"Shekulli”: “Drejtësia të nisë me Sali Berishën. Ose vota do ndëshkojë bukëshkalët”

Postuar në 09 Shtator, 2015 11:56

Ambicia e Partisë Demokratike për të përfshirë njëfarësoj Ilir Metën në procesin e dekriminalizimit të parlamentit dhe të politikës, rrezikon të neutralizojë vetë procesin. Në mos është lojë e qëllimshme pikërisht për të mbajtur këtë gjendje që shohim tani. Kjo nuk ka të bëjë me të vërtetën e Ilir Metës në politikë dhe përfshirjen e tij në afera korruptive, për të cilat tashmë ka një perceptim se janë të gjithë të vërteta, por për faktin se autorët e këtij skenari nuk hedhin dot një hap pa u rrëzuar vetë. Sali Berisha dhe Lulzim Basha, janë bashkëqeverisës me Ilir Metën, aleatë të dikurshëm të tij, i dinë njëri-tjetrit shumë gjëra, disa edhe familjare, siç na u bë e njohur në një debat parlamentar. Ndaj është e vështirë dhe e pamundur, edhe me mbështetje ndërkombëtare që kjo dasëm të ketë vetëm këtë kurban. Është e logjikshme që vetë PD-janta dijë këtë gjë, por nga ana tjetër edhe në radhët e socialistëve po ngrihen zërat që dekriminalizimi të kërkojë edhe zbardhjen e statusit të Sali Berishës. Në një editorial të sotmin, gazeta e Koço Kokëdhimës, “Shekulli” shkruan pikërisht këtë gjë, duke nënvizuar se leximi i votave të 2013-ës pëcjell këtë mesazh: likujdimin politik dhe drejtësi për bëmat e Sali Berishës. “Eksperimenti” social-politik, me nervat dhe durimin e shqiptarëve ka mbaruar. Rezultati i tij tregoi se kjo qeveri, në gjysmën e mandatit, nuk ka dashur dhe nuk ka ditur që të vendosë drejtësinë në vend. Nuk ka marrë as guximin të mendojë dhe të veprojë si patriote për të vënë interesin kombëtar mbi interesat e ngushta elektorale, apo llogaritë e vogla personale mes politikanëve. Një qeveri tjetër deshi dhe bëri atë që po i kërkohet prej dy vitesh qeverisë shqiptare. Kur në marsin e shkuar në Shqipëri erdhi kreyprokurori kroat, Dinko Cvitan, ajo çka gjeti në Shqipëri ishte larg parashikimeve. Vendi më i korruptuar në Ballkan, ku kishin ndodhur vrasje masive për biznes qeveritar, vjedhje me fonde shtetërore dhe ekzekutime për të mbajtur pushtetin, kishte vetëm një zyrtar të rangut të mesëm në prokurori. Çfarë përgjigje do t’i japë sot Edi Rama njeriut që urdhëroi arrestimin e ish-kryeministrit Ivo Sanader dhe kreyebashkiakut të Zagrebit Milan Bladiç, që ishin akuzuar për afera që krahasuar me Berisha&CO ngjajnë qesharake? Që ne nuk kemi kryeprokuror? Që ne nuk kemi prokurorë? Që gjykatat i kanë nxjerrë të pafajshëm me procedurë nga kryetari i sotëm de jure i opozitës, deri te ministrat, kryebashkiakët apo drejtorët? Edi Rama sot dhe ndoshta asnjëherë nuk do që të përgjigjet për këto pyetje. Populli po. Ai i meriton. Ai pret edhe dy vite. Pastaj përgjigjet me votë, siç di ai të përgjgjet me bukëshkalët”, shkruhet në editorial. Me sa duket jemi në kohën kur, ose do të vendoset për ndryshim, ose do të bëhet pazari i radhës.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.