Nën akuzë Kryeministri dhe qeverisja, por protesta do të jetë për Ilir Metën dhe Sajmir Tahirin!

Postuar në 10 Shtator, 2015 12:46

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka mbajtur sot një fjalë në Grupin Parlamentar. Me tone thuajse solemne, Basha u është drejtuar deputetëve me përgjegjësinë e dikujt që pritet të hidhet në një aksion vendimtar, duke zbardhur edhe ofertën e PD-së. “Votimi i projektligjit të dekriminalizimit, dorëheqjet dhe hetimi i Metës dhe Tahirit, plani ekonomik i shpëtimit janë sot oferta e Partisë Demokratike për nxjerrjen e vendit nga qarku i skandaleve dhe zbutjen e krizës ekonomike. Dëshirojmë zgjidhje institucionale. Por nuk do të presim sepse nuk ka kohë më për të pritur”, tha Basha në konkluzion të fjalës së tij. Një fjalë e cila ka një disproporcion mes përmbajtjes dhe kërkesave. Po të lexohet ajo, thuajse 80% të akuzave i adresohen kryemimistrit Edi Rama, sidomos për kriminalizimin, abuzimin, rënien ekonomike etj.. E megjithatë, partia më e madhe opozitare angazhohet e gjitha në një betejë që ka dy synime “minore”: dorëheqjen e Sajmir Tahirit dhe Ilir Metës. Nuk është e qartë se cila është loja që qëndron pas kësaj shakaje politike, por për krahasim, po sjellim në vëmendje faktin se ish-opozita socialiste e drejtuar nga Edi Rama, nuk u pa në ndonjë betejë të vërtetë pa patur si objektiv njeriun kryesor: Sali Berishën. Ndaj të ndezësh motorrët e protestave, verbalisht të paktën, bazuar në akuza për kryeministrin dhe qeverisjen, dhe të kërkosh dy dorëheqje si këto më sipër, nuk ngjan serioze. Dikur Edi Rama dhe PS-ja pas tij thoshte: “Hap kutitë, ose largohu”. Me të drejtën e sistemit, ish-kryeministri Sali Berisha përgjigjej: “Drejtohu në gjykatë”. Finalen e kësaj përballjeje e dimë të gjithë. Ndoshta për akuzat penale ndaj Metës dhe Tahirit, është mirë që edhe PD-ja të kërkojë drejtësi nga gjykata. Protesta formalisht bëhet për qeverisjen dhe kundër saj. Kuptohet, kur atë e ideoj vetëm opozita.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.