Pse Edi Rama nuk mban kurrë asnjë përgjegjësi

Postuar në 11 Shtator, 2015 11:05
Fitim Zekthi

Përballë akuzave se ka përfshirë në grupin e deputetëve njerëz që vijnë nga bota e krimit, të konfirmuara nga ngjarja e rëndë ku një deputet socialist u përfshi në një përleshje me armë në prani të policisë në Laç, kryeministri Edi Rama u mbrojt me zakonin e sulmeve ndaj kundërshtarit. Në një deklaratë të lexuar nga deputetja Olta Xhaçka u tha se “…ka marrë fund koha kur djali i kryeministrit qëllonte me armë dhe nuk prekej, ka marrë fund kultura e pandëshkueshmërisë që ndërtoi Berisha…”

Ajo lexoi edhe “…dy fjalë edhe për Lulzim Bashën dhe Sali Berishën, që prej kohësh duhet të kishin dhënë llogari përpara organeve të drejtësisë..”. Sulmin dhe fajësimin e tjetrit kryeministri Edi Rama e ka tipar të pandryshueshëm të gjithë jetës së tij politike. Gjatë gjithë vjeshtës së vitit 2013, pasi erdhi në pushtet, ai vetëm fajësoi qeverinë e kaluar për atë që e quante borxhi i tmerrshëm, Shqipëria që kullonte gjak në çdo anë, krimi i ulur këmbëkryq, shkatërrimi i sipërmarrjes, grabitja e pronës së shqiptarëve, mësuesit më të paaftë që nga koha e Petro Nini Luarasit, spitalet e ndyta dhe të korruptuara etj., etj. Ndonëse gjatë analizës së 100 ditëve tha se “më e keqja ka kaluar dhe vendi tani ka hyrë në rrugën e rritjes”. Sërish gjuha e fajësimit nuk u ndal. Situata kriminale me bomba me telekomandë, me vrasje mafioze sërish kërkoi të gjente fajtorë. Në një rast, kryeministri fajësoi mediat dhe tha se “ato nuk i shohin sukseset e policisë”.

Në një rast tjetër, kryeministri tha se vrasjet janë larje hesapesh e kriminelëve para se të kapen nga policia. Gjatë fjalimit ku njoftoi mospranimin e kërkesës për shkatërrim të armëve kimike, ai sërish fajësoi opozitën kur tha: “…paraardhësi im dhe ata që shkruan kapitullin më të turpshëm të marrëdhënieve shqiptaro–amerikane, çanë për herë të parë në dy dekada politikën shqiptare në raport me Shtetet e Bashkuara, duke e kthyer Parlamentin në një skenë skizofrenie politike, ku partneri ynë më i madh u trajtua njësoj si të ishte Asadi”.

Kështu ndodhi edhe kur së bashku me deputeten Luiza Xhuvani, djali i së cilës atë ditë kishte vrarë katër persona, lexoi një fjalim, ku ndër të tjera tha: “ Gojët e mbushura plot, që u zbrazën sot nga një opozitë që na la peshqesh Shqipërinë informale të tokës së xanun, drejtësisë së shitur, energjisë së vjedhur, diplomave të blera, armëve të lëna sheshit e krimit që drejtonte policinë…”. Po kështu reagoi kryeministri edhe ndaj akuzave për trafik droge me avionë. Ai tha se “ky trafik kryhej vetëm në kokën e sëmurë të opozitës”. Në rastin e përmbytjeve të vjetshme në zonën e Levanit dhe të Novoselës, Rama tha se “moti i keq zbuloi edhe prapësitë e pamasa të një qeverisjeje barbarësh gjatë këtyre viteve të shkuara”. Akuzave se Shqipëria është kthyer në vend ku mbillet hashash në çdo cep të sajin, ai iu përgjigj se “këto akuza vijnë nga ata që për tetë vjet ndërtuan plantacionin me famë botërore të Lazaratit dhe tashëm ata kanë humbur toruan dhe nuk duhet të merren në konsideratë…”.

Njeriu është një qenie e pajisur me ato që në psikologji quhen mekanizma mbrojtës. Një mekanizëm mbrojtës synon të pakësojë ankthin që lind impulse, ide, ndjesi, fakte, perceptime të papranueshme ose që mund të shkaktojnë dhimbje. Mekanizma të tillë janë të pavetëdijshëm. Ata mund të kenë pasoja të shëndetshme apo të pashëndetshme, të cilat varen plotësisht nga rrethanat dhe shpeshtësia e përdorimit. Shumica e psikanalistëve bien dakord se mekanizmat mbrojtës vihen në punë nga mendja për të manipuluar, mohuar, ose shtrembëruar realitetin në mënyrë që individi të mbrohet nga ankthi dhe vuajtja. Personat e shëndetshëm përdorin mekanizma të ndryshëm gjatë jetës.

