Tatimet në gatishmëri “luftarake” – udhëzimi i Canit: 2% e të ardhurave i mbeten DPT-së. Punonjësit e hetimit tatimor pajisen me armë

Postuar në 11 Shtator, 2015 01:46

Lufta kundër informalitetit dhe evazionit – që këtej e tutje do të quhet evazion tatimor dhe jo fiskal – është kompletuar së fundmi edhe me bazën juridike minimale, siç është udhëzimi i ministrit Shkëlqim Cani. Në datën 4 shtator të këtij viti, pra në ditët e para të aksionit, ministri ka miratuar udhëzimin për “Për procedurat tatimore”, si ndryshim i pasuruar me disa shtesa, i udhëzimit nr. 24 i datës 2 shtator 2008. Disa pika të udhëzimit të ri udhëhiqen nga një frymë gatishmërie e ngjashme me operacione policore. P.sh që në pikën 2 flitet për shpërblime dhe për detyra të një rëndësie të veçantë. "Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve i lihet deri në 2 për qind të të ardhurave tatimore të mbledhura, për t’u përdorur për investime për përmirësimin dhe për modernizimin e infrastrukturës së mbledhjes së të ardhurave dhe për shpërblime stimuluese, të personelit të administratës tatimore. Personelit të administratës tatimore i jepen shpërblime stimuluese, për:
a) efektivitetin e shërbimit të kryer në organet tatimore;
b) kryerjen e një shërbimi me rrezikshmëri të veçantë”.

Këto vijnë si shtesa në udhëzimin e vjetër dhe jo ndryshime. 2% e të ardhurave është një shumë e konsiderueshme, por në udhëzim nuk saktësohet konkretisht se çfarë nënkuptohet me investime në përmirësimin e infrastrukturës. Shërbimet me një rrezikshmëri të veçantë ndoshta janë ato që lidhen me hetimin tatimor. Kjo sqarohet në një pikë tjetër të udhëzimit, konkretisht pika 105.4 ku ligjërohet që:
“Punonjësit e strukturave të hetimit tatimor pajisen me armë, në përputhje me legjislacionin e fushës”. Ndërhyrje të rëndësishme bëhen edhe për rimbursimin e TVSH-së, që do të bëhet mbi bazën e vlerësimit të riskut nga Drejtoria e Rimbursimit të TVSH-së. Shkurtohet me një vit gjenerimi i gjobave për mosdeklarim nga biznesi me masë gjobe deri në 0.06%.
Nga ana tjetër, udhëzimi parashikon ndëshkime shumë të rënda për shkelje administrative të përsëritura, që nga pajisja me kasë fiskale e deri te lëshimi i kuponit. I rezervohet e drejta Tatimeve që të bëjnë kallëzim penal për këto shkelje të përsëritura, ndërkohë që sot u njoftua edhe ndërhyrja në Kodin Penal për të rregulluar masën e burgosjes për tatimpagues që i konsumojnë ato.
Siç shihet udhëzimi përcjell një frymë lufte në vendin më zhelan të Europës, në përputhje me atë që edhe kryeministri tha: Shqipëria është në gjendje lufte me informalitetin. Për kujtesë: 50 mijë është numri i banesave informale të legalizuara, sikundër 80% është masa e kamatvonesave të falura të energjisë. Pa llogaritur 100 milionë dollarë amnisiti për borxhin që institucionet shtetërore i kishin OSHEE-së.

http://www.qbz.gov.al/botime/fletore_zyrtare/2015/PDF-2015/156-2015.pdf

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.