Eksodi, i shpjeguar nga Ballkani

Postuar në 13 Shtator, 2015 15:24
Guy Delauney

Që kur Maqedonia deklaroi gjendjen e emergjencës në zonat e saj kufitare në fund të gushtit, “Rruga e Ballkanit” është bërë e njohur.
Deri në 3000 refugjatë, kryesisht nga vendet e Lindjes së Mesme, mbërrijnë në vendin e vogël jugor evropian çdo ditë. I njëjti numër kalon kufirin me Serbinë dhe Hungarinë – shumica e të cilëve shpresojnë të arrijnë në Gjermani.
E gjithë kjo ka lënë në hije një eksod tjetër të rëndësishëm – jo përmes Ballkanit, por nga vendet e Ballkanit. Në shtatë muajt e parë të vitit 2015, Gjermania mori thuajse 200 000 kërkesa për azil. Më shumë se katër të dhjetat e këtyre aplikimeve erdhën nga Ballkani Perëndimor.
Rreth 30 000 prej këtyre njerëzve erdhën nga Shqipëria – dhe një numër i përafërt nga Kosova. Siria është i vetmi vend me më shumë aplikime. Kjo përfaqëson një rritje masive: Gjermania mori vetëm 8 000 aplikime nga qytetarë të Shqipërisë gjatë gjithë vitit 2014.
Në vitet 1990, konflikti dhe përzënia me forcë ishin shkaku që dhjetëra mijëra shqiptarë nga Kosova shkonin në Gjermani. Por një emergjencë e tillë nuk mund të shpejgojë emigrimin masiv të këtij viti.
E njëjta gjë, Shqipëria ka ecur goxha përpara që nga diktatura komuniste e Enver Hoxhës. Tani është një vend demokratik dhe kandidat për anëtarësim në BE, i drejtuar nga një artist i kthyer kryeministër, Edi Rama.
Por Kosova dhe Shqipëria kanë shumë elementë të përbashkët: popullsi të vogël (rreth dy milionë dhe tre milionë, respektivisht); shumicë shqiptare dhe pak mundësi ekonomike.
Faktori i fundit ka qenë motivimi i largimit drejt Gjermanisë. Fondacioni gjerman Friedrich Ebert, dega e Prishtinës, bëri një sondazh të kufizuar gjatë janarit dhe shkurtit. Sipas tij, gati gjithë kosovarët që iknin për në Gjermani ishin shtyrë nga gjendja ekonomike – dhe shpresonin të gjenin punë në Gjermani.
Rreth të njëjtë kohë, BBC bisedoi me të rinj në Mitrovicë. Një i ri tha se kosovarët janë “si zogj në kafaz”. Udhëtimi i ligjshëm drejt BE ishte e vështirë, për shkak të kufizimit të vizave. Por në vend ka shumë pak mundësi: shkalla e papunësisë është rreth 60 për qind.
Të njëjta shkaqe janë nxitja e eksodit nga Shqipëria, e ndërlikuar dhe kthimi i mijëra emigrantëve që kanë humbur punën në Greqi e Itali, për shkak të krizës financiare. Për ata, paga mesatare mujore e Shqipërisë, 350 euro, duhet të jetë shumë e ulët.
Deri tani as Kosova as Shqipëria nuk kanë qenë në listën e Gjermanisë të “vendeve të sigurta të origjinës”, megjithëse mendohet që kjo të ndryshojë. Kështu që, megjithëse shumica e aplikimeve për azil do të dështojë, do të duhet thuajse një vit para se humë njerëz të urdhërohen të largohen nga Gjermania.
Po aplikimet për azil nga Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi? Pati gati 20 000 të tilla këtë vit deri në fund të korrikut – dhe shumica e tyre ishin romë, më shumë se 90 për qind në rastin e Serbisë.
Sipas organizatës që punon me romët kjo tregon se pavarësisht Dekadës për Përfshirjen e Romëve, një iniciativë që është mbështetur nga shumë vende evropianolindore dhe që përfundon më 10 shtator, shumë njerëz kanë mbetur në gjendje të vështirë.
“Patëm këtë dekadën e romëve, shumë njerëz dhanë para – por disa nga treguesit kyç janë përkeqësuar krahasuar me 10 vjet më parë,” thotë Dritan Nelaj, nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur.
“Romës bazohen te të ardhurat informale, ndërsa ekonomitë po rregullohen dhe formalizohen – ata humbasin pozicionin e tyre në treg dhe të ardhurat e tyre zhduken. Strehimi dhe punësimi mungojnë. Nga ana tjetër, romët ndihen të diskriminuar.”
Kështu që largimi drejt Gjermanisë është një mundësi tërheqëse për shumë romë. Ata braktisin strehimin e pasigurt në Ballkanin Perëndimor për një qendër azili të sigurt në Gjermani – madje marrin dhe ndihmë 140 euro në muaj, ndërsa aplikimi është në proces.
“Zakonisht refugjatët duan procedura të lehta azili,” thotë Milita Sunjiç, nga UNHCR e OKB, dega e Beogradit. “Por në këtë rast ata ankohen se procedurat janë shumë të shkurtra. Romët më thonë që e dinë se nuk do të fitojnë azilin – por të paktën janë të sigurt dhe ngrohtë.”
Ndryshe nga eksodi prej Kosovës dhe Shqipërisë, gjendja e romëve në rajon është një problem i përhershëm.
Zoti Nelaj thotë se diskriminimi që ata përjetojnë duhet t’i kthejë në kandidatë legjitimë për azil. Ndërsa Militia Sunjiç thotë se për sa kohë që familjet rome do të vuajnë nga varfëria, ata do të vazhdojnë ta kërkojnë fatin në Gjermani.

"Postbllok.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.