Mafia e emigrantëve, policia evropiane ndjek rrjetet e trafikut

Postuar në 09 Shtator, 2015 16:47

Në Libi, trafikantët mund të nxjerrin rreth 150 mijë dollarë për një anije të mbushur me 150 emigrantë. Për këtë arsye njësi të policisë evropiane që merren me kontrollin e faqeve të medias sociale që promovojnë aktivitet terrorist po zgjerojnë kompetencat për të ndjekur edhe aktivitetin e rrjeteve të trafikut njerëzor. Sipas “Zërit të Amerikës” ata kërkojnë trafikantë që reklamojnë shërbimet e tyre përmes internetit. Forcat e rendit paralajmërojnë se rrjete të trafikut të drogës tani po e braktisin këtë aktivitet duke u përqëndruar tek trafiku me njerëz. Zyrtarët evropianë pohojnë se sapo kanë filluar të krijojnë një ide të rrjeteve të ndërlikuara dhe me aktivitet në skaje të largëta të globit që përfitojnë nga vuajtja e emigrantëve që kërkojnë një jetë më të mirë dhe sirianëve, afganëve dhe irakianëve që largohen për t’i shpëtuar konfliktit. Ndërkohë që fitimet nga trafiku me njerëz kanë arritur në nivele të ngjashme me trafikun e narkotikëve dhe atë të armëve, ky aktivitet po tërheq bandat kriminale, paralajmërojnë zyrtarët. Javën e kaluar, Rob Wainwright, kreu i Europolit, agjencisë evropiane për mbrojtjen e rendit, tha në një intervistë për një radio irlandeze se 30 mijë vetë janë të përfshirë në rrjetet kriminale të trafikut me njerëz, pjesa më e madhe si ndërmjetësues. Agjencia e tij po ndjek 1400 raste trafiku njerëzor, thotë zoti Wainwright.  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.