Shënim: Vajmedet Shqipëria për "turkun" që ka në krye

Postuar në 09 Shtator, 2015 13:37

Edhe njëherë kemi në krye një kryeministër që duket se beson se Shqipëria është pronë e tij. Ca më keq dhe më e vajtueshme: që edhe shqiptarët duhet ta falënderojnë pse fati historik e solli aty që t’i përfaqësojë. Nuk është hera e parë që delirantë të tillë mbijnë e harlisen në katundin Shqipëri. Historia e afërt na jep dy shembuj të tillë: Sali Berisha dhe Edi Rama. Dy shembuj që qëndrojnë afër edhe si kriter për krahasimin e qeverisjes. Ka gjithësesi një ndryshim: Berisha mësoi të vepronte ndryshe pas humbjes së rëndë të 1997-ës. Bëri të vetën thënien “të isha edhe njëherë nuse, pa dija unë si nusëroja”. Kryeministri i tanishëm nuk e ka provuar akoma humbjen, ndonëse shumëkush shpresonte që këtë cilësi që moderon “liderët” do ta kompensonte me qytetari. Për t’u rikthyer te thënia që i atribuuam Berishës: u vunë në punë gjithfarë stisjesh mediatike, arrorët, ulliri e martesat gay sa herë kishte ndonjë problem. Qesharakja si instrument politik.
Kryeministri i tanishëm po ia kalon parardhësit. Ndërkohë që Shqipëria sheh se deputetë qëllojnë me armë dhe akuzat po shpërthejnë nga të katër anët për një ministër të Brendshëm që është provë e oksidimit moral të mazhorancës, partia më e madhe në pushtet, nuk lëviz as gishtin për të bërë një analizë, a për të dalë me një qëndrim. Me një arrogancë të pashpjegueshme dhe duke injoruar gjithë shqiptarët, kryeministri mendon të belbëzojë në Facebook, ndonjë shaka bajate me kreun e opozitës, por jo të sqarojë se ç’janë këtto çudira që po ndodhin. “Vajmedet PD, flet e s’di ç’flet, po kur lexon Raportin e ODHIR-it ngjan tamam si te ishe Sudja duke lexuar me ze te larte Financial Times:-)))” shkruan kryeministri. Në fakt, shqiptarëve ka kohë që nuk u duhet më raporti i OSBE-së për zgjedhjet, sepse zgjedhjet janë pazar i ditës së votimit. Këtë e dimë të gjithë. Por kryeministri ecën ndoshta edhe me vetëbesimin se me Berishën “shqiptarët do të mbeten shumica socialistë”. Dhe e ka në xhep këtë kapital që e vërvit sa herë të dojë. Kjo është përgjegjësi edhe e qytetarëve, por meqë besohet te qytetaria e këtij që drejton, e mira e do që ky besim naiv të përdoret për mirë. Letra e fundit e zbuluar në media na e konfirmon këtë dhe mund edhe të lexohet edhe ndryshe: bëni çfarë të doni. Do na votojnë prapë.
Deri dje, Sali Berisha, i ngarkuar edhe me barrën e ngjarjeve të 1997-ës, bënte çmos të rregullonte imazhin, të mburrte shqiptarët e të sajdiste popullin e thjeshtë. Aq sa ndonjëherë, e ekzagjeronte aq shumë sa merrte pamjen e atyre lolove që donin të argëtonin me çdo kusht monarkun. Sot po ndodh e kundërta: kryeministri po bën lolo një popull të tërë, që mesa duket e argëton shumë, kur e voton në mënyrë thuajse të pakushtëzuar, kur merr torbat e ikën nga Shqipëria, kur nuk i duhet fare as të japë llogari, as të flasë për atë që po na shohin sytë, e as të shpjegojë. E mira e kësaj pune është se nesër të paktën, nuk do kemi mundësi të akuzojmë ndokënd jashtë. Do kemi kuptuar të gjithë, me shembullin e këtij kryeministri, por edhe të tjerëve sigurisht, që qelbin dhe tumorin e kemi brenda.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.