Disa mënyra për të eliminuar pesticidet nga fruta-perimet që konsumojmë

Postuar në 10 Shtator, 2015 17:27

A e dini se jeshillëqet e “shëndetshme” që konsumoni çdo ditë janë plot e përplot me kimikate?! Fatkeqësisht nuk po e ekzagjerojmë. Së bashku me mollën tuaj të preferuar përshembull merrni dhe nivelin më të lartë të pesticideve, plot 98%. Por çfarë do të thotë kjo, se s’duhet të hamë asnjë mollë e frut tjetër? Keni dy zgjidhje, ose të blini ushqime organike të çertifikuara, ose të mësoni disa truke të vogla se si t’i hiqni këto kimikate nga frutat dhe perimet tuaja.

Rrushi, selino, pjeshka, molla, luleshtrydhe, spinaqi, speca, nektarina të importit, kastraveci, domate të vogla, bizele dhe patate të importit janë të gjitha në të ashtuquajturën “lista e pistë”. Këto produkte duhet të bëni shumë kujdes kur t’i konsumoni, pasi përmbajnë një numër të konsiderueshëm mbetjesh të pesticideve dhe përqendrim të lartë të tyre, krahasuar me ato të produkteve të tjera.

Ndërkohë që frutat dhe perimet më të pastra që arrijnë të krijojnë një barrierë ndaj pesticideve përfshijnë avokadon, misrin e ëmbël, ananasin, lakrën, qepën, asparagun, mangon, kivin, patëllxhanin dhe patatet e ëmbla. Avokadot janë ndër më të pastrat, me vetëm 1% që përmbajnë pesticide.

Truke si t’i bëni frutat dhe perimet të sigurta për konsum

Rroftë uthulla
Ka një mënyrë shumë të thjeshtë dhe të lirë për t’i shporrur ato kimikate. Tresni uthull të bardhë në ujë dhe me të, shpëlani produktet. Ekspertët këshillojnë që t’i zhysni frutat dhe perimet në një enë, ku të ketë 10% uthull dhe 90% ujë për 15 deri në 20 minuta. Pasi t’i hiqni do të vini re se uji i mbetur në enë është i ndotur madje mund të përmbajë dhe një pjesë veshtullore. Më pas shpëlajini me ujë të rrjedhshëm dhe shijoni ushqimin tuaj të freskët. Kjo metodë nuk këshillohet të përdoret në fruta delikate, si manaferrat, pasi kanë një lëkurë me pore dhe mund të thithin shumë uthull. Ndërkohë që me disa lloje të tjera frutash, mund të ngelet pak aroma e uthullës. Nëse dëshironi mund të përdorni edhe lëng limoni.

Pak kripë dhe mrekullia u bë

Uji me kripë është një zgjidhje tjetër për të larë frutat dhe perimet. Kjo është një mënyrë shumë e mirë për të hequr pjesën më të madhe të pesticideve që ndodhen në sipërfaqe të produktit.

Besojeni ose jo, me Ilaç enësh

Edhe pse janë të shumtë ata që nuk besojnë tek kjo metodë, ilaçi i enëve mund të përdoret për të larë frutat dhe perimet. Përdorni vetëm pak detergjent për të larë lakrën dhe sallatën. Më pas shpëlajini mirë për të hequr shkumën. Mos i lani me detergjent frutat dhe perimët pasi t’i keni prerë.

Sodë buke
Vendosini perimet në një enë me ujë dhe vendosni tre deri në katër lugë me sodë buke. Lërini për disa minuta dhe më pas shpëlajini mirë në ujë të bollshëm. Soda e bukës mund të përdoret shumë mirë edhe për të pastruar frigoriferin për të hequr erën e keqe.

Në përgjithësi frutat dhe zarzavatet duhet t’i lani në mënyrë të plotë, pasi kimikatet mund të futen nëpër të carat e produktit, duke e vështirësuar heqjen e tyre. Nëse bëhet siç duhet, larja me ujë të ftohtë është në gjendje të heqë 70% deri në 80% të pesticideve. Eshtë e rëndësishme që të investoni pak nga koha juaj në pregatitjen e ushqimit tuaj, nëse nuk do doni të përfundoni duke konsumuar një porcion me toksina me vaktin tuaj. Dhe kështu mbroni shëndetin tuaj dhe të familjes.

http://agroweb.org/?id=10&l=542&ln=sq&url=eleminimi-i-pesticideve-metoda...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.