Gjithë fajin e ka Saliu?! Jo: Janë të gjithë si Saliu

Postuar në 12 Shtator, 2015 18:10

Partia Socialiste duket se ka menduar ta anashkalojë dokumentin e OSBE-së që bën një përmbledhje të hajdutëve dhe banditëve që janë parlamentin shqiptar. Kuptohet “referuar medias” për të dhënat kryesore. Edi Rama tërheq karrocën e korrupsionit në këtë listë me 200 milionë euro të supozuara, pasuar nga shumë kolegë të tij. Ilir Meta përflitet se ka urdhëruar vrasje në këtë dokument, kurse Sali Berisha...dihet tashmë çdo gjë. Dokumenti po trajtohet në media, ndërkohë që mazhoranca ka menduar t’ia lërë një deputeti si Taulant Balla që të thotë ndonjë gjë. Dhe formula është gati: Fajin e ka Saliu. “Problematikë në politikën shqiptare nuk janë ata që kanë kryer një vepër penale dhe janë dënuar, por ata njerëz si Arben Ristani, Lulzim Basha e të tjerë, të cilët kanë kryer vepra penale dhe janë të vetëdijshëm për ato”, tha Balla pas një mbledhjeje me strukturat e PS-së. Nuk dihet se çfarë konsiderate ka për veten zotëria në fjalë, që është aty nuk dihet për ç’arsye apo meritë. Gjithsesi, një reagim do të ishte normal, pasi bëhet fjalë për Rilindje. Fshehja dhe heshtja e njollos edhe atë pak mendim se “këtu do të bëhet shtet” dhe e diskrediton të drejtën për të kërkuar kupona e futur njerëz në burg për kasa fiskale. Aktualisht shumëkush ka ulur kokën, pasi në sulm është hedhur policia. Por me zbardhjen e dokumenteve si këto të OSBE-së, që e merr median shqiptare disi më seriozisht me sa duket, nga kritizerët që “rrinë e vështrojnë”, do uruar që të kuptohet se deviza “Gjithë fajin e ka Saliu”, në të vërtetë është “Jemi të gjithë si Saliu”. Asgjë më shumë. Kopje të tij. Dhe ndoshta kështu do hyjnë edhe në histori si kopjet e Saliut. Atëhere ndoshta dikush do mendojë për ndonjë gjë tjetër përveçse të ikë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.