Raporti i BSH: Remitancat, emigrantët dërguan 305 milionë euro për 6 muaj

Postuar në 12 Shtator, 2015 08:06

Në tremujorin e dytë të këtij viti kanë hyrë në ekonominë shqiptare 360 milionë euro. Sipas një shkrimi në “Gazeta Shqiptare” dy zërat që kanë injektuar më shumë para në ekonomi janë remitancat dhe investimet e huaja direkte. Të dhënat janë bërë të ditura në raportin e fundit të Bankës së Shqipërisë, ku mësohet se dërgesat nga emigrantët në periudhën prill­maj­qershor janë rritur me 17.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Që prej fillimit të krizës, në zonën euro remitancat kishin shënuar ulje të vazhdueshme, ndërkohë që ky është i dyti tremujor radhazi që dërgesat e emigrantëve u kthehen ritmeve pozitive.

Duke iu referuar Bankës së Shqipërisë, “Gazeta Shqiptare” thotë se edhe dërgesat e emigrantëve shënuan rritje dyshifrore, me 17.6 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Më konkretisht, për periudhën prill­qershor dërgesat e emigrantëve ishin 162.5 milionë euro, nga 138.1 milionë që ishin një vit më parë. Sipas raportit të Bankës Qendrore, mësohet se të paktën për gjashtë muajt e parë të vitit dërgesat nuk janë goditur nga përshkallëzimi i krizës greke, edhe pse ajo e shënoi kulmin pas fundit të qershorit, kur Greqia mbylli bankat.

Të dhënat tregojnë se në tërësi si gjashtëmujor, të ardhurat që emigrantët kanë dërguar pranë familjeve të tyre ishin 305 milionë euro, ose rreth 48.5 milionë euro më shumë se gjysma e parë e vitit të kaluar. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.