Informaliteti, si bëhet evazioni tek të mëdhenjtë me dy bilance

Postuar në 13 Shtator, 2015 10:07

Të ardhurat buxhetore janë në vështirësi me një mungesë 120 milionë USD nga planifikimi vjetor për gjashtëmujorin e parë, në një kohë që ngarkesa fiskale është rritur në 50% në tatimin mbi të ardhurat personale dhe tatimin mbi fitimin. “Monitor” shkruan se ndërsa rritja e taksave është konsumuar pa dhënë rezultat, ekonomia nuk po rritet me ritmet që priteshin dhe kriza në Greqi ka shtrirë tentakulat edhe në Shqipëri, qeverisë nuk i ka mbetur shteg tjetër, veçse t’i drejtohet formalizimit të ekonomisë nëpërmjet një aksioni masiv. Studime të ndryshme si ai BB, FMN dhe së fundi edhe qeveria shqiptare ka deklaruar se, mbi e një e treta e ekonomisë noton tërësisht në të zezë, e përkthyer në vlerë monetare do të thotë se, madhësia e evazionit për një vit fiskal është rreth 1 miliard dollarë, në një kohë që arkëtimet buxhetore pritet të arrijnë në rreth 3 miliardë USD këtë vit.

Sipas “Monitor”, ekspertët e fiskut në kushtet e anonimatit shpjegojnë se, ka një parim të përbotshëm ku bizneset VIP janë kontributorët më të mëdhenj në të ardhurat buxhetore me rreth 60% të tyre, ndërsa bizneset e vogla në kushtet optimale, duke llogaritur zero evazion, nuk mund të sigurojnë më shumë se 10% të prurjeve, pjesa që mbetet e 20-25% e jep biznesi i mesëm. Në këto proporcione është i ndarë edhe evazioni fiskal, ndaj dhe administratat tatimore investohen në kontrollin e pjesës VIP të biznesit.

Është pranuar tashmë se, evazioni fiskal ushtrohet në masë nga bilancet e rreme. Kjo praktikë është pohuar edhe nga bizneset që nuk po dinë të dalin nga skemat që vetë i kanë krijuar. Po si funksionojnë këto skema? Një ekspert kontabilist shpjegon për “Monitor” se janë krijuar dy bilancet, njëri me faturat e rreme dhe tjetri me realet. Kontabilisti ka shpjeguar se kjo është metoda klasike që biznesi krijon dy bilance. Kontabilisti thotë se, forma më e lehtë për të kuptuar bilancet e rreme janë detyrimet e larta që raportojnë kompanitë ndaj furnitorëve. Duke shpjeguar këtë skemë ai pohon se fiskalizimi nuk është se e zgjidh çështjen e mashtrimit, duke qenë se kontrolli i kasave bëhet nga humanët (tatimorët), ndaj edhe këtu lind mundësia e madhe për korrupsion. Në vende të tjera me ekonomi të zhvilluar, evazioni është shpallur vepër e rëndë penale, me dënim me burg deri në 25 vjet, ndaj dhe mashtrimet me bilancet nuk janë kaq të rëndomta sa në Shqipëri.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.