Mustafa: Ushtria e Kosovës, s’mund të kushtëzohet formimi i saj me vendet e rezervuara

Postuar në 12 Shtator, 2015 10:30

“Koha.net”, në një raportim të sajin shkruan se kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka dhënë sqarime në lidhje me vazhdimin e vendeve të rezervuara në Kuvendin e Kosovës për komunitetet joshumicë të Kosovës dhe raportin e kësaj çështjeje me formimin e FAK-ut. Ai thotë ta ketë kundërshtuar vazhdimin e këtyre vendeve sa ka qenë në opozitë, ndërsa thotë se edhe sot, pavarësisht çmimit, do ta kundërshtonte një gjë të tillë. “Është e vërtetë e pamohueshme se unë dhe LDK në mandatin e kaluar, sa ishim në opozitë, kemi kundërshtuar vazhdimin e vendeve të rezervuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Nuk jam penduar për këtë, dhe edhe sot do të kundërshtoja, me çdo çmim. Sepse, është e pa arsyeshme që të ngushtohen vendet për deputetë të subjekteve shqiptare në Kuvend dhe të zgjerohen edhe më tutje për përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë”, thotë Mustafa në postimin e tij në facebook. Kryeministri konsideron se nuk ka çmim i cili e arsyeton dëmtimin e përfaqësimit në organin më të lartë legjislativ. “Është e qartë se komunitetet joshumicë, tani me vende të garantuara janë pozitivisht të diskriminuara, gati dyfish në krahasim me pjesëmarrjen në popullsi. Prandaj, ndihem i nderuar në qoftë se dikush edhe më tutje vazhdon të më fajësoj se nuk jam pajtuar. Nuk do të pajtohem as sot të bëj pazar me vendet në parlament”, ka potencuar kreu i ekzekutivit, raporton “Koha.net”.

Ndërkaq, sa i përket transformimit të FSK-së në Forcë të Armatosur, Mustafa thotë se ka qenë dhe është e pajustifikueshme që të ndërlidhet me kontekstin e vazhdimit të vendeve të rezervuara, sepse, sipas tij, “këto vende nuk mund të afatizohen”. “Ajo që ndryshohet në Kushtetutë me dy të tretat e dyfishta, nuk mund të ndryshoj në të ardhmen pa të njëjtin parim. Së fundmi kjo do të na shtynte në një cikël të kushtëzimeve, nga i cili vështirë se do të gjenim rrugëdalje”, shprehet kryeministri Mustafa. “Ndërkaq, pavarësisht propagandës që po bëhet, unë jam duke punuar shumë me të gjithë për të gjetur zgjidhje për transformimin e FSK-së. Vetëm gjatë dhjetë ditëve të kaluara i kemi pasur pesë takime me partnerë të koalicionit dhe faktorët ndërkombëtar dhe me strukturat më të larta të FSK-së për të gjetur zgjidhje”, deklaroi kreu i ekzekutivit.

Mustafa tha në fund se do të punojnë shumë për avancimin e të drejtave të popullatës joshumicë në vendin tonë, “dhe jemi kampione në ofrimin e këtyre të drejtave, por Forcat e Armatosura janë forcë e të gjithë qytetarëve tanë, prandaj pres bashkëpunim dhe marrje të përgjegjësive edhe nga përfaqësuesit e partive joshumicë në Kuvend”.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.