke thënë se e quajnë Ervin apo Elvis kjo nuk e bën atë një person me precedentë penalë, pasi dëshmia e tij e penalitetit është e pastër. Rama ka sqaruar se problemet me dokumentacionin në Itali në kohët e vështira të emigracionit e detyruan Roshin të ndryshojë identitet, por kjo sipas tij nuk është arsye për ta etiketuar si një person me të shkuar kriminale.
Gjatë muajve të fundit Rama është parë të takohet disa herë me kryebashkiakun e Kavajës dhe mendohet se temë e diskutimit ka qenë edhe përfolja e emrit të Roshit nga opozita dhe ndërkombëtarët. Pak ditë më parë deklaroi dorëheqjen nga mandati deputeti socialist Arben Ndoka, po ashtu i përfolur për të shkuar kriminale. Mesa duket e vetmja zgjidhje përballë presionit në rritje të ndërkombëtarëve është tërheqja e emrave të përfolur nga vija e parë e frontit, të cilët sipas socialistëve u angazhuan në zgjedhje si të fortë për të mundur Sali Berishën. Dekriminalizimi është një prej çështjeve që i ka shkaktuar më shumë dhimbje koke kryeministrit Rama, nisur edhe nga deklaratat e fundit të eurodeputetëve Kukan e Fleckenstein se qeveria nuk ka bërë asgjë për këtë çështje dhe se pa përfunduar këtë proces Shqipëria do ta ketë të vështirë të hapë negociatat me Bashkimin Evropian.

l.m

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.