Një gjeneral brigade si militant partie, Komisioni i Sigurisë kërkon procedim disiplinor

Postuar në 09 Shtator, 2015 16:42

Kryetari i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, i ka kërkuar ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli, nisjen e procedurave disiplinore për këshilltarin e Presidentit, Piro Ahmetaj. Ky i fundit, që është edhe Gjeneral Brigade, në një ushtri që thjesht është peshë në bordero, ka bërë disa deklarata, që sikur të mos kishin emrin sipër, mund të merreshin me siguri si grafite militantësh. Po përcjellim letrën e Brahos:

“Ju vëmë në dijeni se në datën 07.09.2015 në një prononcim publik të bërë në mediat sociale dhe të botuar në shtypin e ditës z.Pirro Ahmetaj me detyrë Këshilltar Ushtarak i Presidentit të Republikës në kundërshtim me funksionet dhe detyrën e tij, me ligjet në fuqi dhe etiken e ushtarakut ndër të tjera është shprehur se:

“Konfirmoj se të gjitha ligjet e reformës së mbrojtjes kanë kaluar në Kuvend me nga 72 vota nga 140 dhe shtoj se në asnjë rast në 23 vjet demokraci nuk ka ndodhur kjo qasje sovjetësh (gjithë pushteti Sovjetëve/fitimtarëve dmth aleancës kriminelëve, sigurimsave dhe qelbësirave).”

Konfirmoj po ashtu se në këto 72 vota PRO ARROGANCËS (nga 140deputetë) – ka qenë dhe vota e banditëve si Prenga (subjekt i këtij rasti), Frroku, Lutaj, Sterkaj dhe 8 deputetët me rekorde të rënda kriminale dhe disa ish-ushtarakë mediokër deri në perversitet. “

“Po ashtu konfirmoj se në Komisionin e Sigurisë Kombëtare – gati gjysma janë ish-oficerë&Kryetarë Dege të Sigurimit dhe Hetuesisë Kriminale të Shtetit (që me diploma falco janë konvertuar “Juridiks” dhe Doktorë Shkencash” … dhe pjesa tjetër mediokër deri për t’u mëshiruar (që vënë syze miopi për t’u dukur intelektualë)… “

“ Ky komision, dhe jo vetëm, do të futet në historinë e Parlamentit dhe reformave të mbrojtjes si komisioni i turpit, kriminelëve dhe perversëve”.

“Siguroj këdo kontribues dhe të shqetësuar se mund të dojë ca kohë por nuk do të vonojë shumë që këto MONSTRA (dhe ata që heshtin), do të përgjigjen për të gjithë këtë histori turpi dhe arrogancë staliniste mbi sistemin e sigurisë dhe qasjen bolshevike me asetet strategjike të mbrojtjes”.

Prononcimin publik të mësipërm të mbushur me mllef haptazi politik, e konsiderojmë ngjarje të rëndë dhe shkelje të paprecedentë te marrëdhënieve institucionale, shkelje të rëndë të legjislacionit shqiptar në fuqi, të statusit të ushtarakut, të etikës dhe ligjit për depolitizimin, si fyerje dhe shpifje ndaj veprimtarisë së Komisionit të Sigurisë Kombëtare dhe deputetëve të tij.

Është i pakuptueshëm njëkohësisht burimi i këtij “frymëzimi”, motivet të cilat i vlerësojmë se bien në kundërshtim të hapur me funksionet dhe detyrën që ai kryen si këshilltar pranë Presidentit të Republikës.

Në këto kushte, krahas vënies në dijeni të këtij akti dhe qëndrimi jo normal të z.Pirro Ahmetaj, ju kërkojmë të thirret nga Presidenti për të sqaruar përmbajtjen e kësaj deklarate, të bëni vlerësimin përkatës duke informuar për sa më sipër Kuvendin e Shqipërisë.

Znj. Ministre, duke qënë se prononcimet publike të Ushtarakut Aktiv Gjeneral Brigade Pirro Ahmetaj vijnë në kundërshtim të hapur me kushtetutën dhe me ligjet në Republikën e Shqipërisë, me ligjet që normojnë veprimtarinë dhe drejtimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë kërkojmë :

Nisjen e procedurave disiplinore për ushtarakun Pirro Ahmetaj me gradë Gjeneral Brigade, me detyrë Këshilltar Ushtarak pranë Presidentit të Republikës së Shqipërisë, vënien përpara përgjegjësisë ligjore si dhe marrjen e masave që parashikon ligji në këto raste.

Mbetemi në pritje të reagimit të institucionit që ju drejtoni”.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.