Dokumenti sekret i OSBE-së tregon për lidhjet korruptive të Ramës, Metës e Berishës(përditësuar)

Postuar në 11 Shtator, 2015 14:52

Për bëmat e politikanëve tanë në fushën e krimit dhe korrupsionit flasin edhe ndërkombëtarët. Dhe kjo gjë tanimë është e ditur. E fundit është një raport konfidencial, prej disa faqesh, i OSBE -së, i cili është siguruar dhe publikuar nga “Lapsi.al”, sjell informacione, të mbledhura në terren në mënyrë operative, të cilat kanë të bëjnë me një grup politikanësh, nga më të lartët e deri tek ata më rishtarët, që dyshohen për lidhje direkte ose të tërthorta me krimin e organizuar, trafiqet dhe kontrabandën.  Sipas “Lapsi.al”, raporti, i hartuar rreth një vit më parë, nuk përbën një qëndrim zyrtar të OSBE, por ai përbën padyshim një nga platformat mbi të cilat prej disa muajsh tashmë, ka nisur beteja për dekriminalizimin e politikës në Shqipëri. Raporti, i hartuar nga njësia për çështje politike dhe publike e OSBE mbi bazën e burimeve të hapura, flet për lidhje të politikanëve e anëtarëve të parlamentit me krimin e organizuar, për përtifime të tyre nga të ardhura të investuara në kompani të ndryshme apo nga biznese që i drejtojnë familjarët  e tyre. Të dhënat u referohen informacioneve konfidenciale, ato të publikuara në media apo kabllogramet e ambasadës amerikane, të publikuara nga Wikileaks.

Për herë të parë një raport ndërkombëtar përmend shifra mbi pasurinë e kryeministrit Edi Rama, fshehjen e saj në SHBA përmes të vëllait, Olsi Ramës dhe akuzat për rryshfet me lejet e ndërtimit në Bashkinë e Tiranës.  “Kryetar i PS, Kryetar i Bashkisë së Tiranës 2000 – 2011 dhe tani Kryeministër. Është folur shumë në lidhje me dyshimet për përfitimin e një tarife për lejet e ndërtimit, me rreth 10 – 20 % të vlerës së ndërtesave”, thuhet mes të tjerëash në raport.

Për Ilir Metën raporti evidenton interesat e tij në biznese si ndërtimi, turizmi, materialet e ndërtimit dhe në fushën e energjitikës dhe flet të lidhjeve të tij me aktorë të mafias. Raporti shkruan: “Kryetar i LSI, ish Kryeministër dhe Zëvendëskryeministër, aktualisht Kryetar i Parlamentit. Interesa në ndërtim, turizëm, materialet e ndërtimit dhe energjitikë. I dyshuar për lidhje të forta me aktorë të mafias, kryesisht nga Jugu i Shqipërisë. Ka zëra se udhëroi të paktën dy vrasje ndërsa ishte Zëvendëskryeministër”.

Për Sali Berishën, raporti konfidencial i OSBE përmend investigimin e BIRN mbi lidhjet e tij me Damir Fazlliç dhe dyshimet për përdorimin e influencës së tij nga i biri, Shkëlzen Berisha dhe e bija Argita,  për të bërë biznes në shuma marramendëse. “Argita Berisha, vajza e ish –Kryeministrit u akuzua më shumë se një herë se ka vepruar si ndërmjetëse mes Qeverisë Shqiptare dhe investitorëve, duke i ngarkuar ata me shuma të konsiderueshme në këmbim të favoreve për investitorët potencialë. Shkelzen Berisha, djali i ish –Kryeministrit, ka qenë i akuzuar gjithashtu se shpesh ka përdorur emrin dhe influencën e babait për të bërë biznes: ka patur spekulime mbi rolin e tij në fabrikën e demontimit në Gërdec dhe trafikun e paligjshëm të armëve”, shkruhet në raportin kofidencial të OSBE-së.

Ndërkohë Prezenca e OSBE-së ka shpërndarë këtë reagim:

"Prezenca e OSBE-së në Shqipëri është njohur me botimin, të paautorizuar, të disa pjesëve nga një përmbledhje e brendshme e vitit 2014, bazuar në informacion që qarkullonte në publik, për lidhjet e mundshme mes biznesit dhe politikës. Përmbledhja bazohej në informacionin e nxjerrë nga raportimet në mediat lokale në Shqipëri, si background për klimën politike dhe për akuzat që qarkullonin në publik në atë kohë. Ne nuk mund të komentojmë lidhur me vërtetësinë e raportimeve në media. Përmbledhja nuk pasqyron asnjë qëndrim zyrtar apo gjykim të OSBE-së. Prezenca e OSBE-së beson fuqimisht në rëndësinë themelore të etikës në jetën publike dhe do të vijojë të punojë me Kuvendin e Shqipërisë dhe me të gjitha partitë politike për ta theksuar këtë".

Comments

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Keta te huajt gjithmone na kane rene ne qafe ne shqiptareve, e thoshte gjithmone edhe shoku Enver qe imperialistet na kishin inat. Ku ka me te paster sesa politikanet tane, ata vetem rrogen marrin, te tjerat i kane peshqeshe, per te cilet nuk jepet kupon tatimor.

Submitted by Triumvirati (not verified) on

Prite tani kur...te rishfaqet Thirrja e Madh per Unitet!

Rama dhe Meta do ta garantojne Aleancen e Tyre ( Lumpen-Proletare te te Gjithe Shqypnise, Bashkohuni) dhe,
per me teper, do therrasin perfshirjen ne kete Aleance edhe vete "Objektin" Kunder, Sali Berishen!

Do behen bashke dhe do ta perzene OSBE-ne nga atdheu i Shqyponjave!

Edi Rama do vazhdoj Fjalimet Programatike kunder Imperializmit Anglo_Euro-Amerikan, nen emrin e Olsit,

dhe Ilir Meta i di vete punet e veta!

Ka vetem nje zgjidhje: abandonim total i tyre. Fyerje sa me te hapura, publike, prej shtypit, medias dhe Qytetareve, pa shkuar ne shkelje Ligji.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.