Opozitë, apo Lulzim Basha “po i vjedh zanatin” Edi Ramës?

Postuar në 13 Shtator, 2015 15:03

Shikoni se çfarë thotë ndër të tjera një njoftim i Partisë Demokratike: “Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi e shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Pogradecit Eduart Kapri, vizitoi banorët e fshatrave të Mokrës, një zonë e prekur masivisht nga eksodi. Mbi 250 familje raportohen se janë larguar nga Mokra drejt vendeve Europiane në muajt e fundit në përpjekje për mbijetesë për shkak të kushteve të mjerueshme. Në fshatin Trebinjë dhe Potgozhan, në skamje të plotë, nuk ekziston asnjë mundësi zhvillimi i bujqësisë dhe blegtorisë ndërkohë që në terren nuk është investuar asgjë nga qeveria”.
Kujtesë: Mazhoranca e majtë erdhi në pushtet më 23 qershor 2013. Nga viti 2005 deri në këtë datë në pushtet ishte Partia Demokratike me shokët e ngushtë LSI dhe PDIU e PR. Edhe pse eksodi është dukuri që u intensifikua me këtë qeveri, kushtet për bujqësi e blegtori janë ato që janë prej vitesh.
Vijon njoftimi: “Unë jam e ve dhe kam për të rritur me një pension minimal, dy fëmijë. Ata janë në shkollë dhe unë nuk arrij t’i ushqej me bukë dhe librat nuk kam me se t’ua blej. Më mirë të vdes në rrugët e Gjermanisë sesa në këtë fshat të humbur, pa shpresë.- u shpreh një nënë. Ndërsa Eltoni një i ri pa punë tha se dikur në këtë zonë jetonin afro 300 familje, tani kanë mbetur vetëm 40. Deputetja u perball me realitetin tronditës në familjen Muça, ku kryefamiljari Shpëtim, i paralizuar në punë dhe me disa sëmundje, i ishte mohuar e drejta për të marrë pagesën e Kempit, të miratuar në fund të vitit 2013. Mungesa e të ardhurave minimale nuk mundësonte blerjen e ilaceve dhe kurimin e tij”.
Të vihet re: Përveç mjerimit të përgjithshëm që ka krijuar qeveria e mashtrimit, goditja vepron më ashpër si pasojë e politikave të caktuara, të cilave në këtë njoftim shfaqen si çnjerëzore.
Pasi bëhet aktkonstatimi i mjerimit na duhet pak shpresë. Dhe shpresa është “një plan i PD-së”, parti që e cilëson mjerimin në Mokër “si krim të qeverisë”. “Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Albana Vokshi deklaroi se historitë e mjerimit në Mokër dhe eksodi i shqiptarëve vlejnë të denoncohen si krime të qeverisë. Ajo tha se Partia Demokratike ka një plan shpëtimi i cili do të nxjerrë shqiptarët nga kriza, me taksa të ulëta, luftë kundër krimit dhe korrupsionit shtetëror dhe programe punësimi”, vijon njoftimi. Kujt i deklaroi, banorëve? Dhe ata me siguri kanë qarë nga gëzimi për bijtë dhe bijat më të mira që po kujtohen e po premtojnë se Shqipëria do të bëhet.

Mjafton edhe vetëm ky njoftim për të kuptuar se problemi me politikën që na përfaqëson është madhor. Këtu nuk është çështja që nga një anë të paraqitet populli dhe të varfrit fisnikë e atdhedashës, e nga ana tjetër politika si mizantrope e cinike. Fjala është që të vihet në dukje sesa artificiale tingëllon gjithë kjo përkujdesje e cila të kujton atë marrëdhënien mes kolonizatorëve dhe indigjenëve. Për t’i bindur që të jepnin floririn u jepnin pasqyra. Tani u kërkohet vota, në këmbim kemi dorëzani për ndonjë punë, a ndonjë thes mielli. Ky është aspekti njerëzor e politik, që po zhduket tërësisht, për ta reduktuar raportin me “popullin aty poshtë”, në një statistikë takimesh të zymta ku me gjasë deputetëve u shikojnë edhe filxhanin e kafesë. Sa për një çikë gallatë me të mëdhenjtë. Shto këtu që politikanët shqiptarë, në bujtjet e tyre nëpër popull, shikohen më së shumti si zengjinët që komandojnë, jo si njerëz që u duhet kërkuar llogari. Për traditë në Shqipëri zengjini nuk para të shkel në shtëpi, kështu që kur vjen nuk të mbetet veçse t’i bësh temena.
E kjo kulturë na çon edhe te një aspekt: ai i “metodës” së të bërit opozitë, nëse mund ta quajmë kështu. Nuk dihet ç’kuptim ka e gjithë kjo paraqitje, kur një mendje normale e kupton që mjerimi në Shqipëri është trashëgimi e nuk mbiu këto dy vjet. E kur pak gjëra prekin tanimë njerëzit. Në mungesë të vizionit, por edhe të besimit se duhet vërtet një transformim, PD-ja me Lulzim Bashën në krye, ka menduar të zhvillojë opozitë si Edi Rama dikur. E mbajmë mend kur në protesta nisi të aplikohej skema: merr mikrofonin një i “thjeshtë”, prezantohet si mësues filani, shitës fistekja, apo student ypsiloni, tregon në mexhlis hallin e vet. Duartrokitet për solidaritet, pastaj e merr fjalen tribuni që shpalos me zërin e vet premtimin për të ardhmen. Cinizmi nuk mungon edhe këtu: si mundet vallë që në një protestë që me përkufizim konstituohet nga njerëz të thjeshtë, të inskenohet si e drejtë e posaçme, e dhuruar nga një parti e hapur dhe demokratike, e drejta e fjalës. Të njëjtën gjë po bën edhe PD: po i jep fjalën popullit, i cili po pret në radhë. Përgjithësisht është fatkeqësi që liderë të rinj, të cilëve u është deleguar besim i madh të modelojnë veten duke “vjedhur zanatin” e kundërshtarit. Pasi edhe Lulzim Basha pak a shumë këtë po bën: po imiton Edi Ramën në opozitë dikur. Mund të bësh të vetat parime, apo të admirosh njerëz që përfaqësojnë ndryshimin apo edhe vlerat. Po të adoptosh në emër të suksesit një model si Rama, flet shumë se kush po investohet për t’u emëruar kryeministër nesër. Pasi kryeministër do të bëhet; jo më kot e ka vënë kanaçen.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.