Investimet publike ndjekin trendin e një viti më parë: atë të mosrealizimeve

Postuar në 12 Shtator, 2015 11:25

Duket se niveli i investimeve publike gjatë 8­-mujorit, ka ndjekur trendin e një viti më parë, atë të mosrealizimit. Në një kronikë të trasmetuar nga “Tv Scan”, thuhet se ndonëse 6 mujori i parë i këtij viti ishte periudhë parazgjedhore, ku sipas eksperiencave të mëparshme duhet të kishim një “bum” investimesh publike, ka ndodhur e kundërta. Edhe gjatë vitit të kaluar për qeverinë pati kritika si nga opozita edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare për nivelin e ulët të investimeve publike. Për këtë qëllim muajin e fundit të vitit, Ministria e Financave për të plotësuar planin e investimeve publike miratoi një instrument financiar si letër­kreditë, për të cilat pati dhe mjaft debate.

Sipas të dhënave paraprake të Ministrisë së Financave, shpenzimet e përgjithshmë të buxhetit për periudhën janar­ gusht arritën në 263.2 miliardë lekë, ose 58 % e parashikimit vjetor. Shpenzimet korrente rezultojnë në masën 221.7 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet kapitale rezultojnë në vlerën e 27.1 miliardë lekë. Duket se krijimi i shumë detyrimeve të prapambetura në vite ndaj biznesit që kishte kryer punë dhe shërbime publike, ka bërë që qeveria të jetë e rezervuar me fondet publike. Gjithashtu për të patur një kontroll më të rreptë të financave publike, tashmë është miratuar në buxhetin afatmesëm se të gjitha projektet e reja që do të hapen do të planifikohen në buxhetet afatmesme 3 vjeçare, cka ul mundësinë e hapjes së projekteve pa patur gjithë financimin e plotë.

Kështu referuar këtyre të dhënave, investimet me financim të brendshëm janë pak më të larta se ato me financim të huaj, ose respektivisht 34.2 miliardë lekë dhe 28.1 miliardë lekë. Ndërsa qeveria ka ndryshuar me një Akt normative buxhetin e këtij viti, viheh re se në zërin e investimeve janë miratuar disa rialokime, përkatësisht nga projektet e investimeve me financim të huaj (kredi) tek ato me financim të brendshëm. Kjo si pasojë e ecurisë të ngadaltë të zbatimit të projekteve me financim të huaj për vitin 2015, kryesisht në sektorin e rrugëve nacionale. Njëkohësisht, janë propozozuar edhe rialokime mes projekteve të investimeve me financim të brendshëm, drejt atyre me ecuri më të lartë. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.