Psikologë të shumtë (L Karlsson, M Pelkonen, T Ruuttu etj.) thonë se një mekanizëm bëhet patologjik kur përdorimi i tij I është i vazhdueshëm dhe çon në sjellje që nuk iu përgjigjet situatave në mënyrën e duhur, sjellje që përsëriten vazhdimisht po njëlloj, pasi te personi kanë ndodhur tashmë transformime edhe në fiziologjinë e individit. Një nga tipet kryesore të mekanizmave mbrojtës është projeksioni psikologjik ose fajësimi I tjetrit. Ekziston një literaturë shumë e gjerë që përshkruan gjithë mënyrën se si përdoret ky mekanizëm, se si ai fillon e bëhet patologji dhe përkufizon gjithë mënyrën se si vepron një njeri. Karl Abraham dhe Anna Freud, të cilët janë dy nga autorët më me ndikim në gjithë shkencën e psikanalizës, i përfshijnë te projeksioni psikologjik mendime, motivime, dëshira, fakte etj., që nuk mund të pranohen dhe kësisoj individi nis sulmin dhe fajësimin e tjetrit. Njerëzit, te të cilët një mekanizëm mbrojtës si projeksioni psikologjik bëhet patologji, janë narcisistë.

Karl Abraham thotë se ky mekanizëm mbrojtës gjendet thuajse në 100% të rasteve të verifikuara tek ata me shenja të thella narcisizmi. Sipas tij, individë të tillë kur kanë pushtet ose kur janë drejtues të lartë politikë, kanë një sens arrogance të lidhur me vetëvlerësimin. Ata i ekzagjerojnë arritjet e tyre. Presin të pranohen si superiorë. Iu duket vetja të veçantë dhe besojnë se ata duhet të kenë një status të lartë. Kur janë në zyrë, domethënë kur kanë pushtet, ata rrethohen nga njerëz të pasur dhe të fuqishëm, por i përbuzin njerëzit e zakonshëm. Kërkojnë të jenë të admiruar etj. Kjo ndodh saktësisht me mënyrën se si kryeministri Edi Rama ekzagjeron pa ndalur arritjet e tij dhe për çdo gjë që shkon keq nuk mban asnjë përgjegjësi, por sulmon kundërshtarin. Ai përdor vazhdimisht të njëjtin mekanizëm mbrojtës, fajësimin e tjetrit, pavarësisht se për çfarë bëhet fjalë.

Nuk ka asnjë rast, qoftë ai fjalim për ditën e parë të shkollës, diskutim për buxhetin, intervistë nga plazhi, ceremoni varrimi e ndonjë polici, iftar me regji qendrore apo mendim për ekipin kombëtar të futbollit, ku ai të mos përdorë të njëjtin mekanizëm mbrojtjeje. Përdorimi kaq i gjerë i këtij mekanizmi tregon se ai tashmë është bërë patologji. Duhet të mësohemi me këtë sjellje. Asnjë lider nuk quhet i dështuar kur dështon, ai quhet i dështuar kur nis dhe fajëson të tjerët. Rama ka nisur t’i fajësojë të tjerët edhe pa nisur vetë punën, ose që ditën e parë që e ka nisur atë. Pra, ai ka nisur të jetë i dështuar që në krye. Lideri i mirë është ai që në çdo situatë mban përgjegjësi më shumë se sa ka dhe pranon lëvdata më pak se sa meriton. Rama nuk pranon asnjë përgjegjësi dhe vetëm lavdërohet. Ky është thjesht një fakt jetësor, për fat të keq edhe politik.

"Mapo"

Comments

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Pershkrim dhe analize e sakte. Une do te thosha qe pervec se narcisist, kryeplaku i shqiptareve eshte edhe delirant dhe vuan nga mania e madheshtise. I eshte mbushur mendja qe po qe i gjate je edhe i madh. Nje gje te habit, duke pranuar qe mekanizmat mbrojtese qe perseriten shnderrohen ne patologji, eshte i pashpiegueshem fakti qe tek ky njeri qe nuk ka bere asnje gje te dobishme ne jeten e vet dhe kurre nuk eshte marre me ndonje gje serioze, po te mos llogarisim ketu ndonje top qe rastesisht ka hyre ne kosh athere, kur ky bente sikur luante basketboll, te vetekultivohet ky lloj autoadmirimi. Une gjithmone shtroj pyetjen, cdo te ishte bere me kete person, po te mos e kish nxjerre Fatos Nano nga nen-urat e Parisit per ta sjelle ne zyren e ministrit te kultures, qe per ironi ne ate kohe ndodhej ne ish zyrat e Komitetit Qendror te Rinise Komuniste.

Submitted by Driton Bakija G... (not verified) on

Shkrim i mire nga,Fitim Zekithi.Analiza e ketij shkimi flet per poltiken ,Shqiptare si opziten dhe poziten per ,Edi Rmen E Sali Berishen ku thote ku ,Edi Rama ishite ne opzite fajsonte ,Sali Berishen kurse tani qe eshte ne pozite fajson perseri opziten pra ,Sali Berishen per gjitheshka.Kjo nje semundje patolgjike e karkterit te inedividit ku fajson tjetrin per gabmiet e bera ku fajtore kreysore eshte ai vete ,Edi Rama.Sumundja patologjike e poltikaneve per fajsmin e njeri tjetrin ku kjo te ,Shqiptaret e kane si tradite te keqe dhe jo te permisushme.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.